Falja e gjakut ne gjurmet e Oskarit

'Falja e gjakut' ne gjurmet e Oskarit
Filmi shqiptar është nderuar me një tjetër çmim special në Nju-Jork, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Hamptons

Rrugët për të cekur Oskar-in mbeten ende të hapura për filmin shqiptar “Falja e gjakut”. Edhe pse ky film u skualifikua nga lista e filmave që duan të kandidojnë për kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” nga Akademia e Çmimeve “Oskar”, Joshua Martson dhe Andamion Murataj e kanë rrugën e hapur për të konkurruar individualisht në kategori të tjera të këtyre çmimeve. E duket se të njëjtën gjë po synojnë dy realizuesit me shfaqjen e filmit të tyre në Amerikë nga njëri festival në tjetrin, duke seleksionuar sa më shumë trofe që të tërheqin vëmendjen e jurisë. Kështu, çmimi më i fundit i filmit “Falja e gjakut” është Çmimi Special i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons të Nju-Jorkut. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Hamptons të Nju-Jorkut nuk ka një çmim të dedikuar për skenarin, por juria nderon filmin me Çmim Special me motivacionin: “Për rrëfimin e shkëlqyer që e bën këtë eksperiencë specifike kulturore të ndihet thellësisht personale”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Hamptons të Nju-Jorkut është krijuar 19 vjet më parë për të vlerësuar punën e kinemasë autore. Festivali i prezanton për herë të parë audiencës së brigjeve lindore të Amerikës një spektër unik filmash ndërkombëtarë që sjellin vizione të reja dhe eksperienca diverse globale. Pikërisht në këtë festival kanë pasur premierën lindore të Amerikës shumë filma fitues të çmimit “Oskar”, si “Fjalimi i Mbretit” apo “Mjelma e Zeze”. E me pikësynimin e qartë për të hapur dritën jeshile për ndonjë kandidim të mundshëm në natën e madhe të Oskar-it, pse jo për skenarin, vlen çdo trofe që filmi “Falja e gjakut” po arrin të marrë në SHBA, mjafton që juria e çmimeve të ulet e të shohë në ndonjë nga kinematë amerikane filmin shqiptar. “Jam i lumtur për çmimin dhe së pari dua të falenderoj ata njerëz që na besuan dhe ndanë me eksperiencat e tyre jetësore”,- përsëriti sërish urimin regjisori Joshua Martson teksa tërhoqi çmimin e dhënë, një urim veçanërisht për shqiptarët që ai takoi në Malësinë e Madhe të Shkodrës e tek rrëfimet e të cilëve gjeti skenarin për filmin e tij “Falja e gjakut.

“Jam i nderuar që prezantohemi në një mënyrë të tillë në “East Coast”, i cili ka ngulimin më të madh të shqiptarëve në Amerikë por edhe të shumë kombeve të tjerë, me të cilët ndajmë të njëjtat eksperienca. Nuk e fsheh dot lumturinë, që pas suksesit të filmit në Europë pritemi në të njëjtën mënyrë dhe në Amerikë”, - tha bashkëskenaristi shqiptar Andamion Murataj. Joshua Martson është regjisor i njohur amerikan, i cili ka pasur sukses të veçantë me filmin e tij të mëparshëm “Maria Full of Grace” (Maria Plot Hire), film që në vitin 2004 u skualifikua nga po e njëjta akademi si përfaqësues i Kolumbisë me të njëjtin argument si dhe filmi “Falja e gjakut”. Por Martson arriti të përfshinte në kandidimet për çmimet “Oskar” të atij viti aktoren e filmit “Maria Full of Grace”, e cila në fund rezultoi fituese e trofeut “Oskar”. Ndërkohë, “Falja e gjakut” është filmi i tij i dytë i suksesshëm, me të cilin cili ka fituar çmimin “Ariu i Artë” për skenarin në Festivalin e Filmit në Berlin dhe është pritur në mënyrë entuziaste nga kritika edhe në festivale të tjera, veçanërisht në atë të Torontos në shtator të këtij viti.

Filmi u zgjodh nga Komisioni Shqiptar i Çmimeve të Akademisë për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për “Oskar”, por Akademia e ktheu mbrapsht sepse sipas tyre, “nuk ishte autentik shqiptar për të përfaqësuar Shqipërinë në kategorinë e ‘Filmit më të mirë në gjuhë të huaj”. Së fundmi në Amerikë, po ky film u vlerësua për skenarin në Festivalin e Filmit në Çikago vetëm pak ditë para se të merrte trofeun në Nju-Jork.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama