Tirane-Elbasan mes Europes dhe Arabise

Tirane-Elbasan, mes Europes dhe Arabise
Për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan janë mobilizuar ekspertët më të mirë të mundshëm për të bërë të mundur gjetjen e financuesit dhe lidhjen e kontratës. Ministri i Transporteve, Sokol Oldashi thotë se për financimin e rrugës kanë shprehur interes shumë banka dhe institucione financiare donatore, por më konkretisht është duke u negociuar me Bankën Europiane për Investime dhe Fondin Kuvajtian. Në buxhetin e rrugëve ministria ka vendosur dy shuma të ndryshme, që janë 5 milionë lekë të financuara direkt nga arka e shtetit dhe rreth 1 miliard e 300 milionë lekë që do të mundësohen nga të huajt. Po cilët do të jenë mbështetësit e palës shqiptare në projektin më të madh të radhës pas atij të Rrëshen-Kalimash?

“Për rrugën kanë shprehur interes disa institucione dhe banka të rëndësishme zhvillimi. Ajo çfarë jemi duke bërë aktualisht është negocimi me ta për të gjetur zgjidhjen e duhur”, - tregoi ministri për “Shqip”, pak para se të hynte në Komisionin parlamentar të Ekonomisë për raportimin e buxhetit të ministrisë.

Praktikisht, qeverisë shqiptare i ka mbetur të zgjedhë financuesin dhe jo ta gjejë, pasi sipas ministrit interesimi është i lartë. Olldashi thotë se janë vendosur te zëri “investime të huaja” rreth 1.3 miliardë lekë që do të mundësohen nga BEI ose nga Fondi Kuvajtian, ndërsa nga buxheti i shtetit 5 milionë lekë. “Deri në zgjidhjen e financuesit kemi rënë dakord me donatorët që të hapim punimet, duke akorduar si fillim nga buxheti i shtetit 5 milionë lekë. Pastaj, gjatë vitit do të mbyllen të gjitha çështjet dhe sigurimi i të gjithë financimit për ndërtimin e rrugës”, - thotë ministri. Sipas tij, është tenderuar loti i parë i rrugës Tiranë-Elbasan dhe është duke u shqyrtuar procedura nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ndërsa tenderi për punimet e tunelit të Kërrabës pritet të zhvillohet në muajin dhjetor të këtij viti.

I gjithë projekti është hartuar nga një studio e njohur italiane me financim nga Komisioni Europian, ndërsa për ndërtimin e rrugës duhet të gjenden të paktën 15 miliardë lekë. Në bazë të këtij projekti, distanca Tiranë–Elbasan shkurtohet në mënyrë të ndjeshme në vetëm 31.17 kilometra. Autostrada do të ketë katër korsi dhe dy tunele, përkatësisht me gjatësi 2.3 kilometra dhe 2.1 kilometra, shtatë mbikalime, katër nënkalime, tre kryqëzime dhe shpejtësi lëvizjeje 110 km/orë.

Lidhur me rrugën, kur prezantoi projektin në Elbasan me rastin e Ditës së Verës, Kryeministri deklaroi se: “Kjo autostradë është vërtet një vepër e kushtueshme dhe ka të ngjarë të jetë më e kushtueshmja që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, por ka edhe impaktin absolut pozitiv për të gjithë Shqipërinë juglindore dhe jugore”.

Është tenderuar loti i parë i rrugës Tiranë-Elbasan, ndërsa tenderi për punimet e tunelit të Kërrabës pritet të zhvillohet në dhjetor.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama