Përkundrazi, ai thekson se ka gjak shqiptari, edhe pse është i vetëdijshëm se me ngjyrat kuqezi nuk do të kishte arritur kurrë të shpallej kampion bote në stilin e lirë (greko-roman) të peshës 96 kg. Guri thekson se largimi dhe fakti që nuk arriti të fitonte medaljen e artë për Shqipërinë i mbetet një brengë, por Bullgaria i dha shansin të realizonte ambicien, që një ditë të ngjitej në majën e botës. “U largova me një breng në zemër. Bëra gjithçka që të mos ikja, pasi dëshiroja të qëndroja dhe të vazhdoja garimin për Shqipërinë. Normalisht kam gjak shqiptar, por po të mos ishte Bullgaria, unë sot nuk do të isha kampion bote”, deklaroi mundësi.
Ai tregon se ky rezultat ishte realizimi i një ëndrre, e cila do të kishte qenë e pamundur në Shqipëri: “Ishte një moment që e kisha ëndërruar gjithë jetën. Situata në Shqipëri nuk ishte e përshtatshme që të bëja stërvitje dhe të më krijoheshin kushtet që unë të konkurroja për rezultate të larta. Bullgaria m’i ofroi të gjitha kushtet për të cilat një sportist ka nevojë dhe bëri të mundshëm realizimin e kësaj ëndrre”.
Guri u largua drejt Bullgarisë në mars të vitit 2009, ndërsa në harkun e 18 muajve ka arritur dy suksese mjaft të mëdha me ngjyrat e këtij vendi. Në fakt, përpara titullit botëror në Stamboll të Turqisë, ku mposhti në finale suedezin Xhimi Lindberg dhe siguroi pjesëmarrjen në “Londër 2012”, ai ka regjistruar një tjetër rezultat të lart. Në muajin mars, mundësi shkodran ka fituar edhe medaljen e bronzit në Europianin 2011 të zhvilluar në Dortmund të Gjermanisë. Praktikisht Elis Guri ishte gati për hapin e madh, duke qenë se në vitin 2007 ai u rendit i shtati në kampionatin botëror, fitoi medalje bronzi për Shqipërinë në Europianin 2011 në Tampere të Finlandës, ndërsa në Olimpiadën “Pekin 2008” u rendit i teti.
Por, me gjithë talentin dhe rezultatet e larta, ashtu si sportistët e tjerë elitarë në vendin tonë, ai stërvitej në kushte mjerane: “Nuk kisha një partner për t’u praktikuar në stërvitje, madje mund të them që nuk kisha as dush për t’u larë, që është një nga kërkesat minimale të një sportisti. Kushtet e këqija të stërvitjes ishin më kryesoret, megjithatë ekzistonin edhe mjaft probleme të tjera që më detyruan të largohesha nga Shqipëria”. Përveç pezullimit të mundjes shqiptare, një problem që e shtyu mundësin të largohej ishte pezullimi 1-vjeçar nga Komisioni i Etikës së KOKSH, për skandalin e ndodhur në Asamblenë Zgjedhore të janarit 2009. Por, për Gurin ai kapitull është mbyllur dhe tashmë është vetëm koha të shijojë titullin botëror, duke synuar suksesin në Lojërat Olimpike. Ndërkohë, Shqipërisë nuk i mbetet veçse të qajë një tjetër kampion të humbur.











