Eglantina Cenomeri Si eshte te luash nje film me pulle te kuqe

Eglantina Cenomeri: Si eshte te luash nje film me pulle te kuqe
“Tek ‘Agon’, skenat më të vështira ishin ato erotike”

Nën lëkurën e një femre jo si gjithë të tjerat në filmin “Agon” ka provuar adrenalinën e një roli që përmbys tabu. Këto ditë që filmi “Agon” është përballur me publikun shqiptar, Eglantina Cenomeri ka shtuar kureshtjen si protagoniste kryesore në të. Kush është aktorja që vjen në rolin e Majlindës, gruas së një kapobande në Greqi, e cila përjeton një aventurë pasioni me emigrantin shqiptar, Vini, të luajtur nga Guljem Kotori? Ajo vjen me këtë aventurë krimi dhe pasioni mes bashkëshortit kriminel Keno, të luajtur nga shqiptari i Maqedonisë Xhevdet Jashari, dhe të dashurit të saj më të ri në moshë. Pas shfaqjes në Çikago, aktorja zbulon impresionet e lojës në këtë film, që nuk mund të shihet nga një publik nën moshën 16-vjeçare, për shkak të fjalorit të pistë dhe skenave erotike e të dhunës.

Shfaqesh me një rol mbresëlënës në filmin “Agon”. Cilat kanë qenë eksperiencat e tua të mëparshme në aktrim?

Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura për Regjisurë dhe më pas kam luajtur në Teatrin Kombëtar si aktore në shfaqje të ndryshme. Në kinematografi, ky është roli im i parë protagonist në një film me metrazh të gjatë, por kam luajtur edhe në filmin belg “Dossier K”, dhe po ashtu në filma të tjerë me metrazh të shkurtër.

Regjisori dhe skenaristi i “Agon”, Robert Budina, është shprehur për median rreth filmit se: “Kjo nuk është një histori kriminaliteti e mafieje, por është një histori dashurie e pamundur”…

Po. Kjo nuk është një histori emigracioni, është një histori përpjekjeje për integrim. Kjo nuk është një histori kriminaliteti e mafieje, është një histori dashurie të pamundur, ku gjithashtu Majlinda, gruaja të cilën unë luaj, jeton midis dy dashurive të pamundura.

Filmi prezantohet si një dramë me emocione të forta, me shumë përplasje, situata, por edhe skena dhune e erotike, që vetë autorët nuk do t’ia rekomandonin një publiku nën moshën 16 vjeç. Sa të vështirë e kishe për të pranuar një rol të tillë?

Është e vërtetë që roli i Majlindës është i rëndë dhe prekës. Kompleksiteti emocional i personazhit më ka tërhequr si aktore dhe më ka intriguar, që jo vetëm ta pranoj rolin, por edhe të përpiqem që ta paraqes në mënyrë sa më të vërtetë dhe emocionale për publikun.

Çfarë ndodh në botën e këtij personazh në film dhe si ke mundur të luash femrën e dhunuar?

Bota e Majlindës më ka inspiruar, ndërsa skenat erotike kanë qenë vetëm një aspekt në jetën e Majlindës. Jam përpjekur ta kuptoj sa më mirë botën e saj duke vizituar qendra rehabilitimi për vajza të reja që janë abuzuar dhe trafikuar. Më i rëndësishmi për mua ka qenë përjetimi psikologjik dhe emocional, jo shumë ai fizik.

Në film je vajza që përjeton aventurë pasioni me një djalë më të ri se ti. E bën ky fakt më interesante dhe fatale lidhjen?

Po, e vërtetë. Ne kemi diferencë në moshë, ashtu siç është në skenar. Majlinda ka diferencë më të madhe me Vinin. Dhe unë mendoj që dashuria nuk njeh moshë si në film, edhe në realitet. Pikërisht filmi flet për një realitet special, që mund të ndodhë në jetë pavarësisht moshës. Dhe kjo nuk është hera e parë e as e fundit.

Për t’u pranuar në filmin “Agon” çfarë t’u kërkua nga regjisori? Ku ndjeve vështirësi dhe ku e pate të lehtë gjatë aktrimit?

Qëkur kam marrë pjesë në audicion, regjisori më ka treguar kompleksitetin e personazhit dhe më ka kërkuar që të vlerësoj çdo detaj të saj.

Skenat erotike ishin pjesa më e vështirë apo më e thjeshtë për t’u realizuar?

Sigurisht që një nga skenat më të vështira nga ana teknike ishin skenat erotike, por profesionalizmi i regjisorit më krijoi lirinë dhe komoditetin, që unë dhe partneri im të ndiheshim sa më mirë.

Të jesh aktore shqiptare dhe të realizosh skena erotike, sa e vështirë është? Ekzistojnë ende tabu?

Mendoj që tabutë do ekzistojnë gjithmonë dhe jo vetëm në Shqipëri. Skenat e mirëfillta erotike janë risi në filmat shqiptarë, ndërkohë që në jetën normale janë pjesë e jetës së çdokujt. Atëherë nuk mendoj që mund të paragjykohet një realitet social, i cili është krijuar nga vetë nga ne.

Tashmë, pas Chikagos, filmi po përballet me publikun shqiptar, çfarë komentesh ke marrë këto ditë? Në Çikago tërhoqe vëmendjen e dikujt?

Reagimet kanë qenë mjaft pozitive dhe mbresëlënese. Në Chikago u pëlqye më shumë skena emocionale me bashkëshortin tim në film, Keno, që njëkohësisht ishte një nga skenat më të vështira për mua.

“Pata alkimi me partnerin në film”
   
Çfarë ke të njëjtë me personazhin e vajzës në film?
   
Të njëjtë kam pasionin.
   
Po ekstremisht të kundërt?
   
Të kundërt kam fatin.
   
Ndjeve një lloj alkimie me partnerin në film?
   
Skenat erotike tregojnë pikërisht alkiminë mes personazheve dhe shpresoj që publiku ta ndiejë si të tillë.
   
Mund të ndodhë që dy aktorë të dashurohen në sheshxhirim?
   
Si në çdo profesion tjetër, dashuria mund të lindë edhe mes aktorëve. Por kësaj radhe nuk ndodhi me mua.
   
Cili është aktori shqiptar dhe ai i huaj me të cilin do të dëshiroje të interpretoje?
   
Me Xhevdet Jasharin ishte ëndërr, e cila u realizua. Ndërsa nuk mund të ndaj Javier Bardem nga Benicio del Torro (qesh).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama