E rrralle ne Fier 14 vjet rastesisht me nje burre

E rrrallë në Fier, 14 vjet, rastësisht me një burrë
 Ju ka ndodhur ndonjëherë që papritur të zbuloni se dikush është martuar me ju, por ju nuk e dini?! Madje, pas disa vitesh martesë, të zbuloni emrin e bashkëshortit e më pas të merrni vesh se jeni një njeri i paregjistruar në asnjë copë letër të regjistrave?

Me siguri që nuk ndodh përditë. Por zonjusha M., e datëlindjes 1971, lindur dhe banuese në Fier, lagjja "16 Prilli", ka zbuluar se para 14 vjetësh "ishte martuar". Pa dijeninë e saj. Ngjarja e habitshme që ka marrë më pas rrugën gjyqësore, u zbulua rastësisht para disa muajsh, kur M. ka shkuar në zyrën e gjendjes civile të këtij qyteti për t\'u pajisur me një certifikatë dhe ka marrë përgjigje negative nga punonjësi i kësaj zyre.

Ai i ka thënë se ajo nuk e kishte emrin aty, pasi rezultonte "të ishte shpërngulur pas martesës më 25 gusht të vitit 1995". Madje, në dokumente ishte edhe emri i bashkëshortit. Quhej Asllan Sh. nga fshati Dermenas i Fierit. Pas ankimit të 38-vjeçares, ka qenë prokuroria që ka ngritur një padi ndaj zyrës së gjendjes civile të qytetit të Fierit dhe asaj të komunës Dermenas. Objekti i padisë ishte: "Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të aktit të martesës".

Pas hetimeve të njëpasnjëshme të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se, sipas dokumenteve, kjo "martesë" është lidhur në zyrën e gjendjes civile të Bashkisë Fier, me numër akti 107, datë. 25.08.1995, si vendbanimi i njërit prej bashkëshorteve të ardhshëm. Historia zhvendoset në Dermenas. Është bërë verifikimi edhe në zyrat e gjendjes civile të kësaj komune, si vendbanim i bashkëshortit të saj dhe ka rezultuar se ky shtetas nuk figuron në regjistrat e kësaj zyre.

Pra, shtetasja M. H është ç\'regjistruar nga regjistri i gjendjes civile të Bashkisë Fier, për shkak të martesës së saj, dhe nga ana tjetër nuk figuron e regjistruar gjëkundi. Fakt tjetër është se as bashkëshorti i saj "imagjinar" nuk figuron i regjistruar në regjistrat e kësaj komune dhe as të rrethit të Fierit.

E gjitha të ngjan më një histori telenovele, por që ka ndodhur. Nuk është zbuluar se kush e ka martuar vajzën dhe pse ia ka bërë këtë "dhuratë", por është e sigurt se dora e një njeriu e ka çregjistrua dhe e ka martuar atë. Më tej janë bërë verifikime për rregullsinë e aktit të martesës së këtij çifti. Siç pritej, janë vërejtur parregullsi edhe në këtë "lidhje martese". E para është se nuk ka pasur dëshmitar, gjë që është e detyrueshme sipas kodit të familjes (përveç bashkëshortëve të ardhshëm, duhet të marrin pjesë dy dëshmitarë madhorë dhe nëpunësi i gjendjes civile).

Në fund të gjykimit, me vendimin nr. 210, të datës 10 shkurt 2009, gjyqtari Taulant Banushi, ka vendosur në favor të paditëses M., duke e liruar atë nga "burri" që nuk ekzistonte.

"Gjykata, në bazë të nenit 306 K. Pr. Civile, vendosi: Pranimin e padisë, konstatimin e pavlefshmërisë së martesës të lidhur me aktin nr. 107, dt. 25.08.1995, në zyrën e gjendjes civile, Bashkia Fier", - thuhet në vendimin që i jep fund kësaj çudie të gjendjeve civile shqiptare.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama