Dy regjisore shqiptare provojne tregun e huaj te produksionit

Dy regjisorë shqiptarë, provojnë tregun e huaj të produksionit

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik ka qenë gjithnjë një portë e hapur për kinematë e vendeve të vogla apo e kinemave në tranzicion të Rajonit. Nëpërmjet programeve të posaçme aty kanë përfituar edhe regjisorë shqiptarë. Një skenar cilësor, një grup pune i formuar dhe disa mundësi fillestare për produksionin e filmit të ardhshëm dhe qoftë edhe regjisorit me pak karrierë i jepet shansi për të konkurruar me ide dhe për t’u mbështetur financiarisht kundrejt disa “sanksioneve”.

Në edicionin e 49-të TIFF që mbahet 14-23 nëntor, në seksionin Forumi i Kooproduksionit i quajtur “Crossroads” do të paraqiten 15 projekte. Më 17-19 nëntor, ndër vende si Bullgaria, Greqia, Franca, Izraeli, Italia, Jordania, Palestina, Rumania, Serbia dhe Turqia, është edhe Shqipëria. Më saktë janë dy artistë shqiptarë, Robert Budina nga Tirana dhe regjisori Bujar Alimani që prej vitesh jeton në Greqi.

Prezantimi i projekteve do të bëhet nga producentët përballë profesionistëve të industrisë filmike që vijnë nga e gjithë bota. Është një lloj tregu i kinemasë ku marrin pjesë distributorë, agjentë shitjeje, këshilltarë. Qëllimi i “CROSSROADS” është mbështetja e producentëve për projektet e filmit të gjatë artistik që janë të lidhura me Mesdheun dhe rajonin Ballkanik.

Projekti shqiptar me regji të Robert Budinës dhe producente Sabina Kodrën që paraqet nëpërmjet Kompanisë “Erafilm”, mban të njëjtin titull të këtij programi të festivalit, “Crossroads”. Për çiftin Budina kjo është tentativa e parë ndërkombëtare për një projekt për film me metrazh të gjatë. Deri tani Robert Budina e ka provuar veten në teatër dhe në metazhin e shkurtër. Filmi “Luleborë” u shpall dy vjet të shkuara filmi më i mirë shqiptar në TIFF.

Bujar Alimani shkon me “Përtej faljes”, si regjisor dhe si kooproducent në bashkëpunim me Thanos Anastopoulos, Kompaninë 90 Productions Albania dhe Fantasia Audiovisual SA. Edhe për Alimanin ky është projekti i parë për film të gjatë artistik. Ka mbyllur me sukses një kapitull në karrierën e tij të shpejtë si regjisor me filmin e shkurtër dhe provon sërish me një temë shqiptare.

Ka të ngjarë që ky të jetë projekti që Alimanit iu refuzua nga bordi i Qendrës Shqiptare Kombëtare Kinematografike vitin e shkuar. Me pjesëmarrjen e mëparshme në “Crossroads 2006”, Alimani përmendet si element i një brezi të ri dhe dinamik i kinemasë greke, brez që ka lënë gjurmë me filmin e shkurtër dhe është hedhur tek metrazhi i gjatë.

Për projektin fitues jepet Çmimi “The Crossroads Nokia N Series” me vlerë 10.000 €. Për herë të parë ky çmim iu dha Yesim Ustaoglu’s për projektin “Kutia e Pandorës” fitues i Golden Shell si Filmi më i Mirë dhe i Çmimit për Aktoren më të Mirë në Tsilla Chelton, në Festivalin e San Sebastianit të këtij viti. Më 2007 projekt fitues ishteNadav Lapid me “Polici” i cili u prezantua më pas në Atelier du Cinéma, Kanë 2008.

E.D.: Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama