Dy here per Tiranen

Dy here per Tiranen
Njëherë për rolin e pushtetit në jetën e individit që jeton në Tiranë dhe njëherë për aksionin aspak qytetar për të shpëtuar atë natyrë që i ka mbetur kryeqytetit shqiptar. Të dyja subjekte që grupi "Albartist" i drejtuar nga Gentjan Bejko regjisor, i ka trajtuar në dy filma në gjininë mockumentary. Të dy konkurruan në mars në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar në Majami, në seksionin e filmit 48 orësh. Bejko ishte i vetmi nga ekipi që udhëtoi për atje.

Filmi i parë, "Çifti i përkryer" ishte shpallur në qershor 2010 më i miri në Tirana-48 Hour Film Project 2010 dhe fitoi të drejtën për në "Best 48 hour Film of the Year 2010" duke përfaqësuar Shqipërinë dhe Tiranën në këtë konkurs ndërkombëtar në Los Anxhelos, ku jepet çmimi i lartë Filmapalooza.

"Çifti i përkryer", siç thotë Genti, "është në fakt çift i kalbur, çifti tipik i pushtetarëve të rinj, zengjinëve të rinj. Një analogji me kalbëzimin e familjes reale. Realisht janë çifti më plehër i Tiranës". Ndërsa me filmin e dytë, i realizuar me bashkëregjisor Bledar Linzën, sërish mbi skenarin e Koloreto Cukalit, Bejko dhe grupi i tij "Albartist" konkurruan në "48 Go Green", forma on line e festivalit.

Asnjë pretendim për çmim nga grupi shqiptar, i përbërë nga Bejko, Cukali, Linza, operatori Altin Ago, aktorët Xheni Hallulli, Salsano Rrapi, Julian Deda. Pothuajse të gjitha çmimet për të gjitha kategoritë filmike u ndanë mes Londrës, Los Anxhelesit dhe ndonjë çmim për filmin që vinte nga Roma. Në bisedën me Gentjan Bejkon kjo përvojë të rinjsh është parë brenda një historie ku duhej të funksionin normalisht në një rrjet sistemi edukimi, arti, tregu e që sot për sot, krijojnë një konfiguracion të shfytyruar. Një përpjekje për të kuptuar ku shkojnë këta rinj dhe si e mendojnë komunikimin me botën.

"Çifti i përkryer" e bëri rrugën e vet, me gjithë pengesat dhe pa shpërblimin që pritej nga Qendra e Kinematografisë. Për këtë festival nga njëra anë ka pasur skepticizëm, paragjykim, nga ana tjetër nuk ka qenë krejt problem i Qendrës së Kinematografisë që nuk e financoi. Qendra ka zbatuar rregulloren. Problemi është të krijosh bashkëpunimin.


Si shkoi pjesëmarrja në Festivalin e Majamit?

Nga ekipi shkova vetëm unë, për shkak të kostos së lartë. I mësuar që nuk të ndihmon kush, shkova me shpenzimet e mia. Arrita ta shoh gjithë prodhim filmik 48 orësh të prodhuar nga 120 kryeqytete të botës gjatë vitit 2010. Nga vende afër nesh, merrte pjesë Greqia dhe Italia e cila nuk doli pa çmim. Shumë pjesëmarrje të rinjsh nga shkollat e filmit. Më rezultoi njëri film më i bukur se tjetri, filma çudira, stafe të miroganizuara.

Çfarë çudish?

Që lidhen me gjetjet regjisoriale të cilat për një film në 7 minuta janë më të rëndësishme se mënyra e realizmit. Gjithçka e bërë me forcë vullnetare. Specifika e festivalit është që nxitë një film në skuadër, me të rinj. Ti tregon diçka që mund ta tregosh në shtatë minuta. Nga vitet e studimeve mban mend punën me një etyd, këshillën që të mos japësh një temë universale, por të përpiqesh të japësh detaje të jetës të cilat përcjellin një ide.

Sa e ngacmon imagjinatën kjo supershpejtësi dhe lloji i teknologjisë që përdoret në një film si ky?

Shumë. I shërben praktikës së kushteve në pak kohë. Vërtet që elektronika është mbreti dhe automatikisht është i përjashtuar xhirimi me film. Pashë krijime që janë realizuar me Canon, xhirime në HD që në ekran shprehin një cilësi kinemaje që shikuesi e ka të vështirë të bëjë dallimin: pelikulë apo elektronikë.


Mund ta quash kinema?

Në atë 7 minuta film që nxjerr brenda 48 orëve, nuk mund të bësh çfarë të duash. Pasi të janë dhënë të gjitha direktivat për të bërë filmin, ti me short zgjedh zhanrin që mund të jetë western, filmi i zi, mockumentary, komedi. Festivali përcakton disa elemente të tjera: një batutë e cila duhet të jetë në film, emrin e personazhit, gjininë, profesionin, një objekt i cili duhet të jetë në film.

Kaq shumë përcaktime dhe porosi të jashtme, e sa mundësi ke të krijosh gjënë tënde, filmin tënd?

Kjo është e bukura e kësaj historie, që brenda 48 orësh me këto parametra të mbledhësh stafin, të shkruhet skenari, të gjesh aktorët e jo idetë e tua në sirtar.

Brenda festivalit të madh konkurruat edhe për 48 orëshin on line.

"48 Go Green" më dha mundësinë që brenda temës "Shpëtoni planetin" për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja dhe shkatërrimi i njeriut, xhiruam në janar një film sërish mbi Tiranën. Me bashkëregjisorin Bledar Linza dhe skenaristin Koloreto Cukali treguam nëpërmjet një gazetari jetën e tri personave në Tiranë. Janë tri individë të cilët bëjnë tri gjëra të ndryshme, për interesat e tyre personale, pa e kuptuar që në njëfarë mënyre po ndihmojnë për shpëtimin e planetit. Të gjithë arrijnë të bëjnë një shërbim. Është edhe satirë kjo situatë.

Në krahasim me "Çiftin e përkryer" filmi i dytë është xhiruar në HD. Dhe si cilësi është më i mirë. Por janë filma ku mendimi është i përqendruar.

Në Shqipëri po bëhet një kinema që nuk i shërben as një konsumi të brendshëm dhe as t'i flasë një publiku pa u paraqitur si ekzotike. Në këtë mënyrë filmi shqiptar flet me një gjuhë jashtë kohe. Ti si e sheh?

Është prodhuar deri tani një kinema jo vetëm skematike, por me një tendencë për të qenë larg shqiptarit, për të trajtuar shumë probleme njëkohësisht. Është krijuar një kinema edhe me tendencën për të imituar njëfarë realizmi magjik, neorealizmi, një manierë felineske, tendencë drejt një kinemaje që i ka qëndruar epokës së vet e që e ka mbyllur tashmë ciklin.

Deri tani ti je përpjekur të gjesh veten, të jetosh, t'i përgjigjesh një tregu kryesisht prej televizionit.

Një treg që mund të jetosh është tregu i televizioneve. Ky është më i fuqishëm se çdo treg tjetër. Më pëlqejnë eksperimentet. Kam studiuar regji teatri dhe eksperienca e vetme filmike ka qenë si asistent regjisor në "Letra ere" i Edmond Budinës. Pastaj regjia televizive me serialin "Radio-Radio", emisionet sporadike në TV. Me Film 48 orësh, nisi si lojë dhe përfundon që ke bërë një film i cili mbetet i yti dhe i stafit që ke punuar.
Megjithatë, tani po punoj për një skenar për film të gjatë.

Të ndihmon TV, po edhe të dëmton.

Jam munduar t'i ruhem këtij lloj dëmtimi, të kem lirinë time, edhe kur kam qenë aktor të bëj shfaqje të miat në teatër. Me "Radio-Radio" po ashtu që ishte angazhim shumë i madh. Ndërsa tani në rolin e regjisorit të "Apartamentit" ti duhet të jesh për të gjithë. Është një punë ku improvizimi është baza, ku ti njeh vetëm gjysmën e shfaqjes e mbasi është regjistruar gjithçka, ke vetëm mundësinë e montazhit. Jemi përpjekur për ta mbajtur disi të pastër gjuhën e "Apartamentit" meqë audienca është e re.

Personalisht, mundohem t'i ruhem atij momenti kur koka të merr erë, që do të thotë të bësh artistin kudo që shkon. Marr kënaqësi nga puna që bëj, vërej si reagon publiku. Është një kompleksitet kjo lëvizje në TV. Është më rëndësi të mos e humbësh nuhatjen, intuitën. Nëse një gjë të pëlqen, nuk ka të keqe që ta bësh.

Duket sikur emisionet televizive, argëtuese apo gjysmë të tilla, përafërsisht besojnë që publiku pëlqen gjithçka që ato japin. Por sa takohen palët mes tyre?

I gjithë problemi është të gjesh ekuilibrin midis asaj që do të japësh ti si autor dhe asaj që do të përtypë publiku. Mund të flasë për fushën e humorit, meqë hyj tek ata njerëz që e kanë provuar në kurriz ç'do të thotë ta bësh publikun të buzëqeshë e ç'do të thotë ta gajasësh. Të bësh dallime të kësaj natyre, të ndihmon që të kuptosh se çfarë do publiku realisht.

Po shkruan një skenar, çfarë ia vlen të tregosh?

Një rrëfim për veten. Analiza më e mirë për mjedisin ku jeton nis nga vetja, sepse duke zbuluar veten, ke mundësi të shkosh përtej saj. Po shkruaj për një karakter që e kemi gjithmonë në mëhallë.

Domethënë në një të ardhme do të hysh në klimën ku shteti financon, dhe të pretendosh të krijosh i lirë?

Personalisht e kam pasur shpeshherë të vështirë sepse i refuzoj klanet. Sa për klimën e kinemasë në Shqipëri, duke qenë se filmat realizohen në bashkëprodhim, vëren se si regjisorët tanë "detyrohen" të integrojnë një francez në film nëse është një bashkëprodhim me Francën, një gjerman nëse është bashkëprodhim me Gjermaninë e kështu me radhë. Nga një anë kjo është normale, por jemi shumë larg asaj që filmat tanë të jenë shprehje e lirisë së plotë të krijuesit. Që të realizosh një film të mirë, nuk bëhet me ndihma vullnetare, siç mund të bësh një film në 48 orë.

Genti, ti edhe disa të tjerë të kursit tënd të dramës që u diplomuan në vitin 2000, kanë bërë një rrugë të gjatë. Jeni përpëlitur, keni dhjetë vjet që përpiqeni të kapeni diku, të krijoni një identitet tuajin. Çfarë ka dhe nuk ka funksionuar në marrëdhëniet e Akademisë, tregut dhe gjithë infrasktrukturës kulturore që ka ky mjedisi ynë?

Frika ime ka qenë qysh në fillim të Akademisë. Më kujtohen fjalët e aktorit Ndriçim Xhepa që më paralajmëronte për këtë ditë, kur do të përballesha me shkollën e vërtetë, shkolla e jetës. Unë nisa të punoj dikur me një shfaqje si "Herkuli" dhe e mendova si diçka që të funksionojë edhe për tregun. Ishte pikënisje edhe për të kuptuar se si funksionon publiku.

Kam pasur shpeshherë kritika nga kolegë të mitë që më sugjerojnë të mos merrem vetëm me komedinë. Mua kjo më pëlqen. Kam provuar të inskenoj edhe dramë, por jam i joshur nga komedia: komedi me një ide brenda, që të godasë gjithmonë një fenomen.

Filmapalooza 2011

Frymëzim, edukim, njohje e njëri-tjetrit dhe kënaqësi. Mbi këtë filozofi është krijuar 48 Hour Film Project, brenda Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Majami i zhvilluar më më 10-13 Mars 2011. Për herë të parë mori pjesë edhe një film 7 minuta nga Shqipëria. Filmapalooza quhet finalja e festivalit për 48 Hour Film Project i vitit 2010.

Në Festivalin e Kanës, më 16-17 maj, do të ketë dy shfaqje të filmave fitues nga "48 Hour Films", në këndin e Filmit të Shkurtër. Disa nga fituesit e këtij edicioni janë "Africa", "Casting Call", "Charlie, the Man who Brought Back the Sea", "Collecting Hope", "Dream", "The Fatal Heir", "A Good Day to Die", "Pray", "You Shall Knoë No Grief" etj. Bashkë me ta janë edhe pesë finalistët e seksionit "48 Go Green".

Fituesit u shpallën më 12 mars në Tower Theater në Majami. Filmi më i mirë u shpall "The Girl Is Mime" nga "Far From Home" i Londrës (me vlerë 3000 dollarë), ky film mori disa çmime, për regjinë, kamerën.

Në vjeshtë 2011, Tirana do t'iu bashkohet sërish kryeqyteteve të botës në prodhimin e filmave për të rinjtë në 48 orë. Robert Aliaj producent i 48HFP për Tiranën vazhdon të mbajë në këmbë aktivitetin me gjithë vështirësitë e edicionit të parë. Me qëllimin për të angazhuar të rinjtë në një punë me pasion, pa para e për të përcjellë problematikat shqiptare që sido që të jetë promovojnë Tiranën vetë. Dy filmat që ka prodhuar grupi "Albartist" shfaqen për publikun në ditët e festivalit të dytë të filmit 48-orësh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama