Durrsaket ndryshojne mendje minifaza do te behet ne Oher

Durrsakët ndryshojnë mendje, minifaza do të bëhet në Ohër

Është caktuar data dhe vendi ku ekipi i Teutës do të zhvillojë fazën përgatitore. Skuadra e drejtuar nga Ahmataj do të udhëtojë më 8 gusht drejt Ohrit, ku do të qëndrojë për rreth dhjetë ditë. Më parë ishte hedhur ideja e Bullgarisë, por drejtuesit kanë menduar që Ohri është zgjidhja më optimale për të vijuar me fazën përgatitore të ekipit.

teuta stervitje

Skuadra dhe dje është stërvitur nën urdhrat e trajnerit Ahmataj dhe ndihmësve të tij. Gjithashtu, me grupin Ahamataj po merr edhe lojtarë nga akademia të cilët po stërviten me ekipin e parë. Një strategji që klubi durrsak e ka ndjekur dhe sezonin e shkuar, ku për çdo seancë stërvitore grumbullonte dhe 3-4 lojtarë të rinj. Së bashku me organikën e Teutës po stërvitën edhe lojtarët e ardhur tashmë, pjesë e "Djemve të Detit". Ahmataj ka punuar pak dhe me skemat taktike duke qenë se nesër ai vihet përballë ish-trajnerit të durrsakëve, Magani, në ndeshjen që Teuta do të luajë me Flamurtarin.

Një ndeshje kjo që u jep mundësinë të provojnë lojtarët e ardhur të të dy ekipeve. Një test mes ish-trajnerit dhe ishlojtarëvë të cilët së bashku arritën të kapnin Europën. Ndërkohë që merkato vijon të jetë e nxehtë por ende nuk bëhen të ditur emrat edhe pse në "sitën" e Ahmatajt dhe drejtuesve të klubit, janë disa lojtarë që mund t'i bashkohen "Djemve të Detit" për sezonin e ardhshëm.

Jeton Rexhmati



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama