Duka Spanja e frikshme te fitojme me Izraelin

Duka: Spanja e frikshme, te fitojme me Izraelin

Me humbjen përballë Spanjës, u ndërpre ecuria pozitive e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit 2018. Megjithë gabimet në rastet e golave të pësuar, kuqezinjtë u duartrokitën nga tifozët dhe u mbështetën nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që menjëherë pas ndeshjes, shkoi të takonte skuadrën në dhomat e zhveshjes.

“U thashë që në futboll edhe humbet, ka gjithmonë një skuadër më të fort. Realisht ata ishin shumë të fort. Mendoj që skuadra bëri maksimumin. Edhe ndonjë gabim, në këto lloj ndeshjesh është normal”.

Kreu i futbollit në vend shfaqet realist për shanset që Shqipëria kishte për rezultat pozitiv përballë një prej skuadrave më të mëdha në nivel botëror, ndërsa komentoi edhe diskutimet nëse kuqezinjtë mund të kishin guxuar më tepër në fazën sulmuese.

“Përveç dëshirës, për të qenë i sinqertë, besim nuk kisha shumë. Janë skuadra më e fortë që kam parë ndonjëherë “live” në nivel përfaqësuesesh që ka luajtur në Shqipëri. Ka shumë mendime, ka nga ata që mendonin se ndoshta duhej të kishim luajtur në sulm për të bërë diçka më tepër, por mund ta kishim pësuar si Kosova”.

Me duelin me Spanjën të arkivuar, tashmë vëmendja do të jetë e gjitha të ndeshja e radhës, më 12 Nëntor, në shtëpi me Izraelin, një prej rivalëve direkt në Grupin G të kualifikueseve të Botërorit 2018.

“Lojtarët tanë janë profesionistë dhe e kuptojnë që jo gjithmonë fitohet dhe jo gjithmonë ka skuadra të cilat të japin mundësinë për të fituar. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Izraelin, që është mjaft e rëndësishme dhe një përballje e nivelit tonë, që na duhet të fitojmë dhe të vazhdojmë rrugën në këto kualifikuese. Mendoj që ndeshja jonë e vërtetë është ajo kundër Izraelit”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama