Drita Pelinku Vetem puna te mban te gjalle

Drita Pelinku: Vetem puna te mban te gjalle
Aktorja në skenën e Teatrit Kombëtar gjashtë muaj pas humbjes së të bijës. Regjisori Spiro Duni i propozoi te "Shtrigat e Salemit", një rol të vogël: Rebeka, një grua që përfundon në litar. "Tani them se bëra mirë që e pranova rolin." Është Rebeka Nërs që nuk beson djallin e megjithatë ekzekutohet në gjyqin e Salemit në një ditë vere, korrik 1692.

Është një rol i vogël me peshë të madhe, të cilën Arthur Miller, e nxori nga personazhet realë të dosjes gjyqësore të shtrigave të Salemit dhe e ngriti në një shkallë tjetër për të vërtetat që thotë kjo figurë. Gruaja ka jetuar vërtet në fshatin Salem, familja e saj jetonte aty shumë kohë përpara se të ndodhte tragjedia. Dhe familja e saj u godit më rëndë nga të gjitha nga kjo tragjedi. Motra Meri u akuzua dhe ekzekutua për magji.

Motra tjetër Sara edhe ajo u akuzua për magji. Ishte nënë e tetë fëmijëve, 71 vjeç kur shkoi në litar. Siç shihet, e fundit që mund të akuzohej për shtrigani. Për të thuhet: "Kjo zonjë e respektuar, bisedat dhe sjelljet e së cilës ishin si të një shenjtori, një model i sjelljes kristiane." Ky personazh luhet nga Drita Pelinku. Është një mikrorol që regjisori Spiro Duni, ia propozoi Pelinkut duke e nxjerrë disi nga ditët e zisë për humbjen e së bijës, Jaroshka, gjashtë muaj më parë.

Në shkurt 2009, kur interpretoi në monodramën "Rouz", ajo kishte deklaruar se po tërhiqej. Ishte te të tetëdhjetat.

"Vetëm puna të mban gjallë", thotë ajo dhe prandaj kjo bisedë u bë vetëm mbi punën e saj të fundit. Thuhet se njeriu njihet më mirë, shfaqet ai që është, në mënyrën si i bën ballë fatkeqësisë, humbjes së njerëzve të gjakut. Zonja del nga shtëpia disa herë në javë dhe ulet me trupën e aktorëve që po punojnë me veprën e Millerit. Së shpejti trupa punon në skenë. Janë kolegë dhe ish studentë të saj, aktorët Timo Flloko, Neritan Liçaj, Fatos Sela, Vasjan Lami, Elia Zaharia, Eni Jani etj..
Premiera e "Shtrigave të Salemit" (në origjinal "The Crucible") pritet javën e fundit të marsit.

Zonja Pelinku, si e pritët propozimin e regjisorit Spiro Duni, në rrethanat ku jeni ndodhur muaj e fundit?

Nuk mund të them se ngurrova kur ma propozuan rolin te "Shtrigat e Salemit". Por ditët e para edhe vija edhe shaja veten time. Nuk kisha gjumë, pyesja bëra mirë apo jo. Aty m'u përforcua mendimi se vetëm puna, vetëm puna të mban të gjallë. U ula, shkrova mendimet e mia, janë këtu të mbyllura. As vetë nuk dua t'i lexoj, kur të mos jem unë le t'i lexojnë.

Mendime për çfarë?

Janë mendimet e mia për këtë rol, a duhet ta merrja apo jo. Ishte ajo luftë që qëndronte brenda meje, doja t'ia shprehja dikujt. E mora rolin dhe më bëri shumë mirë. Në të vërtetë është një mikrorol. Regjisori, Spiro Duni, është ish-studenti im. Ka në trupë aktorë që gjithashtu i kam pasur studentë. Me Neritan Liçajn kam pasur një korrespondencë që e ruaj kur ai emigroi në vitet nëntëdhjetë në Itali. Me Timo Fllokon kemi qenë kolegë. Pata kënaqësinë që rashë në këtë grup.

Si është lënë profili i Rebeka Nërsit?

Në këtë gjullurdi, në këtë tifozllëk të shtrigave apo kundërshtrigave, personazhi im është një grua që e respektojnë të gjithë. Është një personazh konkret, emri i saj mbahet në gojë për mirë. Ajo dënohet ashtu siç dënohet personazhi i Timo Fllokos. Ka vetëm një mikroskenë në fund kur e ballafaqojnë dhe merr vesh se Xhon Proktor për të mbijetuar, ka pranuar djallin. Rebeka thotë: Zoti pastë mëshirë për ty. Ajo vetë nuk pranon djallin, nuk pranon që të mashtrojë. Por turma si gjithmonë joshet lehtë. Atëherë të dy këta i varin dhe është varja konkrete në skenë.
Është personazh i rëndësishëm, por nuk ka batuta.


Pra figura vetëm në fund do të ballafaqojë te publiku atë çka është thënë për të.

Po. Duhet patjetër ta njohësh mirë në ç'rrethana ndodhet kjo grua. Jam akoma në kërkim me punën e mbi këtë figurë. Rebeka Nërs e di që djall nuk ka edhe ajo ironizon, i tall ato gra që besojnë të kundërtën. Siç thashë, jam në kërkim të punës. Të tjerët janë në role që t'i mbajnë mend.


Hera e parë që punoni me Spiro Dunin, si janë marrëdhëniet mes jush, aktor-regjisor?

Spiro Dunin e kam pasur student. Ka luajtur me mua në Akademinë e Arteve. Pastaj ai studioi regjisurë teatri.

E kam ndjekur më parë dhe po më pëlqen mënyra si punon.

Ka një farë kohe që unë mendoja se nuk është më ai teatër që ka qenë në kohën time. Në kuptimin e punës, në drejtimin e seriozitetit, e përgjegjësisë, që të japin të gjitha forcat. Në të vërtetë, ka pasur shkarje sepse dhe teatri ashtu si gjithë shoqëria jonë nuk mund të qëndrojë i shkëputur nga rrethanat. Dhe këtu, për çudi, që janë shumë aktorë, unë shoh një disiplinë absolute. Në 10.30 janë të gjithë me gojë mbyllur që presin çfarë do të bëjnë sot. Edhe ai që ka një mikrorol dhe ai që ka rol kryesor duan të gjithë të japin maksimumin.

Është një kohë normale pune për ju?

Ajo që më pëlqen në një mjedis pune është fryma kritike. Unë vërejtjet i kam kërkuar gjithë jetën time. Nuk më ka pëlqyer kur njerëzit thonë shumë mirë. Unë dua të di sa jam në prova, që t'i ndreq gabimet. E kam pasur zakon të mbaj shënim vërejtjet, mezi prisja të flisnin mbi rolin tim që t'i ndreqja. Ia kam kërkuar edhe Spiros këtë gjë. Ai m'i thotë vërejtjet por me delikatesë, pak mos më fyejë, pak duke kujtuar se te kolektivi do më rrisë prestigjin, por kemi punuar që figura të vijë e ndërgjegjshme për përmasën që ka marrë kjo kryqëzatë shtrigash që po e ndjek një turmë e tërë. Spiro më vuri të mendojë. E shoh që e ka dramën në dorë.

Fiction mbi një histori të vërtetë

"Shtrigat e Salemit" u vu në skenë premierë në Broduej më 1953 si vepër alegori për çfarë po ndodhte ato kohë në Amerikë dhe viktimë e të cilës ishte vetë Milleri. Një vepër që e studion shoqërinë e cila është vënë rresht nga histeria në masë. Miller e shkroi veprën si një parabolë për kryqëzatën e Senatorit Jozef Mekkarti kundër simpatizantëve komunistë. Vepra nuk ka të bëjë thjesht me një periudhë të caktuar. Lënda e saj gjen paralele me peizazhin e politikës moderne. Pavarësisht kriticizmit të qartë politik në vepër, shumë kritikë bien dakord që "The Crucible" ishte "një dramë e vetëpërmbajtur për periudhën e tmerrshme në historinë e Amerikës".

"Drama nuk është një reportazh", kishte thënë Miller me rastin e vënies në skenë të veprës. "Askush s'mund të shkruajë tragjedi me shpresën se po e bën pastaj reportazh. Unë kam shkruar një histori fiction për një temë të rëndësishme." Ngjarjet e dramës janë bazuar në ato që ndodhën më 1692 në Salem, Masaçusets. Shumë nga akuzat për shtrigani në vepër janë nxjerrë nga çështja e Xhon Proktorit dhe Abigejl Uiliams.

Prodhimi fitoi më 1953 "Drama më e mirë" e Tony Aëard. Dhe një vit më vonë, ishte bërë një vepër klasike amerikane. U përshtat për opera më 1961, dhe mori Pulitzer Prize. Më 1993 Miller e përshati për film që u realizua më 1996 dhe nuk u prit mirë nga kritika. Miller pat thënë: "Fshati Salem, ai vend besimtar dhe i devotshëm në kohën e qytetërimit të bardhë, kishte shpalosur - tre shekuj para rivalitetit ruso-amerikan - atë që mund të quhet vetëm strehë e murtajës në mendjen njerëzore."

Si funksiononte Mekartizmi

Histeria e masës: njihet histeria e Hitlerit që shkaktoi holokausti, histeria që dënoi Jezusin. Por njerëzit nuk nxjerrin mësime prej së kaluarës.

Senatori Joseph McCarthy ndezi histeri në Amerikën e viteve 1950. Çështja e tij ishte komunizmi, frika që bart vendosja e një sistemi që kontrollohet nga diktatorë dhe qeveri totalitare - kujtojmë Kinën, Kubën, Korenë e Veriut. Frika e parë e komunizmit kishte ardhur qysh prej Luftës së Parë Botërore kur Rusia po drejtohej nga një qeverie e re, rrjedhojë e Revolucionit Bolshevik më 1917 dhe diktatori Lenin masakroi 9 milionë rusë që i bënë rezistencë ideve të tij. Kjo i shqetësoi amerikanët dhe për të ndaluar përhapjen e komunizmit SHBA forcoi Spiunazhin. The First Red Scare ishte shumë e egër me anë të saj qeveria amerikane identifikonte dhe sulmonte komunistët e dyshuar.

Në vitin 1946 McCarthy hyri në Senat. Frika në rritje ndaj komunizmit e bëri Mc Carthyn vigjilent. Në vitin 1950 kishte hyrë në skenën e politikës kombëtare. Ai nisi punën të ndjekë penalisht ata që i jepnin informacion sekret qeverive komuniste. Histerisë që përhapi fjalimi i McCarthyt për frikën nga komunizmi i kishin prirë disa ngjarje të rëndësihme. Kina drejtohej nga Mao Ce Duni. Bashkimi Sovjetik kishte shpërthyer bombën atomike më 1949. Atëherë nis ajo që njihet si "gjuetia e shtrigave", për çrrënjosjen dhe persekutimin e komunistëve dhe simpatizantëve duke përdorur teknika kundërshtuese dhe duke bërë akuza të pabazuara në prova.

Julius dhe Ethel Rosenberg, komunistë të njohur, ishin të vetmit qytetarë amerikanë që u ekzekutuan për spiunazh dhe nxjerrje të sekretit te sovjetikët.
Arthur Miller e shkroi pikërisht në këë kulm tensionesh, dramën e tij "Shtrgat e Salemit", 1953. Në 1954 popullariteti i McCarthyt po binte dhe Presidenti Eisenhoëer dhe Senati vendosën të veprojnë. Rezlttai ishte që ai kishte abuzuar me të drejtat e dhe liritë e individit ndaj shumë njerëzve të pafajshëm po edhe ndaj të fajshmëve. Vdiq më 1957, nga hepatiti akut si rezultat i abuzimit me alkolin. Ai kujtohet si kryqtar i komunizmit në Amerikë, i dhunshëm për të marrë informacionet që donte.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama