Donadoni Fajin e ka skuadra jo zgjedhjet e mia
- Botuar: 19 vite më parë
- Shkruar nga:
Mirëpo, pavarësisht kësaj humbjeje, tekniku i kampionëve të botës tregohet hipokrit, duke ia adresuar tërë fajin skuadrës, pra lojtarëve që kanë zbritur në fushë si rezultat i zgjedhjeve të tij. “Nuk ishte në planet tona të koleksiononim një humbje të tillë. Sigurisht që trishtimi pas një ndeshjeje të tillë është shumë i madh, duke filluar nga lojtarët, e duke vazhduar me mua. Edhe mund të jetë dukur si një ndeshje e dominuar nga holandezët, ju siguroj se nuk ka qenë kështu. Kemi pësuar dy gola, të cilët mund të ishin shmangur më së miri. E nisëm takimin mjaft mirë, por më pas gabuam me agresivitetin që lojtarët kërkuan të shfaqnin që në minutat e para. Pas pësimit të golave u përpoqëm të rikuperojmë, por kjo e shtyu skuadrën të gabonte përsëri, - shprehet Donadoni në intervistën e ditës së djeshme. – Të humbasësh që në përballjen e parë me rezultatin 3-0 nuk është diçka fort motivuese për sfidat që na presin, megjithatë ne vazhdojmë të jemi në lojë për të kaluar në turin e ardhshëm”.
Media italiane është treguar e ashpër me kreun e pankinës, Donadonin, për zgjedhjet e tij. I pyetur mbi vonesën e zbritjes në fushë të Del Pieros e Kasanos, të cilët i dhanë një tjetër ritëm të kaltërve, tekniku është përgjigjur: “Kur vendoset që të bëhen zëvendësime, kjo bëhet në mënyrë që rrjedha e lojës të ndryshojë për mirë, ashtu siç mendohet edhe për skuadrën që hidhet fillimisht në fushë”. Mbase me këtë, Donadoni ka dashur të thotë se kundër rumunëve, të premten, do të ketë risi në formacionin e tij titullar. “Kemi kohë për të menduar deri atëherë. Tani duhet të vazhdojmë stërvitjen intensive. Del Piero, Kasano e De Rosi? Moshedhja në fushë e tyre ka qenë zgjedhja ime, por ndoshta në sfidën e ardhshme mund të jenë rregullisht në fushë. Del Piero e Kasano sigurisht që i dhanë një ritëm tjetër lojës kundër ‘tulipanëve’, por ka kohë për të menduar për këtë. Më bën shumë optimist edhe barazimi ndërmjet Francës e Rumanisë, kështu që nuk ka marrë fund akoma”, ka thënë tekniku i kombëtares italiane, Roberto Donadoni.