Dinamo historia e nje legjende drejt nje renieje te paralajmeruar

Dinamo, historia e nje legjende drejt nje renieje te paralajmeruar
Tashmë, asgjë nuk mund të kthehet mbrapsht, Dinamo ka prekur fundin më të thellë në gjithë historinë e saj 62-vjeçare. Sezonin e ardhshëm, blutë do të jenë të detyruar të provojnë për herë të parë të luajnë në kategorinë inferiore. Por fundi i dhimbshëm, sigurisht nuk ishte një rastësi. Paralajmërimi kishte ardhur me kohë, madje që pa nisur sezoni. Skuadra kryeqytetase e nisi kampionatin pa asnjë mbështetje financiare. Ajo u grumbullua vetëm një javë para fillimit të kampionatit, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Superiore. Ish-trajneri i saj, Faruk Sejdini, e mori drejtimin e skuadrës pa asnjë mbështetje, ku ekipi mezi u grumbullua. Sikur të mos mjaftonin këto probleme, UEFA i hoqi Dinamos dhe tri pikë nga renditja në kampionat. Pikët minus ishin një tjetër goditje në fillimin e kampionatit.

Pas largimit të Sejdinit, drejtimin e skuadrës e mori Artan Mergjyshi, i cili u përball me problemet e shumta që fatkeqësisht e kanë dërguar Dinamon aty ku ajo ndoshta nuk e meriton për hir të historisë, por ngushëllim, tani, duhet të jetë fakti se një tjetër emër i madh i futbollit shqiptar, Partizani, e ka pësuar edhe më keq. Duhet thënë se Mergjyshi, pavarësisht problemeve, u mundua t’i jepte një fytyrë tjetër Dinamos në lojë dhe rezultate. Megjithatë as kjo nuk mjaftoi për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar.

Dinamos nuk i ka mjaftuar përkushtimi i lojtarëve dhe të trajnerit për të shpëtuar nga pozitat jo komode në klasifikim. Dinamo vuajti pasojat e braktisjes, e cila ndodhi që në fillim të kampionatit. “Dinamo do të kishte renditje tjetër sot, nëse do të kishte mbështetjen e duhur financiare që në fillim dhe nëse nuk do të ishte dëmtuar dhe nga arbitrat”, kanë qenë fjalët e fundit të Mergjyshit në Superiore. “Ne kemi pasur probleme që në fillim të kampionatit. Por megjithatë ishim një skuadër që luftuam të vetëm kundër të gjithëve dhe besuam deri në fund. Sinqerisht më vjen keq që nuk arritëm ta shpëtonim Dinamon.

Kategoria e Parë ku do të luajmë vitin tjetër është një kampionat i vështirë, sidoqoftë është ende shpejt për të folur”, ka deklaruar Mergjyshi. Skuadra e themeluar më 30 dhjetor 1950, si një përkatësi e Ministrisë së Brendshme dhe që në periudhën 1995-1997 u quajt Olimpik Tirana. Dinamo ka fituar 18 tituj kampionë (1950, 1951, 1952, 1953, 1955, 1956, 1960, 1966–‘67, 1972–‘73, 1974–‘75, 1975–‘76, 1976–‘77, 1979–‘80, 1985–‘86, 1989–‘90, 2001–‘02, 2007–‘08 dhe 2009–‘10), 13 Kupa të Shqipërisë (1950, 1951, 1952, 1953, 1954, 1960, 1971, 1974, 1978, 1982, 1989, 1990 dhe 2003) dhe 2 Superkupa të Shqipërisë (1989 dhe 2008), tashmë i është dorëzuar një fati të dhimbshëm pas thuajse 62 vitesh histori të shkruar me shumë merita në majën e futbollit shqiptar. Mungesa e saj do të ndihet po aq sa ajo e Partizanit. Por skuadrat në fjalë duket se do t’i japin peshë sezonin e ardhshëm Kategorisë së Parë, pasi vetëm atje do të mund të gjejmë një derbi të vërtetë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama