Diktatura shqiptare nje skenar per ne Hollivud

Diktatura shqiptare, nje skenar per ne Hollivud
Me një trup të gjatë, sy bojëqiell, flokë kaçurrela, tip bruni, këto janë tiparet karakteristike të një mesdhetari por, dhe të aktorit shqiptar me banim në Los Anxhelos, Kastriot Hasa, i cili ka tërhequr vëmendjen e regjisorëve të huaj duke i besuar hera herës role të veçanta. Vetëm para pak muajsh, artisti shqiptarë u kthye në Tiranë,  ku konkuroi për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit e ku aty mundi të rrëmbejë një çmim prestigjioz, si ai i filmit më të mirë shqiptarë. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega aktrim dhe pasi studioi për regjisurë në SHBA, ai u rikthye në rolin e regjisorit, me filmin e tij të parë “Home” (shtëpia).

Një emocion ndryshe nga ai i marrë edhe pse në festivalet prestigjioze të zhvilluara në vendet përtej oqeanit. Aktualisht aktori dhe regjisori Hasa, është duke përgatitur një surprizë tjetër për artëdashësit shqiptarë. Projekti i tij më i fundit i takon sërisht realizimit të një filmi me metrazh të gjatë ku në role kryesore do të interpretojnë aktorë shqiptarë: “Aktualisht jam duke përfunduar skenarin e filmit tim më të ri, dhe në të njëjtën kohë kam gjetur mbështetje nga një studio këtu në Hollivud si dhe jam duke kërkuar partnerë të tjerë”, pohon Hasa, e ndërsa ky film do të kërkojë dhe mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Filmit në Tiranë, pasi regjisori pritet të udhëtojë drejt vendit të tij të lindjes. Ky film pritet të ketë në fokus vitet e diktaturës, ku trajtohet dashuria, ndarja, internimi apo serevilizmi i atyre viteve.

Hasa është ndër të paktët aktorë shqiptarë i cili po prek Hollivudin, duke bashkpunuar me emra të ndryshëm aktorësh dhe regjisorësh prestigjiozë, por dhe në serialet televizive të njohura amerikane. “Cmimi “Best Albania Movie”, (filmi më i mirë shqiptarë), ishte me të vërtet një moment tepër i rëndësishëm në karrierën time artistike, pasi jo vetëm, ishte filmi im i parë si regjisor por edhe si skenarist, producent, kompozitor dhe së fundmi montazhier. Është kënaqësi e veçantë të pranohesh dhe vlersohesh nga vendi yt. Është një rilidhje që bën me veten, pjesën e mbetur mbrapa, dhe më beso, është një ndjenjë tepër e fuqishme dhe fisnike, njësoj sikur je lidhur me prindërit pas shumë vitesh ndarje. Patjetër që ka ndihmuar shumë në eksperiencën time, fakti i të ndodhur pranë regjisorëve apo aktorëve të njohur, si Leonardo DiCaprio, Jon C. Reilly, por dhe kam patur fatin të vëzhgoj nga afër proçesin e punës të Martin Scorsese”, pohon Hasa, i cili nuk mohon dhe suportin financiar, i cili i ka munguar duke e detyruar që herë pas here të punoj jo në profesionin e tij, pse jo, dhe duke sakrifikuar në kontinentin e largët.

Më parë se filmi i tij të mbërrinte në Tiranë kishte udhëtuar dhe ishte vlerësuar në vende të ndryshme, si USA, Kanada dhe Meksikë.

Sipas tij, Hollivud është shumë emër i madh, për një artist që dëshiron të bëhet pjesë e tij. “Nuk është e nevojshme të jesh afër Hollivudit si qytet që të bëhesh pjesë e tij, pasi Hollivud-i është koncept krijues dhe komercial më shumë sesa vend fizik. Hollivudin mund ta prekësh dhe nga jashtë tij, pasi një pjesë e madhe e filmave të tij po xhirohen jashtë Amerikës, meqënëse kushton më pak. Personalisht ndjehem shumë mirë që jam afër studiove të Hollivudit dhe në kontakt të menjëhershëm me të rejat në kinematografi por dhe në kontakt fizik me emra të njohur të kësaj fushe. Por ajo ç’ka  do të ishte më e rëndësishme për mua është të qenurit pranë një mentaliteti krijues që asnje universitet nuk mund ta mësojë”.

E si për të gjithë artistët dhe për të nuk ka qenë e lehtë. Aktorit fillimisht i është dashur të vendosej në një vend të largët dhe të huaj. Ndërkohë që i është dashur të punojë në restorant si kamarjer, profesioni më i “preferuar” i artistëve në kërkim të fatit, pasi sipas tij të jep shumë fleksibilitet për tu shkëputur dhe kryer takime apo audicione. Fillimisht ka interpretuar një rol në teatër e ndërsa pas dy vjetësh mundi të bënte rolin e parë në filmin: “Out of Touch”, më pas në filmin “A Father Taken”, dhe “Soldier of God”, dhe vetëm pas tre vitesh, pas dy konkurimeve tepër të vështira, ka mundur të fitojë një rol në telekomedinë, e njohur:|” What i Like About You” prodhuar në studiot e Warner Bross, rol i cili dhe e ka bërë pjesë të Unionit të Aktorëve (SAG) si anëtarë i tij.

Sigurisht, si aktor ka patur bashkëpunime në disa projekte të Hollivudit, si filma televizive apo kinematografik. Kam patur mundësine të jetë edhe afër aktorëve apo regjisorëve me emër, si regjisori Martin Scorsese dhe aktoret Jeff Bridges, Leonardo DiCaprio, Chris O’Donnell, etj. “Nuk dua të zgjatem me ngjarje për këta se i njeh e gjithë bota, por dua të theksoj se nëse ndodhesh, siç jam ndodhur unë, në një shesh xhirimi dhe nuk i njeh si fytyrë, do mendosh se janë parkuesit e makinave dhe jo këta superstarë. Nevoja e tyre për tu impostuar (dukur) në sy të të tjerëve është “zero”. Dhe prandaj mendoj se ata janë këtu ku janë, se vetëm krijojnë nuk “kontrollojnë veten”, e ndërsa ai vijon rrugën e tij, motoja që e shoqëron është “Don’t waist your life, do something with it”! (Mos e ço jetën dëm, shfrytezoje për diçka)!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama