Dialog me nje artist te avangardes

Dialog me nje artist te avangardes
Krzysztof Zanussi nderohet në Festivalin e Durrësit me "Gladiatorin e Artë" për kontributin që i ka dhënë kinemasë ndërkombëtare. Shfaqet filmi i tij i fundit "Revisited" që i prezanton publikut një vizionar të kinemasë së Evropës Lindore.

Nga një Lindje e egër te një Lindje e butë. Kësaj forme të rishikimit të hartës kinematografike të Lindjes së Evropës, si akt njohjeje, i është dhënë kohë dhe vend më vete në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës, 29 gusht-4shtator. Festivali shpalli vitin e kaluar "Çmimin për arritje në karrierë", çmim që i jepet një regjisori me kontribut në kinemanë botërore. Artistit i jepet një simbol i qytetit, "Gladiatori i Artë". Në këtë mënyrë festivali konfirmon një vlerë që i takon kulturës ndërkombëtare, por duke u nisur nga disa kritere të vetat. U pa e udhës që, në fillim, më 2009, të vlerësohej një regjisor shqiptar, Dhimitër Anagnosti.

Këtë vit, në edicionin e tretë, nderohet më 4 shtator, në ceremoninë e natës së çmimeve, në amfiteatrin e lashtë romak në Durrës, një regjisor i rëndësishëm i kinemasë polake dhe Evropës Lindore. Ai është Krzysztof Zanussi (1939), i quajtur një nga kineastët më brilant të "brezit të tretë", grup në të cilin bëjnë pjesë regjisorë polakë që kanë hyrë në historinë e kinemasë botërore si Andrzej Wajda, Krzysztof Kieslowski apo Andrzej Munk. Këta nuk e jetuan tragjedinë polake të Luftës në Dytë Botërore. Kinemaja e Krzysztof Zanussi-t u ngjiz në periudhën e tranzicionit të pasluftës, kur Polonia "jetonte ndërmjet fantazmave të stalinizmit dhe premisave të liberalizmit ekonomik".

Zanussi studioi Fizikë në Varshavë dhe Filozofi në Krakov, përpara se të hynte në Shkollën e Filmit në Lodz, pranë kineastit Andrzej Munk. Filmat e parë i bëri në rrethin e amatorëve të filmit në Universitetin e Varshavës kur studionte fizikë, në vitet 50'. Krijimtaria e tij zë fill më 1966, sepse etydi studentor, "Vdekja e në provinciali", puna e diplomës, fitoi disa çmime.

Tre vjet më pas, "Struktura prej kristali", filmi i parë i gjatë, u përshëndet nga kritika dhe u vlerësua me çmime në disa festivale në Poloni, Argjentinë, Spanjë dhe Panama. Lidhjen që ekziston midis titullit të këtij filmi dhe studimeve të tij për fizikë e gjen edhe në veprat e mëpasshme: "Ndriçimi" 1973 (Leopardi i Artë në Festivalin e Lokarnos) "Konstantja" (1980, Çmimi i Jurisë në Festivalin e Kanës).

Jeta në kinemanë e tij vërtitet në një komunitet akademik dhe aty merr shkas të trajtojë çështje intelektuale dhe etike. Ai u rrit si artist në kohën kur kineastë, bashkëkohës të tij, përplaseshin me autoritetet komuniste. Në këtë drejtim ai dallonte, për shembull nga Andrej Wajda tek i cili përmbajtja politike ishte më e hapur.

Ka filma si "Maskimi" (1976) që i përkasin të quajturës "kinemaja e problemeve morale" dhe Zanussi është shumë i lidhur me këtë kinema.

Ai është krijues total i veprës së tij. Të gjithë filmat që ka realizuar gjatë një gjysmë shekulli, janë nga skenarët origjinalë shkruar prej vetë atij. Kështu: "Viti i diellit të fshehtë" (1984, Luani i Artë në Festivalin e Venecias), "Pushteti i djallit" (1985), "Kudo ku të jesh" (1988), "Bisedë e gjatë me një zog" (1990), "Jeta për një jetë" (1991), "Prekja e heshtur" (1992), "Vëllai i Zotit tonë" (1997), "Jeta është një sëmundje fatale seksualisht e transmetueshme" (2000) fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, "Shtojca" (2002), "Persona non grata" (2005), "Zemër e dashur" (2008).

Personazhet e tij përfshihen në ngjarje që ngrenë pikëpyetje për jetën e njeriut, sepse temë e preferuar është marrëdhënia e jetës me vdekjen, bindja totale që individi ka ndaj destinit. Kështu kinema e tij i imponon spektatorit refleksionin, angazhimin, ndërsa kritikës, debatin filozofik e shkencor kapur te një realitet human. Shtoji kësaj "imagjinatën e guximshme". Këto ka vlerësuar kritika në veprën e Krzysztof Zanussi-t, karakteristika që e vendosin kinemanë e tij në pararojë të Kinemasë së Evropës Lindore të viteve '70-'80 të shekullit të kaluar.

Pas rënies së regjimit komunist është vënë re që kinemaja e tij i humbet ato cilësi që e bënin të veçantë, ndërsa reputacioni i Zanussi-t nuk është më në nivelin e dikurshëm, ngaqë vitet e fundit nuk gjen te krijimtaria e tij "madhështinë dhe thellësinë e veprave të hershme". Emri i tij është përfshirë disa herë edhe në diskutimet që ka pasur në vendin e tij për raportin e intelektualit me Shërbimet Sekrete, megjithatë në asnjë rast nuk është provuar që regjisori të jetë përfshirë në një bashkëpunim.

Për të gjitha këto, Anila Varfi, drejtorja e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës, mendon se vlen të nderohet edhe në Shqipëri personaliteti i këtij artisti. Ai ka çfarë t'u thotë të rinjve këtu po edhe bashkëkohësve shqiptarë. Vjen më 3 shtator në mëngjes dhe merr pjesë në projeksionin filmit të tij të fundit "Revisited" (2009) i cili i prezanton publikun një vizion të hollë kinematografik.

Varfi ka zgjedhur pikërisht këtë vepër jo vetëm se është më reja e reja e karrierës së tij 50- vjeçare, po edhe pse është një vepër palimpset, ku rimerren elementë të punëve të mëparshme, vepër që rri ndërmjet dokumentarit dhe fictionit. Vetë titulli tregon vizitën që regjisori iu bën karaktereve dhe aktorëve me të cilët ka bashkëpunuar dikur.

Interpretojnë Marek Kudełko, Maja Komorowska, Zbigniew Zapasiewicz, Jan Nowicki, Daniel Olbrychski etj., të cilësuar "aktorë të shkëlqyer". Shpesh ka ndodhur që aktorët janë vlerësuar po aq me çmime sa dhe filma e tij. Te "Revisited", Zanussi shtron pyetjet: ç'do të thotë t'i japësh jetë në film një personazhi? çfarë ndodh me të pasi filmi është kryer? Për t'i dhënë një përgjigje kësaj, merr personazhin e filmit "Një zemër e dashur" dhe e shpie të intervistojë aktorët e mëdhenj polakë Zapasiewicz, Zajlczkowska apo Olbrychski, po edhe personazhe të filmave të tij "Jetë familjare", "Maskimi", "Konstantja". Këtu i jep më tepër rëndësi dialogut se sa imazhit. Rezultati? Një eksperiment filmik ku klasikët e tij bëjnë jetë të re në një film bashkëkohor.

Këto janë temë për diskutim në takimin e regjisorit në Durrës. Ai do të bëjë një bisedë për vizionin e disa prej veprave të tij më të spikatura. Krzysztof Zanussi drejton Studion e Filmit "TOR" prej vitit 1979, kohë kur lëvizi dhe punoi shumë nëpër Evropë edhe si regjisor opere, si pedagog në shkolla filmi. Është president i Federatës Evropiane të Shoqatave Kombëtare për Televizionin dhe Kinemanë. Jep mësim në shkollën e kinemasë në Lodz ku ka qenë nxënës dikur.

Është vlerësuar me çmimet e karrierës: Career Award nga Flaiano International Prizes, Itali, World Cinematography Award nga Kritika Çeke, European David Award, Special Award nga Qendra e Kritikës së filmit në Nju Jork dhe Golden Hugo në Çikago. Ka shkruar "Kohë për të vdekur", kujtime, refleksione, shënime udhëtimi nga takimet me protagonistë të kulturës dhe politikës ndërkombëtare. Një vepër ku përshkruan edhe ndryshimin e një epoke, pikëpyetjet që u ngritën për jetën, kinemanë, besimin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama