Dervishi Ja e verteta e dhunes ndaj meje ne derbi

Dervishi: Ja e vërteta e dhunës ndaj meje në derbi

Drejtori i Përgjiths hëm i Partizanit, Dritan Dervishi, ka dalë dje para mediave ku ka sqaruar incidentin që i ndodhi pas derbit. Në fjalën e tij, përpos akuzave për organizatorët, pohoi se ka bërë edhe kallëzim penal për personat përgjegjës.

dervishiMë pas Dervishi iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ku ka dhënë sqarime të mëtejshme për incidentin, si dhe situata të tjera që lidhen me sezonin aktual.

Fillimisht Dervishi sqaroi incidentin:

Sqarimi

"Do të doja shumë të flisja për një ndeshje futbolli, një përballje të bukur e të mrekullueshme që e pamë të gjithë, plot me emocione, me dy tifozëri brenda korrektësisë, sepse asgjë nuk është perfekte. Nuk dua të dëgjoj se tifozëritë janë problemi.

Problemet në Shqipëri, me sa kam kuptuar, vijnë nga tribunat VIP, nga njerëz që hyjnë pa bileta, që çdo fjalë apo përplasje verbale mundohen ta zgjidhin si në shekullin e kaluar, me të rrahura apo dhunë fizike, duke goditur pas shpine si tinëzarë drejtuesit e klubeve të tjera.

Kjo gjë po të kishte ndodhur në vitin 1997, apo në ndonjë qytet të vogël, do të ishte më se normale. Nëse do të kishte ndodhur në Laç, sot e gjithë Shqipëria do të ngrihej në këmbë kundër tyre. Ne kemi shkuar edhe në qytete të vogla, në Laç, Ballsh etj., përveç ekipit të parë edhe me ekipin B, por kurrë nuk jemi dhunuar si drejtues. Mund të ketë pasur sharje apo diçka tjetër, gjëra normale.

Por kjo që ndodhi këtu është një turp. Me vjen keq kur lexoj edhe shtypin e sotëm ku thuhet se 'një përplasje'. Unë nuk kam goditur asnjë, kam qenë 40 metra larg, duke folur me 2 gazetarë dhe me shefin e policisë. Nga distanca pashë një konfrontim mes 2 punonjësve të klubit tonë, me disa tifozë dhe drejtues të Tiranës që kishin edhe "bexhat" në qafë, për një banderolë.

Shkoj atje, në atë moment vjen edhe Iliri Daja. Mundohemi, ndonëse edhe Daja ishte i nxehur në atë moment, që të ndanim Devi Mukën dhe drejtues të tjerë të Tiranës që godisnin drejtuesin tonë të klubit. Qetësohet gjendja, marr Devi Mukën nga një krah dhe i them, lëre, u mbyll ky muhabet.

Ai qetësohet, në ato momente e mori edhe policia, dhe unë kthehem dhe nisem drejt dhomave të zhveshjes. Në ato momente dalim 5-6 veta që ishin me presidentin Refik Halili, duke thënë se isha unë provokatori. Unë u them, pse jam provokatori? Më shau shoferi i Halitit dhe disa persona që ishin pas tij, të gjithë zbritën nga tribuna VIP. Kthehem dhe afrohem te shefi i garave, Lysien Nurishmi, për të biseduar.

Por në këtë moment goditem pabesisht nga nipi i presidentit Halili. Unë për këtë veprim kam bërë kallëzim penal në Komisariatin Nr.2 dhe kam besim te ligji dhe Policia. Megjithëse pas ndeshjes policia bëri sehir dhe ata duhet të ndihen fajtorë për atë që ndodhi, pasi vetëm policin nuk bënë në ato momente", u shpreh drejtori, i cili më pas iu përgjigj pyetjeve.

Si e komentoni thënien e presidentit Halili: "O Tan, ti duhesh lidh për qafe i pari", e cila qarkullon në videot e hedhura online?

Ndoshta presidenti e ka karikuar, por unë nuk e kam dëgjuar këtë. Ai më tha se ti je provokator, ju na keni sulmuar si klub. Këta njerëz harrojnë se futbolli është përplasje nëpërmjet mediave që është respekt për klubin që ti punon, pasi unë mbroj interesat e Partizanit. S'kam sulmuar asnjëherë person dhe asnjë tifozëri. Edhe në derbi nuk kemi pasur asnjë problem me tifozët e Tiranës.

Ne e kemi pasur problemin se jemi dhunuar nga drejtuesit e klubit të Tiranës, jo nga tifozët e tij. Në tribunë, kur kam qenë, ka pasur sharje në distancë dhe nuk kam sharë asnjë. Te tribuna e Tiranës kam qetësuar lojtarët e mi.

Më vjen keq që atë zhgënjim sportiv që ata kanë në këtë vit, e kaluan tek unë privatisht në atë mënyrë çnjerëzore.

Mund të na shpjegoni edhe incidentin me drejtorin e stadiumit?

Drejtorit të stadiumit i ra një flakadanë afër. Ai e mori dhe e hodhi drejt tifozëve tanë, ku goditi edhe një djalë. Unë shkova për të qetësuar tifozët e Partizanit, jo për t'u përleshur me atë. Kjo pasi tifozët tanë filluan të hidhnin disa sende dhe u qetësuan. Isha me shefin e Policisë, kaq. Ajo ishte një shkëndijë, por e keqja nuk erdhi nga tifozët e Tiranës dhe Partizanit. E keqja erdhi nga drejtuesit, njerëzit që hyjnë në tribunë pa biletë, dhe nga provokatorë të tjerë që janë të dënuar dhe s'duhet që të rrinë fare në fushë dhe tribuna.

A mendoni se ka qenë e parapërgatitur që situata të degradonte, pasi kanë qarkulluar zëra edhe për ndërprerje të takimit nga tifozët?

Nuk e mendoj. Nuk besoj se diçka e tillë ka qenë e parapërgatitur dhe se tifozët e Tiranës kanë dashur të ndërprisnin ndeshjen. Mendoj se dhuna ndaj meje ka qenë e papërgatitur.

A keni emra konkretë, pasi po flisni për drejtues?

Në sulm unë pashë Devi Mukën, që sulmoi punëtorin tonë. Pashë disa me "bexha", që unë nuk i njoh. Pastaj më erdhi shoferi i Rit Halilit (presidenti i Tiranës) dhe një tjetër që e nxiti konfliktin, por nuk goditi, Arbi Laçi. Ai vetëm shante.

Ju thatë se ishin persona të paautorizuar në ambientet e stadiumit. A folët me policinë për t'i hequr?

Nuk jam përgjegjësi i organizimit të kësaj ndeshjeje. Jam përgjegjës i grupit tim, Partizanit. Para ndeshjes fola me delegatin Lysien Nurishmi dhe morëm të gjitha masat. Gjithçka po shkonte vaj.

Çfarë kërkoni nga FSHFja për këtë ndeshje?

Ne do të kërkojmë nga FSHF-ja zbatimin e ligjit deri në detaje. Të gjitha nenet që kanë lidhje me situatën. Besoj se pamjet filmike janë marrë nga Komisioni i Disiplinës dhe presim që ky të jetë një dënim shembull, dhe të gjithë ta marrin vesh që në Shqipëri nuk ka më vend dhuna, por futbolli. U bë një 90-minutësh shumë i bukur dhe me emocione, ku futbolli shqiptar doli lart.

A e kërkoni trepikëshin në tavolinë?

Ne kemi zyrën juridike që do të merret me këtë punë. Nuk merrem unë, nuk jam i fushës.

Mos ndoshta po paguani faturën, pasi së fundmi keni qenë kritikuesi më i madh i rregullave të lojës?

Në qoftë se unë dua të fus një frymë pak të re, nuk është gabimi im që të tjerët nuk më kuptojnë. Vazhdoj punën time te Partizani. Nëse të tjerëve u vjen keq që ne punojmë mirë, jemi të organizuar shumë mirë dhe na kanë zili, nuk është faji ynë. Ata e treguan edhe një herë se nuk e meritojnë të jenë drejtues të atij klubi të madh të Shqipërisë. Janë turp i futbollit shqiptar!

Në dijeninë tuaj, drejtori Shehri është i pezulluar?

Ishte në çdo sektor të stadiumit, ndoshta është falur, nuk e di!

Ditmar Bicaj është problemi më i ri i Partizanit. Ai ka deklaruar se nuk e meriton stolin. Ju si e komentoni këtë rast?

Bicaj kur të bëhet trajner do të vendosë formacionin. Te ne formacionin e vendos trajneri. Më vjen keq shumë për Ditmar Bicajn se është një djalë shumë i mirë dhe e ka thënë nga nervozizmi. Më vjen keq se ka treguar mungesë respekti jo ndaj meje, as trajnerit, por ka treguar mungesë respekti ndaj shokëve të tij. Kaq. Pastaj problemet e tjera i zgjidhim vetë me Bicajn.

Do të ketë masa ndaj tij?

Jo, jo. Do ta zgjidhim në mes njëri-tjetrit. Nuk është momenti që ne të marrim masa për të bërë kështu veprimesh. Kemi 3 javë dhe nuk duhet të zhgënjejmë tifozët. Do të luftojmë deri në sekondën e fundit për të dalë kampionë, se e meritojmë. Ne jemi kampionë në fushë.

Si e komentoni ndeshjen e fundit mes Skënderbeut dhe Laçit?

Është një ndeshje si disa të tjera në kampionatin shqiptar. Skuadra që udhëton dhe ndihet e qetë, s'ka impenjimin maksimal. Nuk ke çfarë polemikash të bësh për atë takim. Secili duhet të shohë ekipin e vet.

Dy-tri ditë përpara derbit keni thënë se FSHF-ja duhet të ushtrojë autoritetin e saj, që gara të mos varet nga presionet e klubeve. Derbi e vërtetoi diçka të tillë?

Unë kam besim te FSHFja. Ndoshta këto deklaratat e mia u japin bezdi këtyre personave që kanë dhunuar deri dje futbollin shqiptar, duke vendosur kush fiton dhe kush jo.

E përsëris, ne nuk kemi kërkuar për në asnjë moment favorizime, por kemi kërkuar vetëm drejtësi që të gjykohemi nga gjyqtarët më të mirë. Nuk duam të favorizohem nga asnjë njeri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama