Depp dhe Jolie ne filmin The tourist

Depp dhe Jolie ne filmin 'The tourist'
Venecia është qyteti magjepsës, ku për herë të parë Angelina Jolie dhe Johnny Depp bëhen bashkë për të interpretuar në thrillerin romantik “The tourist”, të drejtuar nga Florian Henckel von Donnersmarck (regjisori i cili ka fituar çmimin “Oskar” me filmin “Jetët e të tjerëve”). Jolie e Depp interpretojnë për herë të parë së bashku, kështu që filmit nuk do t’i mungojë aspak magjia e dy yjeve të Hollivudit. Në film marrin pjesë edhe aktorë si Paul Bettany e Timothy Dalton, si dhe italianët Christian de Sica, Alessio Boni, Neri Marcore dhe Raul Bova.

Jolie bukuroshe është një femër që arratiset nga Parisi në Venecia me tren, bën për vete një turist harraq amerikan (Depp) që nga ana e tij ka përfunduar duke u kërkuar nga Interpoli, nga policia italiane dhe nga një grup vrasësish rusë. Por asgjë nuk është ashtu siç duket. Ja se çfarë tregojnë dy aktorët në Nju Jork në “Ritz Carlton Hotel”, pak ditë pas daljes së filmit nëpër kinematë amerikane.

Zonja Jolie, zoti Depp, si ka qenë takimi juaj i parë në sheshin e xhirimeve?

Angelina Jolie: Kur dëgjon të flitet shumë për një njeri dhe pastaj e takon, zakonisht mbetesh e zhgënjyer. Me Depp ndodhi e kundërta, është mashkulli më i sjellshëm dhe më i mirë që më kanë zënë sytë. Pjesën më të madhe të takimit tonë të parë e kaluam duke folur për shkollat dhe fëmijët, e duke u argëtuar. Është një artist i jashtëzakonshëm, pikturon, shkruan muzikë, ka një talent të pabesueshëm

Johnny Depp: Gjithmonë kam pasur një adhurim të madh për Angie-n si aktore. Gjithçka që dija për të ishte se bashkë me Brad-in dhe fëmijët ndiqen kudo që shkojnë nga paparacët, që nuk i lënë të qetë të bëjnë jetën e tyre. Pyes veten se si mund të jetë i detyruar një njeri të jetojë në atë mënyrë, që për fat të mirë unë nuk e njoh. Por kur e njoha, zbulova tek ajo një grua me këmbë në tokë, të kujdesshme, inteligjente, e cila adhuron fëmijët dhe burrin e saj.

Regjisori ka deklaruar se në këtë film, të dy keni role të përafërt me atë që bëni në jetë....

Angelina Jolie: Mendoj se ky film nxjerr në pah një anë timen që nuk e kisha shprehur më parë. Florian e ka kuptuar ndoshta sepse më ka parë, duke luajtur me fëmijët në jetën time reale.

Johnny Depp: Sigurisht që ka disa elementë të mi, sepse mbi të gjitha, jam një njeri që pushtohet shumë shpejt nga paniku. Jam ndryshe nga ai burrë i veshur me kostum e kollare dhe shumë i organizuar si në film.

Filmi ka ritmet e kinemasë së dikurshme...

Angelina Jolie: Shpresonim t’i jepnim publikut një film si “To Catch a Thief” i Alfred Hitchcock. Është një prej të preferuarve të mi. Për të mos folur për veshjet e mia, si në filmat e Audrey Hepburn. Është personazhi më femëror që kam parë.

Si ju dukën xhirimet në Venecia?

Angelina Jolie: Nuk mund t’i numëroj xhirot me gondola dhe akulloret e mrekullueshme që kemi ngrënë bashkë me fëmijët. Kam mbetur e befasuar nga numri i madh i muzeve në atë qytet. Ishte vërtet magjik. Më pëlqen edhe se si italianët e thonë emrin tim. Ime më, më ka vënë një emër italian, megjithatë askush nuk di ta thotë ashtu si duhet.

Johny Depp: Venecia ime ishte ajo që shijoja nga ora 10:00 e darkës deri në 2:00 të mëngjesit. Këto ishin të vetmet momente kur mund të ecja rrugës i qetë dhe të eksperimentoja magjitë e saj.

Angelina, ju keni shkruar dhe drejtuar filmin tuaj të parë, një histori dashurie që zhvillohet gjatë luftës së Bosnjës...

Një vit më parë isha e sëmurë dhe vendosa që të shkruaja: kur e përfundova skenarin, Brad më tha: Zemër nuk është keq, jepja të tjerëve ta lexojnë. Kështu fillova të bëja një kërkim serioz, pashë filma dhe dokumentarë dhe fola me njerëz që ishin nga ai vend. Janë njerëz të jashtëzakonshëm, që edhe gjatë viteve të luftës nuk e humbën ndjenjën e tyre të humanizmit. Nuk doja të sillja thjesht një histori lufte, por një histori dashurie. Unë dhe Brad kemi vënë para nga xhepi për prodhimin e “The Tourist”. Për një moment mendova se isha futur në një rrugë pa krye. Por pastaj e kuptova që më pëlqente regjia më shumë se sa më kishte pëlqyer të aktroja.

Po ju Johnny, çfarë projektesh keni?

Tani që kam mbaruar së xhiruari episodin e katërt të “Piratëve të Karaibeve” do t’i rikthehem punës me Tim Burton në “Dark Shadows”, i bazuar në seritë televizive të vampirëve të viteve ‘60. Është një film për të cilin unë dhe Tim kemi vite që flasim. Të dy ishim të pasionuar pas këtyre serialeve. Pastaj do të bëj “Lone Ranger”, sepse gjeta personazhin interesant që do të ndryshojë mënyrën se si indianët e Amerikës janë përfaqësuar në kinema.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama