Demtimi ne gju Luiza Gega Nuk ka asgje serioze

Dëmtimi në gju, Luiza Gega: Nuk ka asgjë serioze

Asnjë gjë serioze për atleten e Kombëtares shqiptare, Luiza Gega. Vetëm pak ditë nga udhëtimi i saj drejt Rio de Zhaneiros, ku do të jetë edhe flamurmbajtësja e delegacionit kuqezi, Gega shkaktoi një alarm te të gjithë me një postim në rrjetin social "Facebook", ku dukej qartë një çarje poshtë gjurit të djathtë.

gega

Por ajo që shtoi më tej dyshimet ishte komenti i vet nënkampiones së Europës: "Pikërisht tani duhet të ndodhte". Megjithatë, gazeta kontaktoi direkt me atleten kampione, e cila mohoi për një dëmtim serioz. "Nuk ka asgjë serioze. Vetëm se jam gërvishtur dhe më dhemb pak.

Këtu në Korçë ku po vijoj stërvitjet ka rënë shi sot (dje) dhe rashë një moment në asfalt, por që nuk ka asgjë për t'u shqetësuar", ishte sqarimi për "Panorama Sport" i Gegës, "Mbretëreshës së Sporteve".

Një ditë më parë, Gega do të zyrtarizohej edhe nënkampione e kontinentit pas përgjigjes së kontrollit antidoping të kryer në Amsterdam, ku edhe bëri histori. Në përgjigjen dërguar Federatës Shqiptare të Atletikës, menaxheri i aktiviteteve dhe antidopingut, Aditya Kumar, konfirmoi se Luiza Gega është e pastër. Pas përgjigjes negative, autoritetet shtetërore kanë planifikuar takimet me medalisten e argjendtë të Europës.

Luiza Gega

Zyrtarisht gazeta mësoi se ditën e martë, në orën 10:00, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do të rezervojë një takim me atleten Gega. Në një koment të shkurtër të sajën për përgjigjen negative, Gega u shpreh: "Unë nuk kisha ndonjë merak për përgjigjen". Gega do të jetë sportistja e fundit që do të niset për në Olimpiadën e Rios së bashku me trajnerin e saj, të mirënjohurin Taulant Stërmasi.

OLGERT SERANI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama