Debat ne kohen zero

Debat në kohën zero

Ka edhe një shoqatë tjetër e cila drejtohet nga Ndriçim Xhepa dhe ku bëjnë pjesë regjisorë e producentë si Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli. Kjo shoqatë e cila nuk ka pranuar të flasë për "Shekullin", duhet të ketë propozimin e saj, nëse nuk vendos të rrijë larg procesit. Nuk është përmendur gjëkundi, por ka të ngjarë që prej kësaj shoqate të dalë i propozuar edhe Xhevdet Feri, i cili është shprehur se do të rikandidojë, por ai nuk mund të rikandidojë, përveçse duke shprehur vullnetin e një grupi.

Feri vazhdon të jetë në detyrë, me një urdhëresë të Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, deri në momentin kur ky i fundit të ketë propozuar dy kandidatura tek kryeministri që do të bëjë emërimin e pasardhësit të Ferit, ose Ferin vetë, siç hamendëson në këtë intervistë, regjisori Mevlan Shanaj. Ishin katër shoqatat e përmendura më lart ato që vunë alarmin në MTKRS për moszjedhjen e Ferit, sepse sipas tyre periudha 2005-2009 quhet një cikël i mbyllur me Ferin kryetar.

Por propozimet e tyre tregojnë se shoqatat pak kanë reflektuar për të ardhmen e Qendrës dhe nuk janë të qartë kur besojnë se Qendrës Kombëtare Kinematografike mund t'i dalë për zot Abdurrahim Myftiu apo Bujar Kapexhiu, të cilët, edhe pse anëtarë të shoqatave të kineastëve, gëzojnë jetë të qetë në pension, pas kontributit që kanë dhënë individualisht, në fushën studimore njëri, publicistike e pedagogjike tjetri. Kjo do të thotë se reagimi ndaj Ferit është thjesht qëndrim ndaj një personi dhe jo ndaj politikave të tij.

Në intervistat e zhvilluara nga "Shekulli" - me qëllim mbajtjen gjallë të njëfarë debati, - edhe ato që nuk u realizuan dot me së paku 10 kineastë, për shkak të refuzimit, të mosprishjes së qejfit të shokut dhe mikut, të atij që është jashtë loje sot por mund të jetë brenda nesër, të atij që doli nga rrethi i interesave por që mund t'ja nxjerrë diku tjetër inatin kolegut që "flet troç", tregon se e vërteta për çështjet e kinemasë është peng i njerëzve që nuk marrin dot frymë nga interesa personale, financiare, dhe xhelozish thjesht. Kanë krijuar në këtë mënyrë një mjedis hollësisht vrasës për atë që shikon me zemër dhe mendje një film shqiptar të viteve të fundit. Nuk mund të kërkosh dhe të shohësh tjetër njeri tek veprat, por njeriun që i ka bërë ato.

Shoqatat e kineastëve po i mbrojnë kauzat e tyre në kohën zero, që do të thotë tani kur Feri është më kollaj të goditet, tani kur Këshillat Miratues të Projekteve nuk ekzistojnë sa pa u bërë zgjedhja e kryetarit të ri. Fryma e shoqatave të kineastëve nuk është frymë kritike, po të ishte e tillë do ta kishte treguar veten gjithmonë, këto pesë vite kur Këshillat e Projekteve, të ngjashmit e tyre, firmosin për të njëjtët emra regjisorësh që njohin rënie nga një film në tjetrin, dhe financohen si të ishin talentet 40-vjeçarë të fillimit.

Kineastët që dalin kundër sot, kanë qenë dikur edhe ata në borde dhe kanë mbështetur filma për të ngrënë bukë jo të talenteve, por të mjeshtërve të kinemasë. Do ta kishin treguar veten edhe gjashtë muaj përpara kur QKK i dha Tirana International Film Festival, vlerën e financimit në masën 18 milionë lekë kundrejt asnjë projekti dhe programi. Rezultati është ky që shihet: një Festival jo për njerëzit, as për Tiranën, po për ata që mendojnë se bëjnë festivale; një festival që i është bërë urë një televizioni privat, reklamave të kafesë dhe fustaneve të nuseve, dhe s'ka të varur në gozhdë një foto të një artisti shqiptar; duke e mbytur kështu atë gëzim fëminor që e lindi, duke e kthyer në të kundërtën e modelit që krijon pasioni.


E kështu kjo histori ka vazhduar deri tek e vona.

A duhet t'u besojmë kritikave të tyre drejtuar Qendrës? Çfarë na siguron se këtej e tutje ata nuk do të jenë indiferentët që kanë qenë kur s'janë në valle dhe të lidhur me njëqind fije kur janë në borde?

Këto grupe njerëzish që kanë përtuar të luftojnë çdo ditë për këtë ditë, le të presin dhe të bëjnë sehir se si maja e penës që firmos kryeministri u ngulet si shiringa e doktorit jo në mish të trash, po në tru, për t'i mbajtur zgjuar qysh të nesërmen kur Feri apo një tjetër dhe të tjerë, të jenë duke e kryer detyrën keq.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama