De Biazi nuk e fsheh dëshirën për të drejtuar Anglinë, madje e shpreh hapur duke thënë se është i duhuri për t'i dhënë "Tre luanëve" suksesin e munguar.
Në një intervistë ekskluzive për "SunSport", trajneri italian thotë se është i nderuar që emri i tij është përfolur për kombëtaren e Anglisë.
"Lojtarët kanë talent dhe cilësi dhe kanë nevojë që të zbulohen në mënyrën e duhur. Të punosh si trajner i Anglisë do të ishte një mundësi e madhe që nuk mund të refuzohet. Jam i bindur dhe e them me shumë përulësi, që mund të arrimë rezultate të mëdha bashkë",-ka thënë De Biazi për "SunSport".
Tabloidi britanik e ka ilustruar prononcimin e De Biazit me foto të tij nga kampionati europian "Francë 2016", duke përfshirë edhe pamje nga pritja që kryeministri Edi Rama i bëri atij në Tiranë.
Për Kombëtaren shqiptare të futbollit, media britanike përmend edhe fitoren ndaj Portugalisë në eliminatore, ndërsa thekson se tekniku italian ishte në prag të kualifikimit me kuqezinjtë për në fazën e 1/8-ave.
Deklarata e De Biazit vjen në kohën kur në Angli flitet për një zëvendësues të Roi Hoxhsonit. Ky i fundit dha dorëheqjen pasi u eliminua në Europian nga Islanda.