Dashuri ne kohen e Enverit per te kenaqur nostalgjiket

Dashuri ne kohen e Enverit per te kenaqur nostalgjiket
Flet Iris Sojli, skenariste: Dikush më pyeti, të marr në shfaqje me gruan e kohës së Enverit apo atë aktuale?

Një natë “show” për të kujtuar të vjetrit në dashuritë e tyre dhe për të mësuar të rinjtë në këtë Shën Valentin. Përjetoni “Dashuri në kohën e Enverit”, ishte ftesa e Erand Sojlit & Co për 14 shkurt. Atje ju priste tolloni i Popullit, menyja e Byrosë Politike dhe programi i televizionit shtetëror, që pasohej nga emisione të censuruara e plot surpriza. Protagonistët hynë me pantallona teritali, fustane me vata, dhe funde me pala ose kuadrata si më të privilegjuarit e mbrëmjet. Bashkautorja, Iris Sojli, tregon për një Shën Valentin ndryshe, ku dashuria shkëmbehej si në kohën e Enverit në një show special:

Pse vendosët të realizoni një shfaqje me titullin “Dashuri në kohën e Enverit”?

Ideja ishte e Erandit dhe u mundësua nga mbështetja që patëm nga Vila Belvedere, tek Shkëmbi i Kavajës. Erandi ka kohë që kërkon të eksperimentojë me shfaqje tematike, dhe për Ditën e të dashuruarve, nuk kishte shuplakë më të madhe sesa t’i krahasonim dy epokat, që megjithëse shumë pranë në kohë, janë shume larg në strukturë dhe përditshmëri. Gjithsesi, në asnjë mënyrë ne nuk donim të ishim, as nuk jemi, konkludues, për të paragjykuar njërën ose tjetrën epokë, ose për të bërë morale që nuk na takojnë. Shfaqja synonte të argëtonte publikun dhe ta bënte atë pjesë të sajën; aktorin kryesor në një skenar të shkruar nga vetë publiku disa dekada më parë.

Çfarë ishte frymëzuese në këtë show, po demoralizuese?

Frymëzuese është vetë nostalgjia që ngjall në përgjithësi e kaluara tek njerëzit. Më motivuese ishte ndjenja e sjelljes së asaj epoke në mënyrë identike, gjithsesi, duke shtuar elementin e lirisë së të shprehurit. Demoralizues ishte kontrasti që krijuam duke shpërndarë tollonat e mishit të derrit në tavolina, para se të shtrohej darka shumë e pasur e Byrosë Politike. Megjithatë, ky ishte një element i dëshiruar nga ne, se megjithëse argëtoheshim mbi ato fakte, të gjithëve na u kujtua kontrasti dhe pabarazia e dikurshme, paksa ndryshe nga kjo e sotmja.
Si dashuroheshin njerëzit atëherë dhe si dashurohen tani?
Dashuria është një ndjenjë shumë personale dhe unë s’do i lejoja vetes të bëja një pasqyrë të dashurisë në përgjithësi. Nuk mendoj se mënyra e të dashuruarit ka ndryshuar ose do ndryshojë ndonjëherë. Ajo shigjeta njësoj të prek, si tani, si më parë e si në të ardhmen. Ndërsa mesazhi “që të mësojnë të rinjtë” ishte i rëndësishëm, pasi ata duhet të dinë në ç’kushte janë dashuruar prindërit dhe gjyshërit e tyre. Shpeshherë këta breza mohojnë përjetimin e dashurisë dhe aventurave që ajo gjeneron. Duket sikur prindërit dhe gjyshërit shqiptarë janë anorgazmikë dhe s’kanë ndier kurrë rrëqethjen e ndjenjës ose të së puthurës, ndërkohë që unë besoj të kundërtën: ajo epokë kërkonte me tepër angazhim, imagjinatë dhe këmbëngulje kur bëhej fjalë për dashurinë (shpirtërore dhe fizike).

Sa ndihet i përfshirë një spektator që vjen ta shohë shfaqjen, sa protagonist bëhet ai?

Në skenë Erandi kishte marrë miq të tij të mirë dhe pa diskutim të njohur. Me ne ishin Elton Deda, Gazmend Paja, Mariana Kondi, kuarteti Akustika etj, që pa dyshim në fillim vodhën skenën dhe spektaklin. Por shumë shpejt, Erandi duke kaluar mes publikut, me pyetjet e tij ngacmuese por dhe të spikatura, i ktheu spektatorët në elementin kryesor të asaj shfaqjeje, derisa shumë prej tyre nuk reshtnin së treguari dhe historitë e tyre, që ndërthureshin shumë bukur me këngë dhe situata të përzgjedhura nga ajo kohë.

Kjo shfaqje bën më shumë kureshtar publikun me moshë të re apo të vjetër?

Tema është shumë më e gjerë, sa të përmblidhej në një event të tillë. Ne po mendojme ta transferojmë atë në skena të ndryshme, duke e shtjelluar dhe duke bërë një analizë të thellë të asaj epoke, gjithmonë nën ngjyra nostalgjie, humori dhe sinqeriteti. Se fundmi po mendojmë t’u tregojmë dhe shqiptarëve të Kosovës se si dashuroheshim ne matanë kufirit. Do jetë interesante pjesëmarrja e një publiku që ka përjetuar një realitet pak të ndryshëm.

Në këtë shfaqje duhet të jesh patjetër çift, apo jo?

Gjatë rezervimeve, dikush pyeti: Duhet të vij me gruan që kam pasur në kohën e Enverit apo me atë aktualen? Kjo po që ishte pyetje me vend…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama