Cungu takim me drejtues kjo jave vendimtare per te ardhmen

Cungu takim me drejtues kjo javë vendimtare për të ardhmen

Vllaznia hyn në javën vendimtare. Pritet që gjatë këtyre ditëve drejtuesit të zhvillojnë një takim kokë më kokë me Armando Cungun. Qëllimi i kësaj mbledhjeje do të jetë analizimi i sezonit që sapo u mbyll, por jo vetëm. cunguPritet që palët të vendosin pikat mbi "i", duke filluar që nga e ardhmja e trajnerit, grupit, por edhe objektivat. Sikundër edhe dihet, kushti i vendosur nga vetë tekniku shkodran për rinovimin, lidhet direkt me synimet.

Ai e ka thënë hapur që do të vazhdojë detyrën, por vetëm nëse ndërtohet një ekip dinjitoz, që kurrsesi nuk duhet të diskutojë mbijetesën. Nëse kjo kërkesë do t'i plotësohet, hapi i parë do të jetë pa dyshim zgjatja e kontratës së trajnerit. Me të ndodhur kjo, atëherë do të nisë ndërtimi i ekipit për sezonin e ardhshëm.

Platforma

Kuqeblutë rrezikuan rënien dhe vetëm në javën e parafundit siguruan matematikisht mbijetesën. Qëllimi i kësaj mbledhjeje nuk është vetëm konstatimi i asaj që nuk shkoi, por mbi të gjitha vendosja e piketave për sezonin e ri. Nga sa mësohet, në këtë analizë do të diskutohet edhe për ata lojtarë që do të jenë në planet e Cungut, por edhe për ata që nuk do të përfshihen në listën e dëshirave për merkaton.

Trajneri do të parashtrojë para drejtuesve më të lartë të klubit edhe platformën e tij për sezonin e ri. Nuk përjashtohet mundësia që të jepen edhe disa nga emrat e lojtarëve që Cungu do të kishte për zemër që t'i kishte në skuadër.

Largimet

Armando Cungu nuk duket se ka një listë të gatshme për lojtarët që do të qëndrojnë. Me përjashtim të portierit malazez Andrija Dragojeviç, i cili me shumë gjasa do ta mbyllë aventurën e tij me Vllazninë, të tjerët ende nuk kanë marrë asnjë sinjal nga ana e trajnerit. Cicmil, Vrapi e Sefa kanë zhvilluar një sezon të mirë me kuqeblutë, por kontratat e tyre përfundojnë në fund të këtij sezoni e për të ardhmen do të jenë vendimet e teknikut Cungu që do të përcaktojnë nëse do të jenë ata sërish pjesë e këtij ekipi. Ndoshta në analizën që pritet të zhvillohet do të diskutohet edhe për këta lojtarë, për ofertat që do të bëjë klubi i këtyre lojtarëve për sezonin e ri. Admir Uruçi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama