Ceremonia e Arinjve

Ceremonia e Arinjve
Berlinalja mbyllet me dramën për gjakmarrjen, sonte në Pallatin e Berlinales. Në pritje të vlerësimit edhe dy filma mbi Shqipërinë: Joshua Marston kandidat për Ariun e Artë dhe Bujar Alimani për Çmimin e Filmit më të mirë debutues. Pallati i Berlinales pret sonte 1600 të ftuar. Në mbrëmjen gala që nis prej orës 19.00 jepen çmimet Ariu i Artë dhe i Argjendtë për filmin e gjatë, Ariu i Artë dhe i Argjendtë për Filmin e Shkurtër, Çmimi "Alfred Bauer" dhe Çmimi Best First Feature. Në vijim shfaqet filmi fitues i Ariut të Artë.

Drejtori i Festivalit Dieter Kosslick dhe juria ndërkombëtare nën drejtimin e Isabella Rossellinit janë ata që do të prezantojnë çmimet dhe mbyllen kështu dhjetë ditë Berlinale me 300.000 bileta të shitura. Përfundimi? Pothuajse njëzëri ka qenë ky: Treg i fortë, festivali i dobët. Për kritikën, konkurrimi i këtij viti ka qenë zhgënjyes, me ndonjë përjashtim. Ndërsa Tregu Evropian i Filmit ka shkëlqyer si asnjëherë.

Edhe gara për Ariun e Artë, çmimi kryesor që Festivali i Filmit të Berlinit mbyllet pikërisht sonte me "Falja e gjakut" (The Forgiveness of Blood), një histori shqiptare mbi gjakmarrjen parë nga regjisori indipendent amerikan Joshua Marston. Filmi shfaqet në orën 16:00.

Marston, 42 vjeç, ka prezantimin e dytë të rëndësishëm në Berlinale pas dramës kolumbiane "Maria Full of Grace" e cila fitoi "Ariun e Argjendtë" më 2004 dhe pati një kandidim për Oscar për aktoren Catalina Sandino Moreno. Nga projeksioni i të enjtes për median pritja rezultoi e mirë. Në një mjedis rural në Shqipëri zhvillohet historia e adoleshentëve, Nikut dhe Rudinës, motër e vëlla, babai i të cilëve, Marku akuzohet për vrasje, pas një grindjeje për tokën. Familja bie në gjak.

Rudina përpiqet të ndihmojë familjen meshkujt e së cilës janë kapur në çark, ndërsa Niku, 17-vjeçar, që sapo ka rënë në dashuri për herë të parë, përballet me ndalesa të forta që e shtyjnë të kërkojë fundin e kësaj hakmarrjeje ose më mirë ta vrasin.

"Dua të them me zë të lartë dhe qartë se ky nuk është film që përpiqet ta paraqesë Shqipërinë si vend mesjetar. Përkundrazi, është një përpjekje për të dhënë një vend modern që po kalon një periudhë të vështirë. Është e rëndësishme ta them se shteti shqiptar po punon shumë për ta zgjidhur çështjen e gjakmarrjes", tha Marston në konferencën për shtyp. "Për mua kjo është një histori për konfliktin e brezave midis të vjetërve dhe të rinjve."

"Falja e gjakut" (SHBA-Shqipëri-Danimarkë-Itali) është një 16 filmat që konkurrojnë për Golden Bear, nën gjykimin e aktores italo-amerikane Isabella Rossellini.

Siç u përmend, kritika e ka cilësuar jo dhe aq të mirë konkurrencën e këtij viti. Dy përfliten deri tani si kandidatët kryesorë për Ariun e Artë: drama iraniane "Nader and Simin: A Separation" i regjisorit Asghar Farhadi dhe "The Turin Horse" i regjisorit të famshëm hungarez Bela Tarr.

Por ka edhe media që shkruajnë: "Modernia ndeshet me mesjetaren në filmin e shkëlqyer të regjisorit amerikan që pati premierë të enjten. Mendohet të jetë kandidat për çmim", Reuters.

"Edhe njëherë tjetër, regjisori amerikan e hedh vëmendjen përtej temave konvencionale të vendeve të mëdha, me filmin "Falja e gjakut" një rrëfim i mrekullueshëm për një adoleshent shqiptar, jeta moderne e të cilit papritur del nga binarët sajë traditës 600 vjeçare të gjakmarrjes.

Ashtu si "Maria Full of Grace" Marston i kushton një stil individual një historie ekzotike, e xhiruar në vende mbresëlënëse ku në plan të parë është performanca e vërtetë nga aktorë jo profesionistë që punojnë në gjuhën e tyre", shkruan "Variety".

Marston sërish ka bashkëpunuar për muzikën me kompozitorët Leonardo Heiblum dhe Jacobo Lieberman, baza muzikore e të cilëve përshtatet mirë me këngët shqiptare. "Falja e gjakut" pritet të shfaqet së shpejti në kinematë italiane. Distribumi bëhet bëhet nga "Fandango Portobello" (Angli/Itali), nga distributorët e suksesshëm të kinemasë europiane.

Janë dy filma të tjerë që presin sonte vendimin e jurive. "Amnistia" e Bujar Alimanit, bashkëprodhim shqiptaro-greko-francez, dhe "Shqiptari" i Joahanes Naber, bashkëprodhim gjermano-shqiptar, janë kualifikuar për Çmimin Best First Feature. Për këtë çmim me vlerë 50.000 Euro, merren parasysh një pjesë filmash nga seksionet Competition, Panorama, Forum, Generation dhe për debutimin në seksionin Perspektive Deutsches Kino.

Filmi i Alimanit i përkiste seksionit Forum. Ka pasur vlerësime që tregojnë se historia nga Shqipëria dhe puna e parë në gjininë e filmit ty gjatë e një regjisori të ri shqiptar, nuk kanë kaluar pa tërhequr vëmendjen.

Konstatimit që ky film është "një përshkrim i anës së errët të shoqërisë postkomuniste shqiptare", regjisori i është përgjigjur: "Është vendi im dhe detyra ime është që të tregoj hijet e vendit tim. Njerëzit do ta shohin këtë film dhe do të përpiqen ta bëjnë më të mirë këtë vend."

Për sa i përket gjuhës filmike, "Amnistia" është vlerësuar për atë minimum mjetesh, për gjuhën e ajsbergut. "Trupa me pak aktorë e Alimanit flet kryesisht me gjuhën e trupit, dhe kur ka dialogë, ai është i kursyer. Më e mira për një film ngjyrat e të cilit mbeten njëlloj, gri bardh e zi, kur protagonistja femër e të cilit, nënë e dy fëmijëve, mëson të ndihet përsëri grua, për një histori për burgjet brenda burgjeve."

Kishte sugjerime të llojit: "Një film që nuk duhet humbur, po as loja e aktorëve Luli Bitri, Karafil Shena dhe Mirela Naska."

Fituesit për debutimin në filmin e gjatë artistik shpallen sonte në ceremoninë e madhe të çmimeve në Berlinale Palast. Juria përbëhet nga Bettina Brokemper (Gjermani, producente e suksesshme e filmave "Honey", Golden Bear 2010, në filmat e Lars von Trier "Dogville" dhe "Antichrist"), Assaf Gavron (Izrael) dhe Michèle Ohayon (Marok/Izrael).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama