Celuloidi i demtuar

Celuloidi i dëmtuar
Në Arkivin e Filmit janë diagnostikuar pelikula të dekoloruara të filmave: "Ballë për Ballë", "Liri a vdekje", "Vajza me kordele të kuqe", "Në shtëpinë tonë". Tregon specialistja e Restaurimit


Në Akivin Qendror Shtetëror të Filmit mbahen të kyçur në 6 magazina të veçanta, kronika, dokumentarë, filma artistikë, të animuar, xhirimet arkivore shqiptare, si dhe kronika, dokumentarë dhe filma artistikë të autorëve të huaj.


Në një dhomë të madhe frigoriferike e të lagësht, ku temperatura shënon nën 10 gradë celcius, shihen pafund "arka evaikuimi", siç i quan shefja e sektorit të restaurimit, Engjëllushe Stafa, brenda të cilave gjenden metra të tërë negativi dhe fonograme, të filmit shqiptar me vlera historike dhe artistike. Këto ruhen në kushte sigurie më të lartë se të tjerat.


"Ruajtja e fondit filmik në kushte teknologjike optimale, temperatura të ulëta, lagështi konstante, ambient të pastër, ndihmon në ngadalësimin e procesit të dekompozimit të filmit, rrit jetëgjatësinë e tyre, shmang mundësinë e dëmtimeve të magazinimit si: myku që dëmton figurën e filmit, tkurrja-ngjitshmëria e anëve të filmit, që e bën filmin të pakalueshëm në aparatet e projeksionit, ndryshku në kutinë e filmit, dhe Sindroma Vinegar - çlirimi i gazrave acide nga celuloidet", shpjegon Tafa.


Përveç krijimit të këtyre kushteve, me rëndësi është edhe mirëmbajtja në mënyrë të vazhdueshme e filmave, kontrolli pas çdo projektimi të tyre, dhe ajrosja periodike. Specialistja na shpjegon se pas përdorimit të tij, filmi kalon në një kontroll për t'u pastruar, rri në dhomën e ambientimit për 24 orë dhe më pas depozitohet në magazinë. "Pastrimi i filmit kryhet mekanikisht me dorë në tavolinën e kontrollit, me kadife dhe me copa antistatike.

Kur filmi është tepër i ndotur, ai pastrohet me solucione kimike, pastaj thahet me copën antistatike. Në vitin 1999 u vu në përdorim makina e pastrimit me ultratinguj dhe me solucion perklordetilen".


Kjo bisedë me përgjegjësen e sektorit të restaurimit të filmave, për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre merr shkas nga dëmtimi që i 4 filmave shqiptarë me ngjyra: "Në shtëpinë tonë" (1979) i regjisorit Dhimitër Anagnosti, "Liri a vdekje" (1979) me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros, "Ballë për ballë" (1979) i Kujtim Çashkut, Pirro Milkanit dhe "Vajzat me kordele të kuqe" (1978) i regjisorit Gëzim Erebara. Specialistja shpjegon çfarë është dëmtuar dhe çfarë duhet të rregullohet në laboratorin e filmit.


Cilët filma kanë nevojë të restaurohen?


Në fondin arkival, kemi 6 filma që janë të dekolorizuar. Nga këto 6 filma, 2 janë stamposur. Në vitin 2004, në bazë të një projekti, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, u çel një fond dhe u arrit që të stamposeshin dy filma. Është filmi "Mësonjëtorja" dhe "Koncert në vitin 1936".


Tani kemi edhe katër filma të tjerë: "Ballë për Ballë", "Liri a Vdekje", "Vajza me kordele të kuqe" dhe "Në shtëpinë tonë". Këto filma janë të mbrojtur, për arsye se kanë një kopje pozitivi shumë të mirë bardh e zi. Vetëm se nuk kemi ngjyrën. Eliminohet ajo që është gjëja më kryesore kur ne e shikojmë filmin me ngjyra, është më bukur. Nga ana e drejtorisë, janë bërë përpjekje. Çdo vit bëhet kërkesë pranë Ministrisë, për të pasur një fond shtesë në buxhetin e Arkivit. Po kështu edhe këtë vit, drejtoresha e re, bashkë me nëndrejtorin bënë një kërkesë.

Çfarë është dëmtuar tek ata?
Është prishur balancimi i ngjyrave. Është dekompozuar ngjyra dhe ka ngelur vetëm e kuqja. Kjo është pasojë e një defekti që është bërë në laboratorin e Alba Filmit, ku negativi i filmit Agfa Gevaert është zhvilluar në solucionin e filmit Orvo. Kjo gjë ka sjellë dekompozimin e shpejtë të ngjyrave.

Është i shikueshëm?
Filmi është fizikisht i rregullt, vetëm dominon ngjyra e kuqe. Është i shikueshëm. Kështu që, është mundësia që ne të bëjmë një kopje sapo të çelet një fond. Sikur një film në vit të bëjmë, sepse kushton goxha, do të ishte gjë e mirë.

Në çfarë formati janë?
Në format 35 mm. Edhe formati i ri ku do të hidhen është po 35 mm.
Në videokasetë ato janë të hedhur, në Super VHS, në Beta. Janë të hedhur në formate dixhitale. Puna është të kemi një kopje të mirë në celuloid.

Në cilët laboratorë bëhet restaurimi i tyre?
Jashtë shtetit. Filmi "Mësonjëtorja" dhe "Koncert në vitin 1936" janë stamposur në Bullgari, në laboratorin e Sofjes.

Ku ruhen filmat?
Filmat ruhen në magazina të veçanta. Janë 6 magazina të mëdha me kapacitet 8000 akte secila. Ky është kapaciteti i një magazine. Negativi i filmit me ngjyra ruhet veç nga ai i filmit bardhezi sepse kërkon kushte teknologjike të ndryshme. Filmi me ngjyra kërkon temperatura më të ulëta. Filmi me ngjyra ruhet në temperaturën nën 10 gradë dhe 12 gradë filmi bardhezi. Për siguri dhe ruajtje më të mirë të filmave, gjinitë e një kopjeje filmi, pra negativi, pozitivi, fonograma ruhen në magazina të veçanta. Kjo, për të ruajtur një siguri maksimale. Nëse ndodh ndonjë gjë në një magazinë. Nëse do të dëmtohet pozitivi, kemi negativin.

Ju i kontrolloni pas çdo projeksioni?
Sektori i ruajtjes dhe i restaurimit të filmit, ushtron kontroll të filmave pas çdo përdorimi të tyre. Del një film për vizionim në aparatet e projeksionit, apo në maviolë, ose kur filmi përdoret për hedhje në telecines, për të krijuar formate të ndryshme dixhitale. Mbasi mbarohet puna e vizionimit, filmi kalon në kontroll dhe kalohet për t'u pastruar sepse gjatë projeksionit, merr pluhura, mund të pësojë një dëmtim mekanik. Atëherë kontrollohet për të eliminuar këto dëmtime dhe për t'u pastruar nga pluhurat dhe mbasi kontrollohet, filmi depozitohet. Përpara depozitimit, vendoset në dhomën e ambientimit, ku aty rri 24 orë dhe më pas sistemohet në magazinë.

Po në magazinë, çfarë e rrezikon?
Proces tjetër që kryhet këtu në sektorin e restaurimit të filmit, është edhe kontrolli periodik që ushtrohet, mbi të gjitha gjinitë e filmit, duke përfshirë këtu negativin që është origjinali, fonograma që ka të regjistruar zërin, dubël pozitivi dhe dubël negativi. Të katër këto gjinitë kalojnë për ajrosje periodike. Kjo ajrosje bëhet çdo dy-tre vjet dhe është e përcaktuar me norma, 18 akte në ditë. Këto norma janë sipas normave të përcaktuara nga FIAF. Procesi i ajrimit ka për qëllim eliminimin e dëmtimit, që krijohet gjatë magazinimit, të cilat janë myku, ose pluhuri që merr filmi, era uthullore kur fillon procesi i dekompozimit të filmit. Duke u ajrosur, kjo eliminohet.


Përmbledhje
Është prishur balancimi i ngjyrave. Është dekompozuar ngjyra dhe ka ngelur vetëm e kuqja. Kjo është pasojë e një defekti që është bërë në laboratorin e Alba Filmit, ku negativi i filmit Agfa Gevaert është zhvilluar në solucionin e filmit Orvo. Kjo gjë ka sjellë dekompozimin e shpejtë të ngjyrave.

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama