C&C bujari dhe censure totale

C&C, bujari dhe censure totale
Raportet e kinemasë me publikun në Shqipëri kanë pasur një varësi nga sistemi politik i cili i ka ndarë, si shkak i jashtëm, në marrëdhënie para dhe pas viteve nëntëdhjetë. Me rëndësi është që të kërkohen të dhëna dhe të provohen se si kanë qenë këto marrëdhënie duke e zhveshur informacionin nga leskrat e një lloj tjetër mistifikimi që është trashëguar nga e kaluara. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit disponon informacion për të trajtuar raste konkrete. Kemi shmangur arkivin e Televizionit Shqiptar sepse nuk përbën burim autentik për kinemanë, paçka se TV do të zëvendësonte pothuajse krejt rolin e kinemave në vendin tonë pas viteve nëntëdhjetë e do të transmetonte filma dikur të ndaluar.

Arkivi i Filmit jep herë pas here të dhëna me interes edhe për mostra të rralla pelikulash të kinemasë botërore. Kujtojmë “Zoti Topaz” i Peter Sellers, Angli, 1960, i ruajtur në gjendje të mirë, që u nxor nga Arkivat pas gjysmë shekulli bashkë me “Lugatët” i Lina Wertmuller, Itali, 1963, për t’u shfaqur në TIFF, dhjetor 2008.

Si qëndron puna me krijimtarinë e Francis Ford Coppola-s apo me ata filma ku ka interpretuar një aktore mjaft e njohur e viteve shtatëdhjetë, Claudia Cardinale? Të dy janë ftuar në Festivalin e Filmit në Durrës që hapet më 27 gusht. Është nga rastet e rralla që në Shqipërinë e vogël të zbresë një artist si Coppola.

Komunikimi në masë me spektatorin shqiptar, pra nëpërmjet kinemasë dhe ekranit të vogël në kohën kur Coppola ka krijuar pjesën më të madhe të veprës, nuk ka ekzistuar. Shfaqja e “Kumbarit” në TV u rrok ndjeshëm sa për të gjitha mungesat, por nuk është kjo aspak njohje e artit të Coppola-s.

AQSHF nuk ka në fond filma të tij. S’ka si të ketë!, thotë në intervistën për “Shekullin” Natasha Lako, skenariste në ish-Kinostudio, ish-drejtoreshë e AQSHF në vitet dymijë.

Në fondin e filmit të huaj, që arrin në disa qindra, AQSHF, ruan shumë pak filma amerikanë, si për shembull “Jetë qeni” i Charlie Chaplin, 1918, “Rroftë Zapata” i Elia Kazan, 1952, “Perëndimi i perëndive” i Luchino Viscontit, 1969 apo “Perënditë me kokë poshtë” i Jamie Uys, 1980.

Në skenën e Amfiteatrit Romak në Durrës ku shfaqen dy filma të tij “Tetro” dhe “Rini pa rini”, atij i jepet Çmimi Karrierës si novator i kinematografisë moderne.

Aktorja Claudia Cardinale që prej fillimit pati një komunikim me publikun shqiptar, sepse filmat ku është protagoniste shfaqeshin dhe aktualisht ruhen disa në Arkivin Shqiptar të Filmit: “Rroku dhe vëllezërit e tij” i Luchino Viscontit, 1960 ku shfaqet me një rol të vogël. “Cartouche” (1961) është filmi më popullor i saj në Shqipëri, një film që shfaqej edhe për nxënësit e shkollave. “Cartouche” i Philippe de Broca-s, me aktorët Jean-Paul Belmondo, Claudia Cardinale, Jean Rochefort, është një dramë sociale që luhet në Italinë e fundit të shek. XIX me një dramë dashurie brenda që quhet Bianka.

Te “Tetë e gjysmë” i Fellinit, 1963, ajo ka një rol të vogël, por të rëndësishëm për filozofinë e të tërës. Cardianale është vajza e ëndrrës e Marçelos (Marcello Mastroianni), quhet Klaudia. Aktorja për herë të parë shfaqet me zërin e saj të vërtetë, një zë i çuditshëm, i ngjirur.

I njohur për spektatorin nëpërmjet televizionit është portreti i Xhilit te “Na ishte një herë në Perëndim” (Once Upon a Time in the West, 1968) i Sergio Leones. Por Natasha Lako veçon “Libera, amore mio” (1975) ku interpreton përkrah Cardinales aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

Ndërsa “Corleone” (1978) që kishte një farë të drejte qytetarie të shfaqej si pak filma të tjerë mbi jetën e keqe, mafian italiane, është shfaqur në TV. Apo “La Salamandra” (1981) ku ajo interpreton përkrah Franco Neros dhe Anthony Quin. E shohim në ekranin televiziv të pas nëntëdhjetës te “Jesus of Nazareth” (1977) i Franco Zeffirellit në rolin e Magdalenës, përkrah Robert Powell e Olivia Hussey.

Ajo vjen në Durrës më 31 gusht dhe Bashkia e Durrësit i jep “Çmimin e Argjendtë”.

Natasha Lako: “Coppola na “ka rrethuar” prej kohësh edhe ne shqiptarëve”

Zonja Lako, çfarë filmash ka pasur mundësi të ndjekë në kohë publiku shqiptar nga Francis Ford Coppola?

Coppola ka mbërritur te publiku ynë më parë si emër se sa si vepër, si jehonë reflektive. Ndoshta njësoj si emri i Dostojevskit te lexuesi shqiptar.

Fati i madh i punës dhe i veprave të tij është se e kapërcejnë suksesin e një dite apo të një gjenerate dhe mbeten gjithmonë po ata që kanë qenë, të ndjekur gjithnjë e më tepër deri sot. Falë kompleksitetit, analizës dhe vërtetimit të pushtimit të njeriut prej të keqes së tij.

Është folur për një jehonë të “Godfather” dhe “Apocalypse now”? Si janë pritur në rrethin e ngushtë të kineastëve?

Të dy janë filma shkollë. Këtë e kam dëgjuar të përsëritej dhe përsëritet shpesh edhe prej të gjithë kineastëve që i kanë ndjekur së pari nëpërmjet kanaleve të huaja televizive. Është proverbiale të mendosh se përpiqeshe të ndjeje dhe kuptoje një film të tij qoftë nëpërmjet një fotografie në “Sight and Sound”, një reviste që vazhdon të vijë deri sot në Arkivin e Filmit.

Ju vetë keni stimë për këtë regjisor?

Coppola është regjisor i afreskeve të mëdha shprehëse edhe kur përqendrohet jo thjesht te një fytyrë, por te një karakter i papërsëritshëm dhe jashtëzakonisht i fuqishëm. Ai përfaqëson brezin që zbulon në kinematografi tragjizmin njerëzor. Por po të kujtosh “Kumbarin” dhe “Drakulën”, qoftë edhe “Apokalips Noë”, beson se me temat e tij qoftë edhe gjeografikisht “na ka rrethuar” prej kohësh edhe ne shqiptarëve. Në rast se edhe ne nuk na kupton, me siguri që na nënkupton ose anasjelltas. Unë gjithnjë e kam pasur zili për këtë përgjegjësi që ka marrë përsipër për t’i dalë përballë njerëzimit. Por tani si për të na ngushëlluar dhe lehtësuar ka marrë përsipër edhe rolin e Khajamit, me prodhimin e verës.

A ka Arkivi ynë i Filmit vepra të Coppola-s?

Nuk ka si të ketë. Por nuk ka as të Sofia Coppola-s. Përveç të tjerash, përjashto filmat e vjetër, ligjet tona nuk janë si kudo tjetër, nuk detyrojnë depozitën legale për çdo film që shfaqet, si gjurmë të historisë së brendshme kulturore.

Po nga Cardinale çfarë filmash ka Arkivi?

“Kartushi”, si film popullor ka pasur jashtëzakonisht sukses. Arkivi ruan “Rrokun dhe vëllezërit e tij” dhe “Leopardin” e Viskontit ku Kardinale luan se bashku me Burt Lankaster dhe Alen Delon. Por personalisht për mua është shumë i dashur filmi “E dashura ime Libera” që gjendet në Arkiv, ndoshta se ka vërtet shumë liri femërore brenda a se pranë Cardinales një rol tepër interesant ka edhe Bekim Fehmiu.

Si ka ndryshuar shikueshmëria para dhe pas nëntëdhjetës?

Cardinale mbetet përfaqësuesja e një brezi që hyn në kulmin e modernitetit kinematografik në ekranin italian, francez dhe botëror.

Dje unë mund të shkoja me shumë dëshirë të shihja feminitetin e ri të Cardinale-s, pa të cilën nuk do të kishim sot sipas mendimit tim, disa aktore të njohura angleze. Sot do të shkoja me dëshirë për të parë të tjerat, për të bërë dallimet e personalitetit.

Ka pasur për të më shumë një mit të bukurisë fizike femërore në Shqipëri apo edhe të artistes së mirë?

Te Cardinale ka një shfaqje delikate dhe fisnike të thjeshtësisë së bukur. Ajo nuk të “mbyt” deri në shkallët superiore të divave të tjera, prandaj e krahasoj me aktoret e sotme angleze, e pse jo me bukurinë e Roza Anagnostit në filmat e saj të parë. Unë e çmoj për rolet që ka pranuar pasi në shoqëritë e lira edhe kjo është një përgjegjësi e madhe.

Ju duket zgjedhje e duhur që Festivali i Durrësit me ardhjen e aktores të shfaqë “Tetë e gjysmë” të Fellinit?

Patjetër. Ajo është atje për t’u vënë re dhe për të mos u vëne re, siç është fati i gruas në përgjithësi. Ka pranuar këtë rol të një filmi të madh dhe na ka bërë një nder të gjithëve me atë që thotë në bashkëpunim me Felinin.

Fellini i paprekur

Surprizë me Claudia Cardinalen është shfaqja më 2 shtator, në Festivalin e Durrësit si film i mbylljes, 8½ (1963), i Federico Fellinit. Festivali i Durrësit për këtë projeksion të rrallë bashkëpunon me AQSHF sepse pelikula është e fondit të arkivit. Eriona Vyshka, shefja e redaksisë së AQSHF-së bën të ditur se ky film është blerë nga Kinostudio në fund të viteve 60. Është shfaqur vetëm për kineastët “për kulturë kinematografike dhe ngritje profesionale, sepse Fellini në vitet ‘60 solli një estetikë të re të filmit tek trajtimet e veta regjisoriale me thyerje nga kinemaja e traditës. Por veprat e Fellinit nuk janë shfaqur asnjëherë për publikun shqiptar. Që filmi “8 e ½” nuk është shfaqur asnjëherë, e vërteton fakti që kopja e vetme që kemi është në gjendje shumë të mirë fizike, është e pasubtitruar në shqip, dhe e paprerë, sepse siç e dini gërshërët nuk kurseheshin tek skenat e puthjeve te nxehta apo tek ndonjë deklamacion apo deklaratë që nuk shkonte me ideologjinë.”

Në vitin 2008 është shfaqur në Arkiv për një publik të ngushtë, në një sallë të vogël dhe me aparatet e vjetra të projeksionit. Kjo në Durrës është hera e parë që filmi në fjalë shfaqet për një publik kaq të gjerë.

Nga filmat të tjerë ku interpreton Cardinale, Vyshka veçon “E dashura ime Libera”, Mauro Bolognini, 1973, “një film që është pëlqyer shumë nga publiku shqiptar”.

Sa për Coppola-n ajo konfirmon se nuk ekziston asgjë në Arkiv.

Cardinale për Fellinin

Isha duke xhiruar njëkohësisht “Leopardin” e Viskontit dhe “8 ½” të Felinit. Frederiko më kërkonte brune dhe me tipare të zeza. Unë duhej të ndryshoja ngjyrën e flokëve çdo dy javë…Me Felinin s’kishte skenar, vetëm improvizim. Kurse Lukino ishte e kundërta. E pamundur të qeshje, flisje, apo thoshe një fjalë me të në sheshxhirim. Me Federikon, ne duhej të bërtisnim e të këndonim, sepse ai e donte vendin me krejt të kundërtën. Pas “Gatopardit” dhe “8½” shkova në Hollivud. Falë Lukinos dhe Federiko Felinit.

 Felini ishte magjik. Më pëlqente të punoja me të edhe për shkak të tij, unë… unë nuk e di. Ai më shihte sikur të isha vajza e ëndrrës në atë film. Xhirimi me të ishte i gjithi improvizim. Marçelo nuk ishte. Federiko ishte ulur pranë meje; më fliste. Unë i përgjigjesha, pa skenar. Me Viskontin krejt e kundërta. Por mua më pëlqen kjo, më pëlqen ndryshimi, përndryshe jeta është e mërzitshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama