Bylisi 16 vite pa fituar ne Korce

Bylisi, 16 vite pa fituar në Korçë

Bylisi nis nesër "maloren" e kampionatit, teksa do të udhëtojë drejt Korçës në përballjen që do të ketë me kampionët e Skënderbeut. Në letër, mallakastriotët kanë pak shanse për të dalë me një rezultat pozitiv, edhe pse në fushë do të hyjnë me idenë se nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të bëjnë lojën e tyre.bylis Në fakt, rasti i Tërbunit që mori një fitore surprizë para dy javësh përballë Skënderbeut i ka motivuar lojtarët e Bylisit se me grintë dhe pak fat mund të bëjnë historinë në Korçë.

Por, përpos dëshirës, është pikërisht historia ajo që flet totalisht kundër mallakastriotëve në sfidat që kanë pasur në këtë transfertë, pasi për të "gjetur" fitoren në kampionat duhet të kthehen 16 vite mbrapa, në nëntorin e vitit 2000, kur edhe fituan 0 me 2 në këtë stadium.

Që nga ajo kohë, Bylisi ka njohur vetëm humbje në kampionat, duke qenë vërtet një "mace e zezë" Skënderbeu. "Ngushëllimi" i vetëm është një barazim 1 me 1 në kupë në vitin 2013.

Megjithatë, shifrat kanë vetëm një vlerë historike, pasi kjo nuk do të thotë se ballshiotët do të shkojnë të dorëzuar në këtë ndeshje, por do bëjnë më të mirën e tyre. Nëse do të vijojë seria negative e humbjeve dhe Bylisi do të duhet të presë sërish për ta thyer këtë tabu, kjo mbetet për t'u parë ditën e nesërme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama