Bëhet fjalë për një çmim special, të cilin Alimani e ka merituar në një garë të fortë mes filmave të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Në datën 26 nëntor u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të 12-të të Festivalit ndërkombëtar të Sienës. Çmimin e madh e fitoi filmi izraelit "Zohar" me regji të Yasmine Novak. Çmimin special për filmin dokumentar e mori danezi Hansen Esben me filmin "Mjeku Italian". Filmi më i mirë eksperimental i shkoi filmit letonez "Medibas" me regji të Janis Cimermanis. Çmimi i publikut, ofruar nga "Chimay" i shkoi filmit francez "Meme les pigeons vont au paradis" (Edhe pëllumbat shkojnë në parajsë) i Samuel Tourneux. Çmimi Kodak për filmin më të mirë italian iu dha "Guinea pig" me regji të Antonello De Leo, interpretuar nga Fiona May.
Vetëm pak kohë më parë, filmi "Busulla" fitoi një tjetër çmim në Festivalin e Filmit në Montpelie të Francës, në të njëjtin festival ku filmi me metrazh të gjatë "Eduart" i Angeliki Antoniout, që u shfaq në datat 26-27 nëntor në Tiranë, fitoi çmimin e madh "Antigona e artë". Filmi 19 minutësh i Alimanit, prodhim i këtij viti bazohet mbi një ngjarje të vërtetë. Xhirimet u bënë në Shkodër dhe personazhet luhen në shumicën e rasteve nga joprofesionistë. Në rolin e Mirës luan Luçiana Vata, në rolin e të atit, aktori Bruno Shllaku, për të vazhduar me të tjerë emra si Rozina Prendi, Lefter Simoni, etj. Ndërkohë "Busulla" është një nga filmat konkurrentë në Tirana International Film Festival. Filmi shfaqet nesër në orën 11.00 në Kinema "Imperial"
Al.mi. : Gazeta Shekulli