Bujar Asqeriu Ne filmat para ’90-tes na ndalonin te putheshim

Bujar Asqeriu: Ne filmat para ’90-tes na ndalonin te putheshim
Aktori i njohur i skenës dhe ekranit, rrëfen peripecitë, pasionet këmbënguljen në rrugën e mundimshme të aktorit. Ai sjell detaje dhe përjetime mjaft interesante, si e filloi këtë rrugë në film dhe në teatër duke luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Robert Ndrenika etj. Gjithashtu ai flet edhe për emocionet që ndjen para spektatorëve kur interpreton role të ndryshme në drama dhe komedi.

Si e kujton Bujar Asqeriu atë djalin imcak, te “Qendra e Zërit” e qytetit “Studenti”? Ne ishim studentë të artit dramatik dhe ishin kontaktet e para që ne merrnim nëpërmjet fjalës poetike, merrnim kontaktet e para me spektatorin ose me dëgjuesin, ose me ata që ishin bashkë studentë me ne. Dhe në këto raste emocioni është shumë i madhe sepse pret se si do të reagojnë ata fakti se sa bukur e thuaj poezinë se si komunikon ajo me dëgjuesit. Më kujtohet se ne atëherë bënim poezitë e autorëve ai Zhak Prever etj dhe të poetëve shqiptarë, ku më ka ngelur në mendje poezia e Ndoc Gjetjes “Puthja” madje dhe tani më kujtohen vargjet e saj. “Shumë gjëra  ndodhin në rrugën e madhe,/ Përse puthja të mbetet ilegale”... më kanë mbetur qysh atëherë këto vargje. Dhe kjo u bë problem dhe në shkollë që pse të recitohen këto poezi sepse i quanin si poezi erotike. Mosha jonë atëherë i ndjente afër sepse dashuria njerëzore ishte shumë e rëndësishme dhe e madhe për ne në atë kohë. Mbaj mend që ishim të dëshiruar që të dëgjonim një fjalë të mirë dhe ajo ishte një punë krejt vullnetare në atë kohë por ne e bënim krejt me pasion dhe me dëshirë të madhe dëgjonim tingullin e zërit tonë, dëgjonim reagimin e shokëve dhe të shoqeve tona.

Ajo rini e mbetur atje tashmë në një rini tjetër në një kohë tjetër. Ç’pengje keni prej asaj rinie?

Kur shikoj këto vajza dhe djem që vishen shumë bukur, që janë të lirshëm që komunikojnë lirshëm që kanë kontakte më botën. Ju është çelur një dritare e madhe dhe kanë mundësi për ta eksperimentuar talentin e vet në çdo lloj fushe. Kur mendon të gjitha këto sinqerisht që të bëhet zemra mal. Në bisedë me shumë italianë kur shkoj në Itali ju them se televizioni juaj ka qenë një dritare e madhe e lirisë për ne dhe ata habiten. Po ju them dhe për këtë fakt ne ju duam shumë. Sepse RAI dhe televizioni italian ka qenë një dritare e madhe për ne.

Ndërkohë nga ai djali imcak simpatik i Qytetit Studenti vijmë te një aktor i njohur tashme dhe personalitet i skenës dhe i ekranit në përgjithësi, ç’urë keni kaluar, ç’karrierë keni pasur dhe ç’ngjarje kanë kaluar në jetën tuaj gjatë kësaj kohe?

Jeta e çdo artisti është e ngarkuar me ngjarje dhe të papritura të mëdha dhe ndoshta këto i japin kuptim jetës në sensin që artisti në Shqipëri ka përballuar sfida nga më të çuditshmet, nga më të papriturat nga më absurdet nga më paradoksalet. Përveç sfidës kryesore  për të prodhuar art dhe për të sjell në ekran dhe në skenë figura artistike të nivelit të lartë një nga tmerret që kanë pësuar artistët shqiptarë janë konfliktet e mëdha që kanë pasur me administratën shtetërore kjo ka qenë një nga kufijtë më të tmerrshme më makabre dhe më përdhunuese që do të thosha që administrata vazhdimisht ka qenë tutela e tmerrshme e artistëve shqiptarë. Ku për krijimtarinë tënde si artist si shkrimtarë mblidheshin pesë veta në një zyrë të mykur dhe vendosnin për fatin e artit, për nivelin e tij, për çdo gjë. Por këtu gjithmonë duhet duartrokitur publiku shqiptar, i cili na ka duartrokitur na ka vlerësuar dhe ka qenë sovrani më i madh që ka vendosur mbi fatin e artistave shqiptarë. Këta e ka bërë me duartrokitjet e tij ,me vlerësimet e tij, me opinionet e tij dhe ai i ka dhënë në një sens fushëpamje apo rrugëdalje, apo hapësirë një artisti që të mos kishte frikë nga sfidat nga dilemat,  nga të papriturat. Ka qenë ai që e ka drejtuar dhe i ka thënë “ bravo djalë ose vajzë, vazhdo të punosh që të ecësh”.

Në rrugën që ju keni bërë drejt skenës dhe kinematografisë.  A ju kujtohet çfaqja e parë në ekran dhe si e keni përjetuar atë çast?

Filmi i parë që kam luajtur është “Në shtëpinë tonë” me regjisorin e madh Dhimitër Anagnosti. Ishte nj çudi e madhe për mua ishte një e papritur e madhe isha student i veshur keq, isha student i paushqyer mirë , siç ishin gjithë moshatarët e mi dhe dalja në një ekran ishte një çudi e madhe për moshën time. Pasi më bëri kinoprovën, Anagnosti dhe ma aprovoi për të bërë rolin më dukej një çudi e madhe që unë do të ballafaqohesha më një ekran të madh dhe me publikun shqiptar. Dhe me thënë të drejtën pasi bëhej premiera në kinostudio mua nuk më pëlqente vetja kur e shifja dhe për tu siguruar dhe për të marrë një opinion i thosha vazhdimisht Anagnostit. Hë si të dukem unë e kam bërë mirë roli?. E pyesja vazhdimisht sa ai në një moment më tha. “po ti shikoje nuk mund ta gjykosh veten tënde si të duket ty” dhe unë që i thosha nuk arrij dot të distancohem nga ajo që kam prodhuar aty. Nuk më pëlqente vetja e than troç.

Kush ju ka dhënë më shumë emocione, skena apo ekrani?

Të dyja kanë emocionet e veta, por teatri mbetet i pavdekshëm sepse ai është krejtësisht tjetër gjë. Emocionet, sadisfaksionet që ndjen aktorin në kontakt me publikun e drejtpërdrejtë është i pazëvendësueshëm. Vërtet kamera grupi i xhirimit të sjellin ngacmime, por 500 veta që të rrinë përballë teje në skenë kanë një emocion të pazëvendësueshëm për aktorin dhe magjia që të krijohet në skenë është e pazëvendësueshme për mua.

Si ndjeheni përpara “sikurit” të teatrit dhe “të vërtetës: së filmit?

Në thelb mjeshtëria artistike është e njëjtë vetëm këtu ndryshon raporti i mjeteve shprehëse që përdor aktori në ekran dhe në deh në teatër. Në rastin e teatrit mjetet shprehëse janë më evidente kurse në ekran do të luash jo në atë natyrshmërinë e rëndomtë por në një natyrshmëri e cila të jetë artistike dhe jo të vulgarizohet e natyrshmja. Unë jam shumë krenar që brezi im në vitet 80 në kinemanë shqiptare solli një frymë të re në tërë interpretimin kinematografik sepse derisa atëherë kinemaja shqiptare vuante trajtat e teatralitetit e  cila ishte pasojë e shkollës e deklamacionit e   shumë gjërave e cila kinemaja moderne i hidhte poshtë deh nuk po i pranonte. Dhe kjo falë kontakteve në mënyrë të vazhdueshme që ne mbanim me kinemanë Evropiane  dhe atë perëndimore. Kjo në mënyrë qoftë të ndërgjegjshme qoftë dhe të pandërgjegjshme ndikonte në subkoishencën tonë për t’i trajtuar figurat artistike në sensin modern të fjalës sepse ne shikonim artistë të mëdhenj të asaj periudhe duke filluar nga Brandoja i madh në Amerikë dhe deri te aktorët e mëdhenj Zhan Gaben . Zhan Maria Volonte, Zhan Pol Belmondo si dhe nga aktore të mëdhenj italian dhe shumë regjisorë të mëdhenj italian. Dhe ne shikonim se si silleshin aktorët e tyre para kamerës dhe ne nuk kishim se si t’u shpëtonim këtyre gjërave në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në mënyrë instiktive e merrnim këtë aromë. Sepse në atë periudhë shkolla e aktrimit shqiptarë nuk e kishte metodën e lojës në kinema.

Ndërkohë përmendëm aktorët dhe regjisorët e mëdhenj të botës, por ju keni luajtur dhe me aktorë të mëdhenj të skenës dhe të ekranit shqiptarë. Ç’lloj emocionesh ju ka sjell puna me ta?

E para që brezi jonë i aktorëve kishte një lloj dashuri të madhe, kishte një respekt të madh për aktorët që ishin më të rritur sepse ata e kishin filluar nga hiçi teatrin kinemanë madje shumë prej tyre ishin të pashkolluar në sensin profesional të fjalës dhe talenti i tyre buron nga pasioni nga dëshira. Pra ata ishin bërë aktorë të shquar edhe pse nuk e kishin shkollën profesionale të aktrimit. Një regjisor i talentuar gjen te një person që nuk ka luajtur kurrë tërheqje merr jep diçka dhe ky është talenti autorial në rastin tonë. Dhe sigurisht që nga Kadri Roshi që kam luajtur Sulejman Pitarka, Robert Ndrenika dhe shumë aktorë të mëdhenj shqiptarë e kemi ulur kokën dhe kemi mësuar prej tyre. Dhe sot mua më vjen mirë dhe kam parë frytet e kësaj vëmendje që kemi pasur neve ndaj krijimtarisë së brezit më të madh  dhe këtu dua të përmend aktorin e madh Vangjush Furxhiu, një aktor i jashtëzakonshëm për mua një aktor me diapazon botërorë një aktorë shumë i madh.

Meqë ju kujtuat të madhin Robert Ndrenika i cili ka marrë një çmim në gazetën tonë si njeriu i vitit. A mund të na kujtoni ndonjë moment të punës tuaj me të dhe ndonjë detaj nga filmi “Në shtëpinë tonë”.

Po, te ky film e kam njohur për herë të parë Robert Ndrenikën sepse unë tre filmat e parë i kam luajtur në kohën kur unë isha student dhe isha duke përfunduar shkollën në akademinë e arteve. Sigurisht që të luaje në atë periudhë përkrah këtyre aktorëve  që ne i shikonim dhe i vlerësojmë dhe sot e kësaj dite si idhuj të aktrimit shqiptarë, nuk është kaq e lehtë. Dhe mbasi kishte mbaruar filmi unë me sinqeritetin e moshës të dëshirave, të pasioneve të një të riu , pyes Robert Ndrenikën dhe i them: “A e pe filmin? Si t’u duk? A të pëlqeu? Ishte bukur i thosha gjithë kuriozitet. Dhe ai duke më parë qeshtë me mua sepse për mua ai ishte filmi i parë. Ai kishte shumë eksperienca ishte aktorë i konsoliduar. Ai qeshte dhe me thoshte: “Po mirë, mirë ka dalë!” me atë thjeshtësinë e tij prej një artisti të madh.

Sot tek shikoni filmat tuaj çfarë mendoni ose për faktin se puthja me partneren tuaj në film nuk ekzistonte?

Në atë kohë nuk mungonin puthjet se nuk donim ne. Kjo ndodhte sepse nuk donte skenaristi, sepse skenari shkruhej i tillë sepse në qoftë se do të shkruhej ashtu siç thoni juve do të pritej skenari. Pra nuk do të kalonte klasën skenari pa të vinte te regjistra kurse ne ishim të fundit që do ta ekzekutonim atë punë. Kështu që ishte e shkallëzuar çështja që te redaksia nuk e aprovonte në qoftë se do të kishte skena të tilla të cilat ishin të domosdoshme dhe të nevojshme. Për tema të tilla. Prandaj i kam zili aktorët që të shprehen në tërë potencën e qenies së tyre në tërë aksesorët e ndjesisë së brendshme që kanë si njerëz në marrëdhënie të plota, të sinqerta të fuqishme midis partnerësh. Dhe këtu arti ciklohet dhe merr vlera të vërteta.

Jeni në skenë dukë luajtur përpara njerëzve tuaj të afërt, përpara atyre që nuk ju duan, përpara kolegëve dhe përpara  të panjohurve, para kujt ndjeheni më i emocionuar?

Njerëzit e afërm të familjes kanë më shumë ndikim në psikikën e artistit, por unë i bashkoj me publikun gjithmonë jo vetëm kur ata ekzistojnë, por dhe kur nuk ekzistojnë, jo vetëm kur ata janë prezent por dhe kur nuk janë prezent. Shpesh në publik unë shikoj njerëzit e mi më të afërt edhe kur ata mungojnë. Ky sugjestion të jep gjithmonë energji të mira energji pozitive. Dhe kjo është shumë e domosdoshme për një artist. Të riprodhojë dhe kur nuk ekziston të krijoj, edhe kur nuk ekziston të shikoj me dashamirësi edhe kur e shikojnë pa dashamirësi. Kjo gjë i krijon komoditet të madh artistit edhe për të prodhuar energji dhe emocione pozitive.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama