Borxhi perjashtohet Peshengritja

Borxhi, perjashtohet Peshengritja

Gjoba e pashlyer prej 25 mijë eurosh ka bërë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes të përjashtohet nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, përfshi këtu edhe pjesëmarrjen në kongrese dhe mbledhje teknike të zyrtare të saj.

Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e Federatës tonë të Peshëngritjes të cilët theksojnë se në adresë të tyre ka ardhur një mail nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes e cila i kujton atyre gjobën e pashlyer prej 25 mijë eurosh. I kontaktuar në telefon nga Top Channel, sekretari i Federatës tonë, Muharrem Berisha theksoi se pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka arritur të gjejë shumën prej 25 mijë eurosh dhe në një kohë sa më të shkurtër do t’ia shlyejnë këtë borxh Federatës Ndërkombëtare.

Në një komunikatë për shtyp, drejtuesit aktualë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes janë munduar të shfajësojnë veten nga ky përjashtim duke deklaruar se ky borxh është trashëguar nga drejtuesit e kaluar për shkak të rasteve me doping të sportistëve shqiptarë. Aktualisht Ekipi Kombëtar i Peshëngritjes po stërvitet për të marrë pjesë në Kampionatin Europian i cili do të zhvillohet në Tel Aviv, Izrael nga dt 4 deri me 12 prill dhe ditet në vijim do të tregojnë nëse do të jemi pjesëmarrës apo jo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama