Besa Premtimi

'Besa: Premtimi'
Filmi dokumentar “Besa: Premtimi” ka mbyllur me një shfaqje speciale Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar. Një histori e jashtëzakonshme takimi pas më shumë se gjysmëshekulli e një shqiptari dhe një hebreu.

Si u takua Rexhep Hoxha me hebreun që shpëtoi mbi 60 vite më parë

Premiera europiane e filmit dokumentar  “Besa: Premtimi” ka mbyllur Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar. Një histori e jashtëzakonshme takimi pas më shumë se gjysmëshekulli e një shqiptari dhe një hebreu. Rexhep Hoxha nuk kishte lindur ende kur prindërit e tij strehonin familjen hebreje Aladjems duke u shpëtuar jetën. Në shtëpinë e tij kishte mbetur libri i shenjtë i lutjeve, me premtimin se një ditë do t’u kthehej. E ndërsa prej disa vitesh Norman Gershman e bëri të njohur historinë shqiptare përmes ekspozitës së tij fotografike, tashmë ka përmbushur një tjetër mision: të takojë mikpritësin me të shpëtuarin. Z. Aron kishte qenë 10 vjeç kur ishte në Shqipëri, e tashmë ka marrë në dorë një copë të së shkuarës, megjithëse kishte dashur ta linte pas.

I gjithë ky rrugëtim është fiksuar në kamera nga regjisorja amerikane, Rachel Gosling, si një dëshmi i kësaj historie të rrallë shqiptare. Filmi ka mbyllur mbrëmë me një shfaqje speciale festivalin, në të cilën ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha. Në mungesë të regjisores, në Tiranë ishte i pranishëm pjesa tjetër realizuese e filmit, producentët Jason Williams, Christine S. Romero, fotografi Stuart Huck dhe Majlinda Myrta si përfaqësuese e fondacionit “Eye Contact”. Producentja Christine Romero, në intervistën e mëposhtme rrëfen historinë e lindjes së këtij filmi.

Si lindi ideja e këtij filmi dokumentar?

Historia ka nisur më shumë se 8 vjet më parë, në 2004-n, kur Norman Gershman, themelues i fondacionit “Eye Contact”, kontaktoi producentin Jason Williams për të realizuar një film mbi shqiptarët që kishin mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një histori për të cilën thuajse nuk dinin asgjë, por e ndien që do të realizonin një film të mirë. Në 2007-n Rachel Gosling, regjisorja e filmit bëri vizitën e parë në Shqipëri. Ajo shkoi në shtëpinë e një familjeje shqiptare që kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë luftës, mblodhi shumë histori, bëri intervista dhe më pas shkoi në Izrael për të gjetur historitë e atyre hebrenjve që ishin shpëtuar nga shqiptarët. Gjatë këtij udhëtimi, një nga të intervistuarit ishte edhe Rexhep Hoxha, i cili banon në Tiranë dhe kishte një histori shumë të bukur. Prindërit e tij, Rifat dhe Fejze Hoxha, kishin strehuar familjen hebreje nga Bullgaria Aladjems. Përpara se të largoheshin, ata i lanë në BESË librin e shenjtë të lutjeve familjes së babait të Rexhep Hoxhës, i cili u premtoi që do kujdesej për të deri sa dikush të kthehej sërish në Shqipëri. Për këtë arsye, pas gati gjysmëshekulli, vendosëm të ndihmojmë Rexhepin të gjejë familjen hebreje që kishte shpëtuar familja e tij.

Sa e vështirë ishte të gjeje një familje hebreje që kishte humbur gjurmët prej kaq shumë vitesh?

Ne e ndoqëm Rexhepin në udhëtimin e tij nga Bullgaria në Izrael, në kërkim të familjes herbeje. Ishte shumë e vështirë, sepse ata nuk donin të gjendeshin, kishin ndryshuar edhe emrat. Si shumë familje të tjera që i mbijetuan Holokaustit ata dëshironin t’i linin kohët e vështira pas krahëve. Por ndërkohë, Norman dhe pjesa tjetër e stafit “kishin dhënë besën” se do të gjenin këtë familje. Pas shumë kërkimesh, pasi kishim punësuar edhe detektivë në kontinente të ndryshme, ndodhi që gjatë një darke që Normani po kalonte me një grua, ajo i thotë se kishte një mik në Izrael që e kishte si hobi të ndihmonte njerëzit të gjenin ish të dashurat e vjetra. Kështu që e provuan të kontaktonin me të dhe brenda 24 orëve ai e gjeti familjen hebreje.

Cili ishte reagimi kur trokitët në derën e tyre?

Ata na ishin shumë mirënjohës që arritën të gjenin Rexhepin. Z. Aron, i cili ishte vetëm 10 vjeç kur ndodheshin në Shqipëri, e kishte mbyllur gjithçka në një kuti dhe ai nuk e dinte se Rexhepi, që në atë kohë nuk kishte lindur ende, u kishte sjellë me vete disa libra, që prindërit e tij kishin lënë në Shqipëri. Për të ishte sikur mori një mesazh nga prindërit. Nga ana tjetër, Rexhepi nuk e dinte se sa të guximshëm ishin treguar prindërit e tij, pasi ata kurrë nuk i kishin treguar se sa e frikshme ishte ajo kohë.

Çfarë i thotë ky film publikut?

Besa është një mesazh që bota ka nevojë ta njohë. Shqipëria ka një kod moral që quhet “Besa” dhe bëri atë që asnjë vend tjetër nuk e ka bërë, tha “Jo”. Jam e emocionuar kur e them këtë. Kaq shumë jetë ka shpëtuar Shqipëria dhe kaq shumë jetë do të ishin shpëtuar nëse të gjitha vendet do të kishin bërë këtë gjë, të kishin këtë guxim. Bota do të kishte qenë një vend më i mirë sikur të kishte ndjekur shembullin e Shqipërisë, sikur t’i kishin thënë “jo” nazizmit.

Si ka reaguar publiku amerikan ndaj një historie të tillë, që ndoshta është edhe e largët?

Të gjithë ata që e kanë parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë: Dua të shkoj në Shqipëri tani! Ata e kanë pëlqyer shumë filmin. Për ta kjo histori ishte tërësisht e panjohur, ishte një surprizë. Ky është një film që tregon për njerëz të mirë që kanë bërë gjëra të mira, nuk është një film për të cilin njerëzit duhet të kenë frikë ta shohin.

A ka histori të ngjashme të shpëtimit të hebrenjve në vende të tjera?

Jo në këto përmasa. Kemi dëgjuar histori sporadike të familjeve që kanë shpëtuar hebrenj, por jo si në Shqipëri. Gjithçka nisi kur Mbreti Zog hapi kufijtë për të gjithë hebrenjtë që donin të vinin që në nëntor të vitit 1938. Ai i ftoi hebrenjtë të vinin në të gjithë vendin dhe kishte më shumë hebrenj në mbarim të luftës se në fillim të saj. Dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Ju tani festoni 100-vjetorin e shtetit të pavarur, por historia juaj është kaq e pasur dhe kjo nuk është hera e parë që shqiptarët hapin dyert e presin popullsinë hebreje, por ka ndodhur edhe shumë më herët. Ne jemi krenarë që po tregojmë një copëz historie të këtij vendi.

Cili është rrugëtimi më tej i këtij filmi?

Jemi duke kërkuar një distributor, duam që filmi të shfaqet edhe nëpër festivale filmash, të shfaqet në kinema, të shesim DVD dhe qëllimi ynë final është që ta fusim në programet shkollore në SHBA. Sa më shumë njerëz duhet ta njohin këtë histori. Filmi është një histori shumë kinematografike, i cili zhvillohet përmes dy udhëtimeve, atij të Norman Gershman, i cili zbulon këtë histori përmes takimit të tij me Rexhep Hoxhën dhe udhëtimi ynë duke ndjekur Rexhepin drejt Jerusalemit. Janë udhëtime të gërshetuara, ku dëshmitarët tregojnë historitë e tyre. Ajo çka unë do të doja shumë është që Rifat dhe Fejze Hoxha të merrnin nderimet që ju takojnë në Izrael dhe jo vetëm. Ata e meritojnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama