Berlinale guximi i nje autori shqiptar

Berlinale, guximi i nje autori shqiptar
"Amnistia" është filmi i parë me metrazh të gjatë i Bujar Alimanit. Nga dje është filmi i parë në historinë e kinemasë shqiptare që hyn në Berlinale.

"Amnistia" është filmi i parë me metrazh të gjatë i Bujar Alimanit. Nga dje është filmi i parë në historinë e kinemasë shqiptare që hyn në Berlinale. Një nga tre festivalet më të rëndësishëm në Evropë, që saç e ka të gjerë gjeografinë botërore të përfaqësimit, aq e ka të ngushtë portën e hyrjes.

Më 6 janar u bë zyrtare që kjo vepër e prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnere Greqinë dhe Francën, shfaqet premierë botërore në "International Forum" të Festivalit Ndërkombëtar në Berlin, Edicioni i 61-të, 10-20 Shkurt 2011. Lajmin e bën të ditur QKK e cila e quan një sukses dhe "eveniment të rëndësishëm për kinematografinë shqiptare".

Prandaj kryetari i QKK-së Artan Minarolli dhe regjisori Alimani që vjen nga Athina, dalin të martën në një konferencë për shtyp.

Fëmija tre muajsh i Alimanit, sepse tre muaj kanë kaluar që është informuar publiku nga sheshxhirimi i "Amnistisë" dhe vepra është e përfunduar, shënon një rekord për kohën e përgatitjes dhe rezultatin, që do gëzonte edhe më indiferentin për punët në vite të kinematografisë shqiptare. Në pranverë 2010 mori mbështetjen 120 000 € nga Eurimages, i pari projekt që është mbështetur nga Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane, sepse autori guxoi dhe konkurroi.

Më qershor u shpall fitues në QKK, edhe pse ishte rrëzuar njëherë nga një bord tjetër. Në vjeshtë nisën xhirimet me vështirësi financiare. Dhe tani premiera në Berlin.

"Amnistia" është film me buxhet të ulët dhe me staf të ri. Me përjashtim të dy aktorëve, më i vjetri i ekipit është regjisori Alimani, 41 vjeç. Zgjedhjen e të rinjve ai e ka bërë me vetëdije.

"Amnistia" është historia e një burri (Karafil Shena) dhe një gruaje (Luli Bitri) që krijojnë lidhje jashtëmartesore, ndërkohë, dy bashkëshortët e tyre të dënuar që presin të marrin amnistinë.

"Është historia e dy njerëzve që kërkojnë të moralshmen në atë që nga shoqëria quhet e pamoralshme. Janë karaktere që përpiqen të krijojnë planetin e tyre, me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje", ka thënë regjisori ndërsa xhironte filmin ndërmjet Tiranës dhe Pogradecit.

Njerëz që punojnë në periferi të Shqipërisë në vitet dymijë, marrëdhënie njerëzore në një kontekst social.

Berlinale Forum me traditë 49-vjeçare, është seksion ku prezantohen premiera botërore dhe evropiane, dhe që krijon mundësinë për të zbuluar një kinema krijuese, origjinale, provokative.

Me sa duket, filmi sa social aq edhe erotik, siç e ka përcaktuar zhanrin e tij regjisori që prej 14 vitesh jeton në Greqi, duhet të ketë kënaqur pretendimet e selektorëve.

Vështirësitë që paraqet prodhimi i një filmi në një vend të vogël pa kinema dhe spektatorë, me një prapavijë të pafavorshme historike, me klimë jo të shëndetshme për krijimin, me qarkullim përtac të ideve dhe takimeve me botën kulturore përtej Shqipërisë, kanë përligjur gjendjen aktuale. Entuziazmi i fillimit për bashkëprodhimet me të huajt ka rënë, ato pak arritje të viteve dymijë u tradhtuan në veprat e dyta e të treta të kineastëve dikur të rinj.

Regjisorët i mbajnë filmat në duar me vite. Që prej 2005-ës, kohë kur janë prodhuar "Mao Ce Dun", "Gjoleka, djali i Abazit", "Trishtimi i Zonjës Shnajder, "Sekretet", "Koha e kometës", "Kronikë Provinciale", "Ne dhe Lenini", "Gjallë", "Lindje-Perëndim-Lindje", "Maja" etj., kinemaja shqiptare nuk ka arritur të konkurrojë, po as të marrë pjesë në ndonjë festival të kategorisë B. Shikueshmëria e filmit shqiptar në këto 5 vite ka shënuar vetëm rënie.

Dëshira për të besuar në diçka që nuk të sjellë ndërmend krizën, të shtyn të shpresosh që "Amnistia" e Alimanit - autor i filmave të shkurtër: "Katoi", "Gaz", "Busulla", - të jetë gjë e re, një gjë që s'do të kishte lidhje me modelin e përfitimit dhe kafshatat e lavdisë nëpërmjet kinemasë në këtë mëhallë.

Pasaporta

Amnesty, regjisor: Bujar Alimani, Producentë: Bujar Alimani / Thanos Anastopoulos, kompanitë: 90 Productions - Shqipëri/ Fantasia Audiovisual - Greqi/ Arizona Films - Francë; 83 min.; as/regjisorë: Neritan Zinxhiria, Elena Dhimitrakopoulou; skenograf: Shpëtim Baça, as/skenograf Genti Deçka; kostumografe: Ermira Turkeshi.

Interpretojnë: Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj etj.

Berlinalja

është ngjarja më e madhe vjetore e kryeqytetit gjerman, dhe ditët e saj në shkurt, datat më të rëndësishme në kalendarin e industrisë ndërkombëtare të filmit. Më shumë se 19 000 filma nga profesionistë të 128 vendeve, që ndiqen nga 4000 gazetarë, marrin pjesë çdo vit në Berlin International Film Festival.

Festivali i takimeve dhe diskutimeve, me 300,000 bileta të shitura, me audiencën më të madhe të festivaleve në botë, përgjatë dy javëve.

Shfaqen afro 400 filma si pjesë e programit publik të Berlinales, shumë prej tyre premiera botërore dhe evropiane.

Seksionet e Berlinales kanë një profil të vetin: Konkurrimi - filma të mëdhenj ndërkombëtarë; Panorama - prodhime indipendente; Forum - një vështrim i thellë në kinemanë e vendeve "të largëta" dhe eksperimentale; Gjenerata - filma për një seksion special për të rinjtë; Berlinale Shorts - shqyrtimi i mundësive të ndryshme kinematografike.

Berlinale Co-Production Market, bashkë me European Film Market është një mjedis për të gjetur partnerë për një bashkëprodhim ndërkombëtar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama