Berisha mban ne ankth Shqiperine Vendos pas Europianit (VIDEO)

Berisha mban në ankth Shqipërinë: Vendos pas Europianit (VIDEO)


Etrit Berisha nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Shqipërisë, apo nëse do t'i bashkohet Kosovës, me të cilën ka luajtur në fillimet e karrierës së tij, para se të veshte fanellën kuqezi. Ndryshe nga kapiteni Cana, i cili ka zgjedhur Shqipërinë, portieri i përfaqësueses ka pranuar se është ende në mëdyshje se cilin vendim do të marrë, ndërsa është i pakënaqur se futbollistët shqiptarë në të ardhmen do të ndahen në dy kombëtare të ndryshme.

berisha

"Për mua, ka qenë nder që të përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Tani që është bërë kjo ndarje, nuk ndjehem në maksimum, pasi edhe po shkova te Kosova, ose të rri të Shqipëria, për mua do të jetë një lloj zhgënjimi apo nuk do të ndjehem edhe aq mirë. Kjo është një situatë e vështirë për mua. Kam qenë më parë me Kosovën, pastaj me Shqipërinë. Për mua më e mira është që të mund t'i përfaqësoj të dyja. Mendoj që vendimet për këtë do t'i marr, apo do t'i marrim, pas kampionatit", deklaroi portieri në konferencën për shtyp, duke lënë të kuptohet se vendimi për të qëndruar ose për t'u larguar mund të jetë kolegjial dhe jo individual.

Gjithsesi, Berisha, si çdo futbollist tjetër i kombëtares, po përgatitet maksimalisht për pjesëmarrjen në Euro 2016. "Është përgjegjësi e madhe. Të përfaqësosh kaq shumë tifozë është një nder por edhe përgjegjësi. Kemi bërë shumë ndeshje me kombëtaren dhe fatmirësisht gjërat kanë shkuar siç duhet. Shpresojmë që loja jonë të rritet më shumë, pasi dihet që në Evropian ka ekipe të forta dhe shpresojmë të përfaqësohemi sa më mirë aty", tha Berisha, i cili ka kaluar në plan të dytë edhe çështjen e të ardhmes së tij në klub pas Evropianit.

Etrit Berisha

"Jam i përqendruar te kombëtarja dhe ajo që dua të bëj në Evropian është të kënaqem dhe të shijoj të gjitha ndeshjet. Dua të paraqitem sa më mirë, nuk më shqetësojnë edhe aq shumë gjërat e tjera sa kualifikimi i Shqipërisë. Për të ardhmen do ta mendoj pas Kampionatit Evropian. Është e vërtetë që kam pasur shqetësime me tendinat anësore të gjurit në muajt e fundit. Por tani ndjehem shumë më mirë dhe nuk do të ketë probleme gjatë aktivitetit", garantoi ai.

Etrit Berisha Giroud

I pyetur se cilit sulmues i druhet më shumë në Evropian, Berisha ka zgjedhur lojtarët e Francës. Por ai është i ndërgjegjshëm se duhet përqendrim maksimal ndaj çdo ekipi e lojtari kundërshtar. "Unë vlerësoj më shumë, apo shikoj më shumë ekipin, jo vetëm sulmuesin. Nëse do të zgjidhja individualisht, do ishte Franca, që ka shumë individë me kualitete më mëdha, pa anashkaluar Zvicrën dhe Rumaninë që kanë lojtarë mjaft të zotë, në sulm dhe në reparte të tjera. Ne do të mundohemi sa më shumë të përgatitemi të përballojmë si sulmuesit, ashtu edhe mesfushorët dhe mbrojtësit që mund të jenë ndëshkuesit tonë", theksoi portieri i kombëtares.

Ai është i sigurt që miqësia me futbollistët shqiptarë të Zvicrës, nuk do të jetë pengesë për objektivat e kombëtares. "Kam pasur kontakte me Shaqirin për sa kohë që ai ishte te Interi, por nuk kemi folur asnjëherë për kombëtaret. Ka shumë lojtarë shqiptarë te Zvicra, por ne do të shohim punën tonë dhe do të përpiqemi në maksimum për të fituar ndeshjen ndaj tyre", premtoi Berisha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama