Bergman dhe gjithe shqiptaret e Berlinales

Bergman dhe gjithe shqiptaret e Berlinales
Festivali i Berlinit hapet sot zyrtarisht. Homazh Ingmar Bergmanit. Gjithçka që shfaqet nga Shqipëria dhe artistët e rinj shqiptarë

Mjeshtri

Sot hapet Berlinalja, edicioni i 61 i Berlin International Film Festival. Është njoftuar tashmë se aty shkojnë një mori shqiptarësh. Si asnjëherë, prania e artistëve shqiptarë me punët e tyre, me arritjet individuale.


Të rejat nga ky front mbeten për t'u parë gjatë ditëve Belinales 10-21 shkurt.
Ka një ngjarje Berlinalja, retrospektivën që ia kushton një diamanti të kinemasë, regjisorit suedez Ingmar Bergman. "Filmi si jetë dhe jeta si film" quhet prezantimi në disa plane i regjisorit që "e çliroi kinemanë nga konvencionet drejt një forme të re artistike, e cila për shumë kineastë shënoi një botë të re".

Retrospektiva është kuruar nga regjisori Rainer Rother me synimin për të vënë në dukje momentet kulmore dhe më të rëndësishme të krijimtarisë së Bergmanit, konceptet estetike dhe pse modeli i këtij "klasiku modern", si e patën quajtur përfaqësuesit e Valës së Re në Francë, pati shumë ndikim te kineastët.

Pjesë e prezantimit, veç shfaqjes së filmave të tij, është ekspozita "Ingmar Bergman - Truth and Lies", me materiale nga Bergman Foundation dhe Sëedish Film Institute, të cilat nuk janë ekspozuar më parë.

Në katalogun e ekspozitës përfshihen një sërë intervistash me regjisorë si Michael Haneke, i cili e vlerëson Bergman si model për përshkrimin e raporteve personale. Hans-Christian Schmid kishte studiuar "Through a Glass Darkly" ndërsa përgatitej për filmin e tij "Requiem". Margarethe von Trotta adhuronte portretizimin e konflikteve të ndërgjegjes dhe përshkrimin e karaktereve të forta femërore.

"Shumë nga filmat e Bergmanit nuk ishin të lehtë për spektatorët e kohës - për shembull përdorimi i shpeshtë i operacioneve ekstreme formale si metoda stilistike të referencave të tij personale" thotë kuratori Rother. "Unë besoj se Bergman është shumë i qartë. Ai vë në fokus konfliktin bazë që është i qenësishëm për subjekte të ndryshme, pa shtuar informacion të panevojshëm.

Pika e tij e nisjes është gjithnjë njeriu, karakteret dhe historitë e tyre dhe ai përpiqet t'i shfaqë sa më thjesht dhe drejtpërdrejtë të jetë e mundur." Rother i referohet filmave "Life of the Marionettes" i thjesht për nga aspekti i formës dhe "Fanny and Alexander" që rezulton një kinema e pasur, e prodhuar dy vjet pas të parit, por që është i ndryshëm në shumë aspekte.

Shfaqet edhe dokumentari i Stig Björkman-it i cili tregon "se sa jashtëzakonisht skrupuloz dhe punëtor organizator ishte Bergman". Shumicën e filmave të tij i xhiroi vetëm me dy operatorë si Gunnar Fischer në fillim dhe Sven Nykvist, me të njëjtët kostumograf dhe skenograf, realizoi 40 filma dhe 20 prodhime televizive, vepra për teatër. Po shkroi libra autobiografikë dhe shumë skenarë.

Në teatër punoi me të njëjtët aktorë që pati në filma: Bibi Andersson, Harriet Andersson, Gunnar Björnstrand, Eva Dahlbeck, Gunnel Lindblom, Max von Sydoë dhe Ingrid Thulin. Regjisori i "The Seventh Seal", "Persona", "The Silence", "Scenes from a Marriage" etj., etj., i vlerësuar me dy Oskar, nga Berlinalja ka vetë një moment për t'u shënuar: "Wild Strawberries" fitoi më 1958 Ariut të Artë.

Një vend i vogël

Është hera e parë që kinemaja shqiptare hyn në Berlinale dhe përfaqësimi i saj është i larmishëm. Gjithsesi kjo është meritë e një brezi të ri kineastësh dhe aktorë të tjerë të kinemasë. Strukturat shtetërore të kinemasë janë pozitën e vrojtuesit.

Megjithatë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është njoftuar se nga sot deri më 18 shkurt, QKK merr pjesë me një stendë individuale në kuadër të Tregut Ndërkombëtar të Filmit i cili organizohet paralel me Festivalin e Berlinit. Ky është promovim i Kinematografisë Shqiptare në arenën ndërkombëtare, një stendë që siç është njoftuar do të vendoset në Hotel Marriot. Stenda ofron një hapësirë për takime të kineastëve dhe producentë shqiptarë me profesionistë të fushës

Prezantimi i protagonistëve dhe historive nga Shqipëria është në disa seksione të rëndësishme brenda Berlinales dhe aktiviteteve satelite.

Në Konkurrim është Falja e Gjakut (The Forgiveness Of Blood), SHBA, Shqipëri, Danimarkë, Itali, 2010, 109 min. Regjisor: Joshua Marston; në role: Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi, Ilire Vinca Çelaj; Skenari: Joshua Marston, Andamion Murataj

Filmi shfaqet premierë më 18 shkurt, ora 16.30 në Berlinale Palast dhe në datat 19-20 shkurt. Një vështrim i thelluar në temën e gjakmarrjes. Gjithçka në shqip dhe në Shqipëri. Në Forum - Amnistia, Shqipëri, Greqi, Francë, 2011, 83 min. Regjisor Bujar Alimani; në role: Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska. Filmi shfaqet premierë më 12 shkurt në një orë të mirë, 19:15 në CineStar 8 (E), pastaj gjatë ditëve 13, 15 dhe 19 shkurt. Debutimi i Alimanit në filmin e gjatë ka në fokus një marrëdhënie të brishtë njerëzore në mjedis të ashpër shqiptar. Perspektiva e Kinemasë Gjermane - Shqiptari (Der Albaner) Gjermani, Shqipëri, 2010, 104 min. Regjisor: Johannes Naber; në role: Nik Xhelilaj, Xhejlane Terbunja, Ivan Shvedoff, Amos Zaharia. Shfaqet më 20 shkurt, ora 19:30 në CinemaxX 3 (D).

Ky është seksion për kineastët e rinj gjerman. "Shqiptari" i ambientuar në terrin e magazinave të emigrantëve në Gjermani dhe maleve të Shqipërisë, është filmi i parë i gjatë i Naberit. Talent Campus - Gentian Koçi, i diplomuar prej dy vitesh në "Maurbi" ka konkurruar ndërmjet 3900 aplikantëve dhe fitoi për të qenë ndër 350 të rinjtë që marrin pjesë në këtë miting paralel me Berlinalen. Koçi shkon aty "me forcat e tij". Prezanton projektin e tij të ardhshëm për film të gjatë artistik. Talent Campus është një Akademi gjatë ditëve të Berlinales që krijon mundësi për t'u takuar me profesionistë me përvojë, për t'u bërë pjesë e trajnimeve, diskutimeve. Konsiderohet një investim për të ardhmen e kinemasë.

Nik Xhelilaj, protagonist në "Shqiptari" është i pranishëm në Berlinale si një nga 10 talentet e aktrimit evropian, "Shooting Stars", pikërisht me rolin e Arbenit te vepra e Naberit. Berlinalja është vendi i promovimit të këtyre talenteve dhe mundësi për më tej për aktorin e ri shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama