Ballkani ne ekranin e madh te Brukselit

Ballkani në ekranin e madh të Brukselit

Tre ditë me kinemanë ballkanike në Bruksel. Nga (21-23 prill) nisin në kryeqendrën e Evropës, Ditët e Filmit Ballkanik. Janë 8 filma, që kanë bërë bujë në vendet e tyre. Vijnë pikërisht nga Serbia, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia. Kinemaja shqiptare prezantohe me dy nga filmat më të mirë të dekadës së fundit. Bëhet fjalë për filmin "Parullat" të Gjergj Xhuvanit dhe "Gjoleka, djali i Abazit" me regji të Dhimitër Anagnostit. Sipas organizatorëve ky aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian, nderon kinemanë e këtij rajoni evropian, duke shfaqur disa nga prodhimet më të mira të kinemasë bashkëkohore. Për këtë qëllim janë përzgjedhur "Armin" nga Kroacia, prodhim i vitit 2007 me regji të Ognjen Sviličić, filmi serb "Huddersfield" me regji të Ivan Živković, gjithashtu prodhim i një viti më parë, filmi maqedon "Les Ombres" ("Hijet") i regjisorit Milčo Mančevski, 2007, "Gjoleka, djali i Abazit" me regji të Dhimitër Anagnostit, 2006, "Grbavica – Sarajevo, mon amour" ("Grbavica – Sarajevo, dashuria ime) me regji të Jasmila Žbanić, Bosnje-Hercegovinë 2006, "Songe d'une nuit d'hiver", ("Ëndërr e një nate dimri") i regjisorit Goran Paskaljeviç, Serbi 2004, "Tout est gratuity" ("Gjithçka është falas"), Antonio Nuić, Kroaci 2006 dhe "Parrullat" e Gjergj Xhuvanit. Ky i fundit është edhe filmi më i "vjetër" i aktivitetit, prodhim i vitit 2001.

Për organizatorët, "Ditët e Kinemasë ballkanike" nuk pretendojnë të prezantojnë në mënyrë të shterueshme prodhimtarinë kinematografike të Ballkanit perëndimor, por tentontë dhurojë një pamje të pasurisë së kinemasë së këtij rajoni. Gjithashtu këto prodhime ndihmojnë të shohësh me një sy tjetër zhvillimet në rajon dhe pse jo të rrëzosh edhe klishe. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë prezantuar më parë në disa festivale ndërkombëtare, mes të cilëve ai i Berlinit, Selanikut, Romës, Kanës, apo Sofies dhe regjisorët e tyre janë nderuar me çmime. Por nuk është thjesht kjo arsye e seleksionimit të këtyre filmave. Sipas organizatorëve, ky brez krijuesish të Evropës Juglindore ka zgjedhur zhanre dhe mjete të ndryshme shprehëse për të përshkruar zhvillimet sociale, politike dhe kulturore të rajonit. "Një përzierje e sarkazmës dhe humorit, pesimizmit dhe optimizmit, është karakteristika kryesore e kësaj kinemaje". Në këtë linjë janë edhe filmat shqiptarë, ku absurdi i komunizmit tregohet me nota humori tek parullat e po kështu traditat patriarkale tek filmi i Anagnostit. "Grbavica – Sarajeva, dashuria ime" tregon për marrëdhënien mes një nëne dhe vajzës së saj, "Hijet" protagonisti tenton të flasë me vdekjen, ndërsa tek "Ëndërr e një nate vere" shpaloset një fabul dritë-hijesh, mbi mungesën e komunikimit.

Ditët e filmit hapen sot me prodhimin kroat "Armin", ndërsa filmi i Anagnostit, ku interpretojnë aktorët Artur Gorishti, Roza Anagnosti, Enxhi Agushi, etj., do të shfaqet nesët në orën 18.00. "Parullat" e Gjergj Xhuvanit, ku interpretojnë Luiza Xhuvani, Artur Gorishti, Birçe Hasko, Robert Ndrenika, Niko Kanxheri, etj., shfaqet ditën e fundit në orën 15.30. Filmat do të projektohen në gjuhën origjinale dheanglisht e frëngjisht. Ky aktivitet, që organizohet në Flagey, Bruksel, organizohet nga Komisioni Evropian (Drejtoria e përgjithshme për zgjerimin e KE-së) në bashkëpunim me Balkan Trafik Festival.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama