Bajern Mynih 9 kandidate per tri pozicione thelbesore

Bajern Mynih, 9 kandidatë për tri pozicione thelbësore

Sebastian Rode, Medhi Benatia, Jan Kirshof dhe Pierr-Emil Hojbjerg janë katër aktorët e parë që kanë lënë skenën e Bajernit të Mynihut, në pritje që brenda 48 orëve të konfirmohet edhe largimi i Mario Gëces. Duke qenë se Bajerni ka afruar vetëm Mats Humelsin dhe Renato Sançesin këtë verë dhe me mungesat afatgjatë të Zherom Boatengut, Duglas Kostës dhe Arjen Robenit, Karlo Ançeloti nuk mund ta quajë kurrsesi të mbyllur merkaton e verës për një skuadër që synon tripletën.

anceloti stervitje

Merkato e hapur

Pas një takimi mes Karlo Ançelotit dhe Karl-Hainc Rumeniges javën e shkuar, trajneri e pranoi: "Merkatoja mbyllet në fund të gushtit, kështu që duhet të presim. Por, në këto momente, nuk kemi folur për lojtarë të rinj. Aktualisht, unë po punoj me kontingjentin që kam. Do të shohim në ditët e ardhshme se çfarë do të ndodhë". Një deklaratë të tillë e mbështeti edhe vetë Rumenige, i cili e la të hapur përforcimin e skuadrës.

Mbrojtja

Por cilat janë rolet ku do tentojë për përforcohet skuadra dhe emrat e kandidatëve të mundshëm që mund të vijnë këtë verë në Mynih. Le ta nisim me Loran Koshielnin, qendërmbrojtësin e Arsenalit, i cili është i fundit ndër emrat e përfolur për të zëvendësuar Benatianë e rikthyer në Serinë A. 30-vjeçari është në vitin e fundit të kontratës së tij në "Emirates" dhe vlera e kartonit të francezit llogaritet te 22 milionë eurot. Alternativë e lakuar prej kohësh është ajo e Kalidu Kulibalit të Napolit. Por presidenti Aurelio De Laurentis nuk e lë të lirë senegalezin 25-vjeçar për më pak se 45 milionë euro.

koshielni

Edhe Xhejzon Murijo i Interit është një emër që është përfolur për një transferim në Mynih që në muajin mars. Kolumbiani 24-vjeçar është një nga lojtarët që i pëlqen personalisht Karlo Ançelotit. Por nga 8 milionë euro që i kushtonte kartoni, tani Interi nuk e lëshon për më pak se 18 milionë euro. Edhe Rafael Varan është një dëshirë e vjetër e trajnerit italian, i cili e ka stërvitur francezin në "Bernabeu". Por ai konfirmoi personalisht dje se do të qëndrojë në Madrid.

Mesfusha

Bajerni këtu është i dubluar në çdo rol. Por Roben dhe Kosta janë dy lojtarë të dëmtuar për momentin dhe me siguri do ta kenë të vështirë të jenë gati për fillimin e sezonit. Me Komanin që vijon pushimet dhe Gëcen që pret vetëm të zyrtarizohet te Dortmundi, skuadra ka edhe problemin e moshës së Riberisë (33 vjeç), i cili nuk jep shumë garanci. Aleksis Sançez i Arsenalit është një emër i vjetër i dëshirave të Bajernit, por me një klauzolë prej 55 milionë eurosh është shumë i shtrenjtë për gjermanët.

cropped_REU_2339967

Për Leroi Sanenë, Bajerni është rikthyer sërish në valle, pavarësisht se 20-vjeçari ka një akord me Mançester Sitin. Edhe për talentin e Shalkes nuk ka skonto nën 50 milionë eurot. Por ka edhe një emër si Gabriel Zhezus, i cilësuar si "Nejmari i ri", edhe pse për transferimin e tij kërkohet kohë. 19-vjeçari i Palmeirasit është i renditur prej kohësh në listën e gjermanëve, por destinacioni i tij për momentin mbetet Brazili. Vlera e tij në merkato është 8 milionë euro.

Sulmi

Me një prej qendërsulmuesve më të mirë në botë në skuadër, Robert Levandovski, Bajerni duket thënë se polakun e ka të parin dhe të fundit lojtar klasi në repartin e avancuar. Tomas Myler luan më shumë një rol mbështetësi nga krahu. Por edhe një sulmues model për sa i përket gjendjes fizike si Leva ka nevojë për pushim gjatë sezonit dhe kandidat për ta zëvendësuar polakun është Havier "Chicharito" Hernandez. Sulmuesi meksikan bëri një sezon të shkëlqyer me Bajer Leverkusenin. Vlera e tij në merkato është 18 milionë euro dhe për përvojën që ka edhe në Champions me klube si Reali dhe Mançester Junajtid, nuk është aspak i shtrenjtë për xhepat e Bajernit. Problemi është nëse "aspirinat" do ta lënë të lirë, sepse duket se nuk do të dorëzohen lehtë.

chicharito-goal-ucl-bayer-debut

Romelu Lukaku është me valixhe në duar dhe babai i tij e ka pranuar shpesh se do dëshironte një të ardhme te Bajerni për djalin e tij 23-vjeçar. Vlera e tij në merkato është 40 milionë euro, por Evertoni pretendon shumë më tepër. Pastaj ka edhe një emër tjetër: e kush nuk do ta donte një bomber si Herri Kejn në skuadër? Bajernit i ka interesuar gjithnjë sulmuesi 22- vjeçar, i cili e mbylli sezonin e fundit të Premier Ligës me 25 gola. Në letër, mediat gjermane e vlerësojnë kartonin e talentit të Totenhemit 40 milionë euro, por më mirë këtë të mos e dëgjojnë në Angli, sepse do të nisin të qeshin: në kampionatin më të pasur të botës, shifra të tilla paguhen për lojtarë mesatarë dhe jo për sulmues si "Hurricane".

Përgatiti: ANDROKLI DRALO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama