Astrit Omeri te fshehtat e arkivit me 12 mije xhirime

Astrit Omeri, te fshehtat e arkivit me 12 mije xhirime
Një ndër operatorët e parë të RTSH-së, Omeri, ka shumë për të folur. Por më shumë se ai vetë, flet një arkiv prej 12 mijë regjistrimesh që i ka lënë këtij televizioni. Kronika lajmesh, kronika sportive, reportazhe, dokumentarë, përfshirë edhe telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate”. Shumë xhirime nuk janë shfaqur ndonjëherë

Astrit Omeri është në prag të 70-ve, por nuk e ka lënë ende kamerën. Një ndër operatorët e parë të RTSH-së, Omeri ka shumë për të folur. Por më shumë se ai vetë, flet një arkiv prej 12 mijë regjistrimesh që i ka lënë këtij televizioni. Kronika lajmesh, kronika sportive, reportazhe, dokumentarë, përfshirë edhe telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate”, në një bashkëpunim me regjisorin Ylli Pepo. Me kamerën e tij, Astrit Omeri ka fiksuar Shqipërinë anembanë, por edhe aktivitetet realizuar jashtë vendit. Shumë xhirime nuk janë shfaqur ndonjëherë. Janë më shumë se 45 vite karrierë, në të cilat i ka qëlluar të jetë pionier i disa prej zhvillimeve në këtë televizion. Paralelisht me kamerën, ai mbeti sportist. Angazhimi që në rininë e hershme bën që të mbajë sot titullin Mjeshtër i Merituar i Sportit dhe të jetë nderuar me medaljet “Naim Frashëri” i klasit të II dhe të III. Në këtë përvjetor(mbush plot 70 vjet më 18 prill) Astrit Omeri tregon rrugëtimin e profesionit të tij.

Janë 70 vjet jetë dhe rreth 45 vjet karrierë. Në këto rrethana, njeriu mendon për ato që ka bërë apo ato që duhet të bëjë akoma?

Ato që kam bërë kanë kaluar. U kthehem vetëm me raste të caktuara retrospektive. E vërteta është që çdo ditë mendoj për të nesërmen. Ky është bërë promotori i jetës sime që më mban të gjallë.

Për shumë vite keni punuar me kamerën dhe keni bërë mijëra regjistrime. Si lindi ky pasion?

Unë kam mbi 40 vjet në televizion, por jeta ime nuk fillon këtu. Kam filluar të punoj shumë i vogël, ndërsa të gjithë arsimin përkatës e kam mbaruar me korrespondencë. Në vitin 1959, Kinostudio kërkonte një aktor figurant për vendet malore, sepse po xhirohej filmi “Furtuna” dhe pala ruse nuk donte të sillte njerëz nga Rusia. Mes pesë shokëve të mi të përzgjedhur, isha edhe unë. Xhirimet zgjatën rreth 6 muaj dhe fillimisht u dashurova me punën e piroteknikut, por më tërhoqi vëmendjen edhe kamera. Shihja me kureshtje si ndërtonin tanke në miniaturë, si imitonin shpërthimin e një ure. U dashurova shumë. Unë jetova gjatë me këtë ëndërr, sepse më thirrën ushtar për dy vjet në Burrel. Përditë mendoja nëse një ditë do të arrija të bëhesha operator i Kinostudios, duke qenë se me fotografinë isha i familjarizuar nga tradita familjare. Punova për ca kohë në Tiranë në Uzinën elektro-teknike, ndërsa televizioni që ishte në hapat e parë kërkonte një njeri të bënte ndërlidhjet e sinjalit në Dajt e në zona të tjera. Zanafilla e punës time si operator u bë një kërkesë që i drejtova Drejtorit të Përgjithshëm, Thanas Nanos, për një ngjitje alpinistike në Alpet e Veriut më 1966. Më besuan një kamerë. Ky ishte reportazhi i parë televiziv që unë prura në ekran. Njerëzit panë jetën në Theth, Dukagjin, Kelmend, e pamundur për një pjesë të madhe. Thanas Nano më kërkoi që të vazhdoja të ndiqja këtë punë dhe u caktova kryesisht si kronist sportiv. Më tej kalova në emisione sportive, por edhe në kronika lajmesh në të gjithë vendin. Vitet rrodhën dhe çdo herë sillja diçka të re, xhirova në nëndetëse, xhirova në ajër më 24 prill në ditën e aviacionit, kam shëtitur në të gjithë Shqipërinë duke i mëshuar natyrës së bukur dhe aspektit turistik. Nga operator, kameraman dhe më tej drejtor fotografie, në prag të pensionit, në vitet 1990-1994, regjisori Ylli Pepo më qëndroi pranë. Kemi bërë një sërë dokumentarësh brenda dhe jashtë vendit, derisa erdhi koha që të krijohej telenovela e parë shqiptare, “Njerëz dhe fate” me 20 seri që për mua qe e suksesshme.

Është një arkiv e tërë me regjistrimet tuaja. Sa gjëra të pashfaqura ka?

Ka shumë gjëra që nuk mund të përshkruhen me fjalë. Unë jam autor i 12 mijë reportazheve që variojnë nga 3 minuta deri në 30 minuta (përfshirë kronikat e lajmeve, reportazhet, filmat dokumentarë, dokumentarë artistike e deri te filmi me seri). Arkiva e Televizionit Shqiptar është pronë e të gjithëve dhe nuk duhet trajtuar ndryshe. Por unë vazhdoj të jem aktiv edhe sot. Vetëm nga vitit 2000 kam realizuar rreth 50 filma artistikë dhe prej 16 vjetësh, edhe pse jam në pension vazhdoj të angazhohem në RTSH me projekte. Vetëm këto tre muajt e fundit kam mbaruar një dokumentar për Tetovën, një film artistik me metrazh të shkurtër për televizionin e Shkupit dhe dy dokumentarë për Elbasanin. Kjo më frymëzon e më jep shpresë për të ardhmen.

Nga arkivat e RTSH shumë regjistrime janë humbur. Jeni dëmtuar edhe ju nga ky fakt?

Do të tregohesha i ashpër të thosha u vodhën apo u shpërdoruan, por po them se janë treguar të pakujdesshëm. Aty ka filma të mi shumë të rrallë që nuk janë transmetuar. Kujtoj vetëm njërin, të cilin o e punoj së fundmi, “Aksident në mal” që tregon për aksidentin e alpinistëve në Jezercë dhe gjithë ndihmën që ju dha. Ka 35 vjet pa transmetuar. Fatkeqësisht apo fatmirësisht unë e mora e mbajta në shtëpi, sepse ishin copa filmi që duhet të hidheshin. Kam xhiruar “really”-n çiklistik të Austrisë ku ekipi ynë merrte pjesë për herë të parë që nuk u transmetua asnjëherë, takimi i volejbollit në Linz të Austrisë që po ashtu nuk u shfaq. Ka shumë gjëra.

Si një ndër operatorët e parë të RTSH-së, ju keni qenë edhe pranë udhëheqësve të asaj kohe. Në fakt, sa gjëra keni parë që nuk keni mundur t’i transmetoni?  

Është një pyetje që na e bëjnë shpesh njerëzit, me kureshtjen për të ditur se si ishte sjellja e tyre me ne dhe çfarë qëndrimi mbanim ne(hipokrit, servil apo me mospërfillje të brendshme). Duhet kuptuar qartë që në atë periudhë ishte vetëm një televizion, unë mbuloja rubrikën sportive, kronikat e lajmeve dhe ishim vetëm dy-tre operatorë që ishim pranë udhëheqjes së asaj kohe. Duhet të pranojmë që tërthorazi ishim të privilegjuar, paguheshim mirë dhe merrnim një pension po të mirë. Por si dëshmitarë okularë, nëse flasim pa akses politik, në darkë vija me shpirt të brengosur. Unë bëja një jetë mesatare në familje, por kur kujtoja që kishte fshatarë që jetonin me 20 lekë dita, ishte kontrast shumë i madh. Pas vitit 1974, ekonomia ra shumë dhe unë kam parë me sytë e mi shumë gjëra që nuk u pasqyruan në ekran dhe kjo më ka rënduar. Nuk kam folur atëherë. Unë kam parë mjerimin e vërtetë anembanë Shqipërisë. Pas viteve ‘83-‘84 kur Ramiz Alia u bë President i Republikës, u zgjodhëm bashkë me Gazmend Shtinon për të xhiruar aktivitetet e shumta, por edhe Kongreset e Partisë.

Pavarësisht punës në televizion ju jeni Mjeshtër i Merituar i Sportit. Si kanë bashkëjetuar këto dy pasione?

Me pak modesti, do të thosha që sporti është ai që më ka dhuruar këtë që kam sot. Sporti më dhuroi rininë time, kamera ma pasuroi. Të dyja nuk bëjnë pa njëra-tjetrën. Tashmë nuk janë më kamerat që rëndonin nga 14 kile, por gjithsesi, unë vazhdoj të punoj. Dje kam ushtruar forcën fizike, sot forcën mendore dhe eksperiencën. Punon shëndeti për dëshirat dhe pasionet e mia.

Cila është ndjesia që ju jep sot kjo punë e bërë?

Kam emocionin, sepse në qoftë se dikur mendoja për 10 apo 20 vitet e ardhshme, dua të jem i sinqertë kur ju them se tani uroj që të jem mirë nga një ditë në tjetrën.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama