Arti i ruajtjes

Arti i ruajtjes
Ruajtja dhe dixhitalizimi pa perspektivë i pasurisë filmike. Përfaqësuesi i Institutit Kombëtar Audiovizual në Francë Michel Dauzats inspekton gjendjen në Arkivin Qendror të Filmit dhe Radio-Televizionit. Në këtë gjendje, është një pasuri që pak i shërben publikut.

Michel Dauzats, menaxheri i projektit të trashëgimisë në Institutin Kombëtar Audiovizual të Francës (Institut National de l'Audiovisuel, INA) ndodhet në Shqipëri qysh prej dy ditësh për të vëzhguar ecurinë e procesit të dixhitalizimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe fillimin e këtij procesi në Arkivin e Radios dhe Televizionit Shqiptar.

Me të është Flora Losch, një vajzë e re që bën stazhin pranë institucionit më të rëndësishëm të ruajtjes së materialeve filmike të Radios dhe Televizionit në Francë. Deri më tani, Dauzats ka parë magazinat ku ruhen filmat në AQSHF dhe Radio-Televizion dhe mendon se duhet patur më tepër kujdes në ruajtjen e materialeve.

Në Arkiv, ka gjetur një infrastrukturë dhe një sistem klimatizimi të përshtatshëm, por edhe pak problem me "lagështirën në magazina". Muret duhet të izolohen, pasi lagështira është një rrezik potencial për dëmtimin e materialeve filmike", thotë specialisti. Ndërsa, në Arkivin e Radio-Televizionit Shqiptar, Dauzats mendon se ka punë për t'u bërë: "Duhet siguruar një konservim i mirë, i materialeve të Arkivit, para se të kalohet në procesin e dixhitalizimit. Mungon sistemi i aklimatizimit për ruajtjen e filmit në 16 mm." Specialisti i INA-s duket i matur në zgjidhjet që propozon. Ai i këshillon drejtuesit e Arkivave të mendojnë për perspektivën.

"Për momentin, ju keni zgjedhur një lloj dixhitalizimi i cili plotëson nevojat tuaja imediate, sipas kërkesave që keni. Këto nuk janë shumë jetëgjata dhe do të duhej një tjetër lloj dixhitalizimi. Ky format që keni zgjedhur për të dixhitalizuar materialet mund t'u plotësojë kushtet vetëm për momentin", i thotë Dauzats, nëndrejtorit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Flori Slatina.

Deri tani është përdorur telecina (aparatura që bën hedhjen e materialit në formatin AVI), e cila bën të mundur procesin e hedhjes së materialit filmik në format dixhital, nga kopja pozitive, jo nga negativi, duke mos siguruar një cilësi të mirë të materialit të ruajtur.

"Duhet një mekanizëm, një makineri më e kohës, që ne të marrim një cilësi shumë të mirë filmi nga negativi", shpjegon Slatina.
Dauzats me të drejtë shtron pyetjen: "A është ky formati i duhur për të siguruar ruajtjen e cilësisë në kohë?"

Për përshpejtimin e procesit të dixhitalizimit, ai propozon angazhimin e më shumë punonjësve të kualifikuar dhe përdorimin e teknologjisë moderne. Instituti ku ai punon është ndër arkivat më të mëdhenj dixhitalë të Francës. INA ruan 3.5 milionë orë regjistrim të Televizionit dhe Radios Franceze. Çdo vit, depozitohen 800.000 orë transmetim.

Në fund të bisedës, Dauzats theksoi se dixhitalizimi bën të mundur shfrytëzimin e pasurisë arkivore dhe shërbimin e saj për publikun, nëpërmjet kinematekave ose internetit. Si shembullin më të mirë merr Kinematekën Franceze, që ka krijuar tri salla të veçanta ku shfaqen filma, organizohen festivale, ekspozita, aktivitete që afrojnë publikun me kinemanë. Këtu qëndron vlera e kësaj pasurie: "Ndarja me publikun".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama