Arta Dobroshi Ju rrefej per Festivalin e madh te Filmit

Arta Dobroshi: Ju rrëfej për Festivalin e madh të Filmit

Mënyrë origjinale për ta pritur shqiptaren e parë që shkeli në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës. Quhet Arta Dobroshi, është 28 vjeçe, ka lindur në Prishtinë dhe ka bukurinë e një ylli të Hollivudit. Po kështu, edhe sharmin dhe një buzëqeshje të pakrahasueshme. Në Kanë ajo u shfaq mes dy çifte meshkujsh, me buzët në faqet e saj. Së pari, dy vëllezërit regjisorë, Jean-Pierre Dardenne, Luc Dardenne e aktorja Arta Dobroshi dhe më pas dy kolegët e saj aktorë në filmin e quajtur "Heshtja e Lornës", Fabrizio Rongione Jeremie Renier. Me qindra intervista ka dhënë ajo, sa kohë që ka qëndruar në Kanë e madje ishte e ftuar edhe në "Canes Jounal" emisionin e famshëm televiziv që i kushtohet tërësisht Festivalit të përvitshëm të Kanës.

Ju jeni shqiptarja e parë që shkelni në tapetin e kuq të Kanës, i cili është bërë vetëm për yjet. A mund të na e përshkruani pak, çfarë emocioni të krijon kjo gjë? E kemi dëgjuar deri më tani vetëm nga goja e artistëve të huaj?

Është një emocion shumë i madh. E gjitha duket si një përrallë. Atmosfera krijohet edhe me pak muzikë alla "Harri Potter". Ka qenë diçka shumë e bukur për mua, pasi kemi qenë i gjithë ekipi bashkë. Kjo ishte me shumë rëndësi. Ke 200 fotografë anash që bërtasin e bërtasin dhe thërrasin emrin tënd, kështu që është shumë me rëndësi ta marrësh lehtë, pasi ashtu e përjeton më mirë, pasi ka edhe njerëz që e marrin me shumë stres dhe kjo iu krijon vështirësi.

Çfarë trajton filmi ku ju luani aktoren kryesore dhe pse keni besuar se ju rri mirë ky rol?

Filmi "Heshtja e Lornës" mbështetet mbi një tregim për një vajzë nga Shqipëria, e cila ka emigruar në një qytet të vogël në Belgjikë, Liezh. Filmi trajton mbijetesën e saj në kushte jonormale. Është një vajzë mes katër meshkujve, por ka dhe një qëllim, shkon drejt drejt tij, asgjë tjetër nuk sheh dhe dalëngadalë ajo fillon të ndryshojë.

Ju kësaj radhe keni luajtur përkrah aktorëve të huaj, por edhe regjisorëve të huaj. Ndërkohë, më parë kemi bashkëpunuar edhe me shqiptarë. Çfarë ndryshimi keni konstatuar ju?

Çdo film ka eksperiencën e vet. Dicka ka qënë shumë e mirë në këtë film: kam pasur prova një muaj e gjysmë përpara fillimit të xhirimeve, gjë që është një luks për shumë filma dhe më pas muaj xhirime. Plus kësaj, më është dashur të mësoj frëngjisht, gjë që mi ka marrë dy muaj. Për sa iu përket dallimeve mes aktorëve shqiptarë dhe të huaj, mendoj se nuk ka. Kam punuar me aktorë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk mund të them se ka ndonjë dallim. Rëndësi ka atmosfera e xhirimit dhe për mua ka shumë rëndësi skenari, ngjarja. Aty përkushtohem më së shumti. Aktori, toni, drita, kamerat janë dytësore.

Ju deklaruat në një konferencë për shtyp se ndiheni qytetare e botës, por, gjithsesi, nuk mund ta përjashtoni faktin se jeni nga Kosova dhe ky emër ende shkakton një lloj ndjesie në ambiente të ndryshme, qoftë edhe ai i Kanës. A e ndjetë ju këtë gjë?

Prapë e them se ndihem qytetare e botës dhe të gjithë ne jemi qytetarë të botës, por janë kufijtë që na ndajnë. Po normal është folur se unë vij nga Kosova, s‘mund ta mohoj këtë, por ishte si të vija nga Franca, është prit shumë mirë filmi dhe roli që kam luajtur. Kjo ju ka bërë shumë përshtypje gazetarëve.

Por, në një emision ku ishte i ftuar edhe regjisori i njohur serb, Emir Kosturica, ju patët pyetje provokative nga gazetari rreth çështjes së Kosovës?

Provokative! Ju duket njerëzve interesant. Po kam qenë në një emision dhe gazetari na tha. Ti je shqiptare nga Kosova, kurse t‘i je serb. Çfarë mund t‘i thoni njëri-tjetrit? E vetmja gjë çfarë mund të thosha dhe prapë do ta them është se ne jemi qenie njerëzore dhe kjo është gjëja më kryesore, të tjerat janë dytësore ,sidomos për mua si aktore. Ne duhet të jemi të hapur të heqim kufijtë.

Por jo të njëjtën gjë tha dhe Kosturica. Çfarë menduat në ato momente?

Asgjë. Vërtet jo. Është shumë individuale, është shumë personale. Nuk mund t‘i përzihem askujt në punët e tij dhe as të tjerët në punën time. Kryesore është se si jam ndier në ato momente. Për mua është e rëndësishme që merrja pjesë në film, pasi nuk është e lehtë, sepse konkurrojnë me mijëra filma dhe marrin pjesë vetëm 22.

Dakord, por publiku këtu në Kosovë ju ka parë si ambasadoren e tyre...

Shumë mirë. Po kënaqem me reagimin e njerëzve në rrugë. Më ndalin rrugës njerëzit dhe po më urojnë. Kjo më jep një kënaqësi të dyfishtë dhe për më tepër që ju kam dhënë një farë shprese edhe artistëve të tjerë që Kana është e arritshme.

Filmi "Heshtja e Lornës" pati një sukses mjaft të madh dhe natyrisht gjuetarët e talenteve këto lloj aktivitetesh i shfrytëzojnë apo jo. A të janë ofruar projekte të reja gjatë atyre ditëve?

Tani do të merrem me promocionin e filmit, pasi ende nuk ka dalë në Belgjikë dhe Francë, por tani s‘mund të flas për projektet në të ardhmen. Por me këtë rast dua të përshëndes gjithë Shqipërinë, pasi gjithmonë më ka mbështetur.Gjyshja ime është nga Shqipëria.

Emri juaj si aktore ishte përkrah yjeve të Hollivudit si Anzhelin Zholi, kur konkurruat për "Palmën e artë". Çfarë do të thoshte kjo për ty?

Do të thoshte se jemi kthyer në normalitet. Kjo është diçka normale, kështu duhet të jetë. Ka qenë nder për mua që të jem përkrah aktoreve shumë të mira, që unë i respektoj profesionalisht dhe në të njëjtën kohë është shumë normal, pasi kështu duhet të shkojnë punët. Nëse nuk e kemi pasur rastin deri tani, fati po e do që ta kemi tani.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama