Armando Vajushi eshte Topi i Arte shqiptar per vitin 2011

Armando Vajushi eshte 'Topi i Arte' shqiptar per vitin 2011
Armando Vajushi është futbollisti më i mirë i vitit 2011. Ky është verdikti i dhënë në një mbrëmje “Gala” të zhvilluar nga Federata Shqiptare e Futbollit në orët e para të mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Sulmuesi i Vllaznisë triumfoi në konkurrencën ndaj portierit të Skënderbeut, Orges Shehi. Këta ty futbollistë ishin të nominuarit e vetëm për çmimin e “Lojtarit të Vitit 2011” (një lloj “Topi i Artë”) që jepet nga FSHF-ja. I pari, Orges Shehi, ndonëse portier, është nga lojtarët më përfaqësues të Skënderbeut, kampiones në fuqi të vendit. Paraqitjet e tij konstante gjatë viteve të fundit e kanë shpërblyer me thirrjen në ekipin kombëtar, ndonëse deri në këto momente ai nuk ka pasur asnjë minutë në dispozicion, ndeshje zyrtare apo miqësore. I dyti, Armando Vajushi, është një nga shpërthimet e pakta të futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit.

Prodhim i Akademisë së Futbollit “Vllaznia”, ose më saktë i “fidanishtes shkodrane” (që nuk tradhton kurrë, as në këto kohë tranzicioni) ngritja e shkodranit 20-vjeçar ka qenë e beftë, nga ato që imponon vetëm talenti i pastër. Sulmuesi i ri, që parapëlqen të niset nga krahët, e ka festuar këtë nominim me një dënim trejavor të dhënë nga Disiplina për goditje ndaj kundërshtarit, në ndeshjen kundër Dinamos, të luajtur të shtunën e kaluar. Dy lojtarët kanë qenë më të votuarit në një anketë të bërë mes trajnerëve të kapitenëve të Kategorisë Superiore. Dhe ishin pikërisht këta të fundit që votuan edhe mbrëmë për ceremoninë “Gala”.

Në fund të ditës rezultoi fitues pikërisht Vajushi. Sikurse është bërë e ditur, Shehi dhe Vajushi ishin “kokë më kokë” në votimin e parë dhe ky trend është respektuar edhe në votimin e fundit, i cili ka nxjerrë futbollistin shkodran fitues. Kjo është hera e parë për Vajushin që e fiton çmimin prestigjioz. “I falënderoj të gjithë ata që më bënë këtë vlerësim të jashtëzakonshëm dhe do të mundohem t’jua shpërblej kudo që do të jem”, u shpreh fituesi, i cili nuk i fshehu emocionet e shumta. Dy vitet e fundit, titullin “Lojtari i Vitit” e ka merituar radhazi ish-futbollisti i Dinamos, Elis Bakaj, tashmë i larguar drejt kampionatit rumun. Me medaljen “Nderi i futbollit shqiptar” (Pas vdekjes) u nderuan legjenda e Tiranës, “Selman Stërmasi dhe ai i Partizanit, Myslim Alla. Me çmimin “Legjenda e futbollit shqiptar” u nderuan ish-sulmuesi i Tiranës, Petrit Dibra, trajneri i njohur Faruk Sejdini dhe ish-mesfushori i Vllaznisë, Ferid Ragami.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama