Arkivi kerkon ndihme per Furtunen

Arkivi kerkon ndihme per 'Furtunen'
Administrimi i kujtesës kulturore në Kosovë ka motiv për ta bërë xheloze anën këtej shqiptare. Ide krijuese, këmbëngulje për t’u ballafaquar me të ndryshmin dhe vitaliteti për ta shpërndarë jetën kulturore përtej Prishtinës si qendër, janë vetëm disa nga karakteristika që i ndjen edhe pa jetuar në Kosovë.

Nëse ky është një kuptim në kohë të reja i atdhedashurisë, atëherë është një kuptim i drejtë.

Në Shqipëri është folur dhe përshëndetur DokuFest, Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarit dhe Filmit të Shkurtër që mbahet çdo verë në qytetin historik të Prizrenit. Të rinjtë që e mbajnë sot e 11 vjet këtë festival, janë aq kërkues sa nuk kanë toleruar për hir të “shqiptarisë” futjen në konkurrimin ndërkombëtar të ndonjë filmi shqiptar.

Por janë edhe të kujdesshëm sa të hedhin sytë mbrapa e t’i kërkojnë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit që të sjellë ndonjë thesar nga e kaluara.

Gjatë ditëve të DokuFest-it, 7-15 korrik 2012, prezantohen dy filma nga fondet e AQSHF-së. I pari është “Furtuna” i regjisorëve Yuri Ozerov dhe Kristaq Dhamo, prodhim i Moskfilm dhe Kinostudios “Shqipëria e Re”, 1959, 100 min.

“Beteja e Algjerit” është tjetri, i regjisorit Gillo Pontecorvo, një prodhim italian i vitit 1966 me shenjë të spikatur në historinë e kinemasë botërore të shek.20.

“DokuFest kërkoi bashkëpunimin tonë për të prezantuar në programin special të festivalit thesare filmike të fondit shqiptar dhe atij të huaj”, sqaron për “Shekullin” Eriona Vyshka, specialiste pranë AQSHF-s. “Hapësirë u është lënë edhe në katalogun e festivalit, sepse ky prezantim nuk ka qëllim vetëm informimin, por edhe sensibilizimin për gjendjen e magazinave tona, për kushtet ku ruhet kjo trashëgimi. Ne jemi duke kërkuar ndihmë kudo që kjo gjendje të ndryshojë. Do ta shfrytëzojmë edhe Festivalin në Prizren që vitin e kaluar ka tërhequr vëmendjen e rreth 25 mijë vizitorëve, për kërkuar mbështetje për problemet tona.”

Gjendja e pelikulës së “Furtunës” është bërë problematike. Filmi është me ngjyra por “e kuqja” që ka marrë është përhapur dukshëm, dhe është një alarm për ndërhyrje restauruese.

Në vitet dymijë ish drejtoresha e AQSHF-së Natasha Lako, disa herë e ka bërë publike gjendjen për pelikulat e “Mësonjëtores” i Muharrem Fejzos, “Vajzat me kordele të kuqe” i Gëzim Erebarës, që pas shumë përpjekjesh u restauruan. Mbetet problemi për “Liri a vdekje” i K. Mitros&I. Muçajt, “Ballë për Ballë” i K.Çashkut&P.Milkanit, “Në shtëpinë tonë” i Dhimitër Anagnostit.

Specialistja Vyshka thotë se përpara se të kërkohej ndërhyrje specifike për secilin film, janë bërë analizat e nevojshme në disa laboratorë të filmit në Greqi, Turqi. Çdo pretendim për ta zgjidhur problemin kërkon së pari sigurimin e një fondi të posaçëm. Nuk është e thënë të dish se sa i kushtueshëm është shërbimi i restaurimit në këtë fushë, mjaft të kujtosh se AQSHF, institucion kombëtar me buxhet nga shteti, e ka fondin vjetor 2.9 milionë lekë!

Restaurimi i filmit, korrektimi i ngjyrave, pastrimi i pluhurave apo “shërimi” i gërvishtjeve do ta sillte pelikulën në një gjendje të shëndetshme prej të cilës do të përftohej një “imazh i ri”. Vyshka sqaron se prej këtej filmi fiton edhe njëqind vjet jetë, ngaqë “imazhi i ri” mund të stampohet në 35 mm pozitiv ose të hidhet në formate të teknologjisë së lartë.

Ndryshe qëndron puna me veprën e Pontecorvo-s. “Beteja e Algjerit” një film gati popullor për kinematë e Tiranës në vitet shtatëdhjetë, është një nga 500 titujt që përmban Fondi i Huaj i Filmit Artistik në AQSHF. Kur u shfaq në vitin 2009 në ditët e Festivalit të Filmit në Tiranë, u pa se gjendja e pelikulës ishte e mirë, dhe nuk kishte probleme të natyrës që përshkruan më sipër Vyshka. Vjetërsia e këtij filmi bardhë e zi sa i ka shtuar vlerën e tij si një antikuar i huaj në arkivat kombëtare.

Edhe “Beteja e Algjerit” trajton temën e rezistencës për pavarësi që algjerianët bënë në disa vjet për t’u shkëputur nga Franca kolonizatore vetëm më 1962. Por beteja Frontit Nacional për Çlirim, trajtohet me një stil origjinal, me disa karakteristika të neo-realizmit italian. Filmi u realizua në jehonën e ngjarjeve historike të gjalla akoma, çka e bën më afër trajtimit në një stil dokumentar. Sa për objektivitetin ndaj historisë, “Beteja e Algjerit” jo të gjithë i ka lënë të kënaqur. Festivali i Venecias e vlerësoi atë vit me “Luanin e Artë”, Akademia Amerikane e Filmit e klasifikoi për Oskar për disa kategori.

“Furtunën” tonë, për ta nxjerrë nga historia, e për ta bërë më të prekshme problematikën e saj, DokuFest ka ftuar në Prizren regjisorin Kristaq Dhamo (1933). Do ta bëjë ai prezantimin e filmit mbrëmjen e 11 korrikut.

Regjisori shqiptar jeton ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës, i tërhequr nga jeta publike. Por si autor i fillimeve të kinemasë shqiptare, dhe si njohës i shkëlqyer i historisë së saj, edhe i historisë botërore të kinemasë, Dhamo i bën nder dhe e bën historike shfaqjen e “Furtunës” në Prizren.

“Furtuna” përshkruhet si një film epope e Luftës Nacional-Çlirimtare, që fillon me pushtimin fashist dhe mbyllet me çlirimin e Shqipërisë. Skenari është shkruar nga Fatmir Gjata, Llazar Siliqi dhe dy nga regjisorët Kristaq Dhamo e Juri Ozerov. Prodhim i epokës kur Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik bashkëjetonin, “Furtuna” bën një trajtim skematik të historisë – “mbahet qëndrim ndaj forcave kolaboracioniste si Balli Kombëtar dhe ndaj aleatëve anglezë dhe glorifikohet misioni sovjetik” – dhe të karaktereve: “Zana dhe Beni janë personazhet që veprojnë gjatë gjithë filmit në situata të ndryshme si në ilegalitet, në burg dhe më pas në mal ku dashuria e tyre triumfon.” Trupa është një përzierje e aktorëve më të mirë shqiptarë të Teatrit Popullor të asaj kohe si Naim Frashëri, i riu Mario Ashiku, Pjetër Gjoka, Lazër Filipi, Vangjel Heba, Loro Kovaçi, Sulejman Pitarka, Mihal Popi, Seit Boshnjaku, Kadri Roshi, Liza Vorfi dhe e aktorëve nga BS, Arianda Shengellaja, Nikollaj Griçenko. Filmi është xhiruar në Shqipëri, kryesisht në Durrës. Muzika është shkruar nga G. Popov dhe Çesk Zadeja.

Ishte bashkëprodhimi i dytë dhe i fundit artistik midis “Moskfilm” dhe Kinostudios “Shqipëria e Re”, pas “Skënderbeu” (1953) i Sergei Jutkeviç.

Më 1958, Kristaq Dhamo kishte realizuar “Tana”, i pari film i gjatë artistik i prodhuar në Shqipëri. Ai vinte nga studimet në Institutin e Lartë Kinematografik në Budapest, Hungari për të punuar në Film Studio “Shqipëria e Re”, të cilën më vonë edhe do ta drejtonte për disa vjet. Meritat e Dhamos shkojnë përtej kontributit të thjeshtë të një kineasti, në drejtim të strukturave kinematografike për të cilat ai punoi po edhe në përhapjen e një shpirti dhe mendimi shkencor mbi kinematografinë te një gjeneratë e cila ndryshe nga e tija po mësonte për kinemanë në mënyrë empirike në kushtet e izolimit total. Kjo mirënjohje Kristaq Dhamos nuk i është shprehur sa duhet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama