Arkivi i filmit ne epoken dixhitale

Arkivi i filmit ne epoken dixhitale
Arkivi Shtetëror i Filmit, gjatë turit veror që po bën në bregdetin shqiptar, ku ka risjellë nostalgjinë e kinemave verore, po aplikohen edhe fondet e dixhitalizuara.

Arkivi shtetëror i filmit është gati për epokën dixhitale. Gjatë turit veror që ky arkiv po bën në bregdetin shqiptar, ku ka risjellë nostalgjinë e kinemave verore, po aplikohen edhe fondet e dixhitalizuara, pjesa më e madhe e të cilave tashmë ka përfunduar falë një projekti që ka vite që ka nisur. Arkivi Shtetëror i Filmit, dikur departament i Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitet ’90 u bë institucion më vete. Ai është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit dhe si e tillë kërkohej që fondi i saj t’i përshtatej kohës.

 Një nga projektet më ambiciozë të Arkivit Shtetëror të Filmit është padyshim dixhitalizimi i fondeve që ky institucion mban në arkivat e saj. Projekti nisi që në vitin 1998, por vetëm në vitin 2005 nisi një punë intensive, për ta përfunduar gjithë procesin e dixhitalizimit të fondit të arkivit. Tashmë duket se ai është drejt përfundimit. Aktualisht filmi artistik me metrazh të gjatë është dixhitalizuar 100%, ndërkohë që vazhdon puna me filmin dokumentar, filmin e animuar dhe atë kronikal. Ky projekt është realizuar falë mbështetjes financiare që ka dhënë qeveria spanjolle, por dhe me mbështetjen e MTKRS-së. Është fakt që dixhitalizimi i arkivës është një proces që kërkon kohë të gjatë. Në gjithë vitet e jetës, kinemaja shqiptarë ka rreth 11.000.000 metra memorie të pasur filmike të depozituar në AQSHF.

Në fondin e AQSHF ruhen dy fonde filmike kryesore: fondi i prodhimit shqiptar dhe fondi i prodhimit të huaj. Fondi shqiptar përmban 4297 tituj filmash, nga të cilët 251 janë filma artistikë shqiptarë, 1173 janë filma dokumentarë, 1006 kronika, 1677 xhirime arkivale të pa montuara, 190 filma vizatimorë. Fondi i huaj filloi të krijohej gjatë Luftës së I Botërore. Përmban 2127 tituj filmash, nga të cilat 742 filma artistikë, 602 dokumentarë dhe 702 kronika dhe 75 vizatimorë. I gjithë ky fond kalon në duart e specialistëve, të cilët e kthejnë atë në formë dixhitale. Sigurisht që kjo kërkon kushte dhe mjete bashkëkohore, të cilat arkivi tashmë i ka siguruar si asnjë institucion tjetër.

I gjithë koleksioni ruhet në ambientet e AQSHF, në kushte optimale teknologjike të temperaturës dhe lagështisë, sipas standardeve të FIAF. Së shpejti, Arkivi i Filmit do të ketë me mijëra imazhe dhe materiale të tjera, që mund të shfrytëzohen që nga studiuesit e deri te studentët e Akademisë së Arteve. Epoka dixhitale ka mbërritur më shpejt se kudo tjetër në Arkivin Shtetëror të Filmit, por ndërkohë fondin e filmit të AQSHF-së mund ta shohësh edhe online, falë dhe një bashkëpunimi me institutin Luce. Që nga viti 1990, kur arkivi u nda nga Kinostudio, gjërat kanë ndryshuar shumë. Atëherë arkivi “mori” me vete thjesht emërtimin “depo”, por më sot është një institucion ku ruhet dhe madje dixhitalizohet pasuria jonë kombëtare, në mënyrë që ajo të ruhet e të trashëgohet edhe në brezat pasaardhës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama