Arka e Djallit (fragment)


Anthulla, pasi dëgjoi një përmbledhje të shkurtër të përshkrimit të udhëtimit nëpër Greqi dhe pjesërisht në Turqi, filloi të lexojë me vete.
-Jo, lexo me zë! - urdhëroi Sherif Abeceja dhe u ul larg saj, në një karrige në rrëzë të verandës.
"Hyrja e Cute Babules në vallen e dervishëve mevlevinj, o Hyskë, bëri një jehonë aq të madhe në mes të shkencëtarëve, sa me fjalën që na ka dhënë natyra e gjuhës nuk mund të tregohet. Por kjo jehonë vetëm fillimin e kishte në gjirin e shkencëtarëve. Të nesërmen u bë ortek, që vërshoi me uturimë në mbarë Konian. Po të pasnesërmen? Të pasnesërmen u bë uragan, që u soll dhe u mbështoll, u vërvit dhe u rrotullua anembanë Turqisë. Si i thonë në këngë?

Këtu duhet thënë: "Hajde Cute Kapedani"! Ti e di mirë, o Hyskë, se dikur, në kohët e shkuara namin ta hapte kënga! Po të hyje në këngë, edhe sikur të mos ishe shumë trim, apo shumë i zgjuar, fama rritej, pasi emri që kalonte gojë më gojë dhe çdo këngëtar shtonte nga një fjalë e nga një epitet. Kurse sot famën ta hapin mjete të tjera: gazetat, revistat, librat, radioja, televizioni, filmi, telefoni, telegrami, kompjuteri... Edhe fama e Cute Babules vërtet e zuri fillin në gjirin e shkencëtarëve, por pastaj ç'ndodhi se!... Të pasnesërmen gazeta më e shquar e Konias "Bytyn dynja" botoi një artikull të shoqëruar me tri fotografi: njëra që paraqiste Cute Babulen duke u nisur drejt valles, tjetra në valle dhe e treta në përqafim me dervishët në mbyllje të manifestimit. Në artikullin e "Bytyn dynjasë" gazetarë që mund të krahasohet me "Le Monde" të Francës, se "dynja", ashtu si "monde", do të thotë "botë", shkruhej: "E mahnitshme! E paimagjinueshme!" Në vallen e dervishëve në Sema më e njohur nga gjithë bota, që u dha nga mevlevinjtë për nder të shkencëtarëve, hyri papritur dijetari marksist shqiptar, studiuesi i kulturave popullore, Maksut Babulja, që zakonisht i thërrasin Cute, dhe me mjeshtëri, ndoshta më të përsosur se të dervishëve dhe me njohuri fetaro-filozofike mbase më të mëdha se semazeni, udhëheqësi i Sema-së, kërceu e luajti deri në mbyllje të ceremonisë, dhe në fund i përqafoi me radhë të gjithë valltarët e shenjtë nën breshërinë e duartrokitjeve të njerëzve të shkencës. Një fenomen i tillë, që të hynte në vallen e dervishëve një i jashtëm, qoftë turk e qoftë kaur, ka 722 vjet që nuk është përsëritur, që kur ishte gjallë hazreti Mevlana Muhamed Xhelaledin Rumiu. Kur jetonte hazreti, në një ceremoni dervishësh, u fut papritur mes valles një sarhosh dhe filloi të kërcejë. Në kërcim e sipër i shtynte me bërryl dervishët, duke ua penguar rrotullimin! Atëherë semazeni e shau sarhoshin dhe iu ankua hazretit Mevlana: "Ky është i pirë dhe duhet ta përzemë nga vallja!" Dhe hazreti Mevlana Muhamed Xhelaledin Rumiu iu përgjigj: "Ai ka pirë hyjninë, ju po silleni me të si me një pijanec". Kjo frazë që ka mbetur si ese, në frëngjisht shprehet: "Lui, il a bu divin, vous agissez en ivrogne!". Edhe për Cute Babulen kur hyri në vallen e dervishëve, disa thanë se gjoja ishte i pirë dhe kërkuan të zbohej nga andej. Dhe këta që e thanë, fatkeqësisht, ishin turq dhe francezë. Po të jetonte Mevlania, do t'u përgjigjej: "ju silleni me të si me të pirë!" ose "Vous vous agissez ivrogne!"
"Habia jonë, vazhdonte artikulli, për hyrjen e marksist-leninistit Cute Babulja në vallen e dervishëve, është gjetiu... Një shkencëtar shqiptar, që jeton në kështjellën më të fortifikuar të marksizmit, del nga andej dhe rrëzon muret dhe vallëzon, duke u sjellur rrotull vetes dhe rreth dervishëve. Dhe jo vetëm kaq! Ai në fund të valles puthet me dervishët! Është me të vërtetë paradossale, kur dihet se në Vendin e Shqiponjave, që janë në fakt shqiponja me krahë të lidhura, ndalohet feja dhe institucionet e saj, ndalohen dhe dënohen ata që takohen me hoxhallarë, dervishë, baballarë, shehlerë, priftërinj, murgjër e murgesha. Kurse shqiptari marksist-leninist-stalinist, Maksut Babulja, i mbiquajturi Cute, që ndodhet këto ditë midis nesh në Turqi dhe që po na sjell një gëzim të mahnitshëm, me veprimin e tij human, shprehu haptazi nostalgjinë dhe dashurinë për mevlevinjtë në veçanti dhe, në përgjithësi, për islamizmin, të cilit i takon e ardhmja. Mos vallë kjo është një shenjë që në Shqipërinë tonë mike, po ndryshojnë gjërat? Apo Cute Babulja këtë gjest fisnik e bëri për hir të forcimit të miqësisë tradizionale shqiptaro-turke pa pyetur autoritetet shqiptare? Nuk e besojmë që kjo të jetë një shaka, megjithëse, sa dimë, Cute Babulja është një shakaxhi, që i kalon kufinjtë e Vendit të Shqiponjave. Dhe madje temën e kumtesës, që do të mbajë sot në Konferencën, në ora 10.00, e ka: "Folklori shqiptar dhe Nastradini". Dihet se qendra e Nastradinit, pas zbimit të tij nga Buharaja, u bë qyteti ynë i lashtë Konia. Mund të bëhet edhe një supozim tjetër, Cute Babulja, si materialist, duke hyrë në valle, shpreh lëvizjen universale, lëvizjen e molekulave, atomeve, protoneve dhe neutroneve. Një dervish që rrotullohet rreth vetes dhe rreth të tjerëve, simbolizon lëvizjen e atomit. Marksistë-leninistët lëvizjen e quajnë si një nga format më të rëndësishme të materies. Mos vallë Cute Babulja nga gjithë vallja ka marrë vetëm thelbin, lëvlzjen, që atij i intereson? Edhe ky mund të jetë një arsyetim... E mahnitshme dhe fantastike! "Me këtë thirrje mbyllej artikulli".

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama