Anulohet Festivali i Filmit ne Prishtine ekzil ne Tirane

Anulohet Festivali i Filmit ne Prishtine, ekzil ne Tirane

Organizatorët e Prifest, Festivalit të Filmit në Prishtinë, kanë bërë me dije ditën e djeshme anulimin e edicionit të 7 të “PriFest”. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të uljes së buxhetit që Ministria e Kulturës e Kosovës  akordon për mbështetjen e kësaj ngjarjeje kulturore, duke e çuar nga 22 mijë euro vitin e kaluar, në  vetëm 5 mijë euro.

“Në shenjë proteste, ‘PriFest’ shkon në ekzil. Kemi vendosur që me emrin ‘PriFest n’ekzil’ ta hapim festivalin në Tiranë në datën kur edhe ishte paraparë të hapet edicioni i 7-të, pra në 24 prill. Në “Tulla Culture Center” në Tiranë, për dy ditë do të shfaqim një pjesë të vogël të filmave që ishin paraparë në “PriFest 7”. Këtë do ta bëjmë me buxhet zero. “

 

Puna thuajse njëvjeçare që nisi fill me përfundimin e edicionit të gjashtë të “PriFest”, ku bëhen përgatitjet, seleksionimi i filmave, udhëtimet në festivalet dhe tregjet e filmit ndërkombëtar si edhe ngritja e fondeve për realizimin e edicionit të shtatë të Festivalit të Filmit në Prishtinë, është ndërprerë pas një vendimi që organizatorët e  këtij festivali morën ditën e djeshme duke e anuluar këtë edicion. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të uljes së buxhetit që Ministria e Kulturës së Kosovës  akordon për mbështetjen e kësaj ngjarjeje kulturore, duke e çuar nga 22 mijë euro vitin e kaluar, në  vetëm 5 mijë euro.

“Si çdo vit punojmë të sjellim filmat më të mirë nga bota, por po ashtu presim mbështetje më të madhe financiare nga institucionet e reja në Kosovë. U bënë 7 vjet që sjellim në Prishtinë më të mirën e kinematografisë botërore, dhe kineastë eminentë përfshi edhe ata që në bagazh kanë çmimet më të mëdha filmike botërore si Oscar, Berlinale, Cannes, Bafta, European Film Awards etj., dhe jemi lodhur nga mungesa e fondeve për ta realizuar ashtu siç i ka hije një festivali të filmave të metrazhit të gjatë, dhe një kryeqyteti të një shteti të ri”- shprehej para pak kohësh organizatori  i këtij festivali,  regjisori Fatos Berisha. Mbështetja  financiare nga MKRS qysh prej  edicionit të  parë është mbështetja kryesore e festivalit, vendimi  i marrë vetëm 1 muaj para çeljes së Prifest, kohë e pamjaftueshme për organizatorët të gjejnë burimet e mjaftueshme financiare për ta mbajtur këtë edicion, i ka çuar drejtuesit e festivalit ta anulojnë këtë edicion në Prishtinë- një ngjatje të rëndësishme kulturore e quajnë ata –  dhe në shenjë proteste ta sjellin në Tiranë.

“Me këtë zbritje drastike ne kemi vendosur që festivalin ta bartim në Tiranë, dhe festivali do të quhet PriFIlmFest në Ekzil. Ne jemi vetëm 1 muaj para festivalit dhe kjo zbritje veç sa na ka gjetur të befasuar” thotë Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit.

Pasi e ka krijuar tashmë një emër dhe një fytyrë të tijën, organizatorët nuk kanë pranuar  të ulin srandrdin e festivalit dhe janë detyruar të anulojnë të gjithë filmat e  përzgjedhur  për këtë edicion, disa prej tyre- thonë ata-  premiera botërore, ndërkombëtare, evropiane dhe regjionale, si edhe janë anuluar të gjitha ftesat për jurinë ndërkombëtare dhe personalitetet e huaja të f ftuar në  këtë edicion.

“Por, më i dhimbshëm është fakti se një event kulturor, ndër më të mëdhenjtë në vend, e më i madhi në Prishtinë gjithsesi, që gjatë këtyre viteve solli në Kosovë emra të mëdhenj të industrisë së filmit, mbajti trajnime dhe workshope për kineastët, solli filmat më të mirë dhe më të ri nga Ballkani, Evropa dhe bota në Kosovë , të gjitha këto kanë humbur për audiencën dhe komunitetin e kineastëve të Kosovës. Fundja, edhe kjo është një trashëgimi e vogël kulturore, por tashmë fatkeqësisht e humbur për Kosovën”, – shkruhet në njoftimin për shtyp.

Festivali megjithatë do të mbahet në datën e parashikuar për t’u çelur edicioni i shtatë, më 24 Prill. Ky eveniment do të zhvillohet në “Tulla Culture Center” në Tiranë, ku për dy ditë do të shfaqet një pjesë e vogël nga programi i parashikuar për PriFest7. E gjitha kjo sipas organizatorëve do të bëhet me buxhet zero. “Kemi ardhur në këtë vendim për shkak të tri elementeve. E para, sepse kemi zbritjen më të madhe në përqindje dhe në sasi, e dyta sepse Ministria e ka ngurtësuar edhe Teatrin Kombëtar, institucionin me të cilin ne kemi pasur bashkëpunim për disa vite dhe as aty nuk na lejohet mbajtja e festivalit, si dhe mendojmë se këto shenja tregojnë që kjo Ministri nuk e do këtë festival dhe mirëqenien e tij”, – thotë Fatos Berisha nga PriFilmFest, duke përfunduar se ‘PriFest’ do të kthehet në shtëpi vetëm kur ministri i Kulturës i Kosovës, Kujtim Shala nuk do të jetë më ministër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama