Anija nje film per deshperimin e eksodit shqiptar

'Anija', nje film per deshperimin e eksodit shqiptar
- Rrëfimi i një Udhëtimi 

Në ditët e para të Marsit 1991, në horizontin e bregut Adriatik të Italisë u shfaqën disa anije të cilat do të shënonin atë që do të quhej “eksodi i shqiptarëve”. Ky është rrëfimi i një udhëtimi, anijesh dhe njerëzish, që shërben për rindërtimin e tre eksodeve të mëdha të shqiptarëve. “Anija” e nis udhëtimin drejt Italisë. Dokumentari dëshmon se cilat kanë qenë përpjekjet e njerëzve për t'u ngjitur në ato anije, momentin e largimit, por dhe “mikëpritjen” e vendit fqinj, Italisë. Regjisori Roland Sejko në një intervistë për “Shekullin” tregon se qëllimi i këtij dokumentari është të pasqyrojë historitë e njerëzve që ishin në atë udhëtim.

Eva, Qaniu, Majlinda, Agroni janë disa nga personazhet e dokumentarit të cilët do të ribënin përsëri atë udhëtim, sepse emigrimi për ta ka qenë mundësia më e mirë për të gjetur veten. Filmi është prodhuar nga: Propaganda-Al, Istituto Luce Cinecittà-It dhe është financuar nga: Qendra Kombëtare e Kinematografisë/ ANÇ, MIBAC, Direzione Generele Cinema etj. Regjia: Roland Sejko Skenari: Roland Sejko Fotografia: Sabrina Varani Montazhi: Luca Onorati Muzika: Robert Bisha Zëri: Gianluca Scarlata Producent: Lekë Sokoli. Dokumentari vjen në gjuhën italiane, me titra shqip. Roland Sejko (1968) ka lindur në Elbasan dhe është diplomuar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Aktualisht punon pranë Institutit Luce (shtëpia filmike më e vjetër në Itali) dhe merret me aktivitete të ndryshme si arkivist, prodhim dhe shpërndarje filmash. Që nga viti 1999, Sejko ka themeluar dhe drejton gazetën në shqip, të përdyjavshmen “Bota Shqiptare” për komunitetin shqiptar në Itali. Në 2008, Sejko shkruajti me Mauro Brescia filmin e suksesshëm dokumentar “ Vendi përball” ku materiali arkivor i përzgjedhur shërben si kronikë e historisë së Shqipërisë.

 Sa kohë keni punuar për realizimin e dokumentarit “Anija”?

 Për realizimin e dokumentarit “Anija” kam filluar të punoj, që përpara dy vitesh. Pasi u krijuan dhe disa rrethana të favorshme, në një moment kur dukej se ishin pjekur kushtet dhe ngjarjen mund ta shikoja nga larg, fillova kërkimin e historive që sollën eksodet.

Një film në italisht me titullin shqip?

 “Anija” është titulli i fundit i këtij dokumentari. Fillestari ka qenë “udhëzime për kapërcimin e detit”, por e ndryshova. Në fund vendosa ta quaj “Anija”, sepse mendoj se përcjell dhe një domethënie të mishëruar. E ndieja që e thënë në shqip, kjo fjalë dukej e huaj dhe më një tjetër përmasë, por “Anija” është pjesë e tij nëpërmjet imazhit. Shumë njerëz në italisht ndoshta mund ta ngatërrojnë me një emër dhe pyesin se kush është kjo, “Anija”. Por “Anija” është protagoniste e ngjarjes. Prandaj jam përpjekur ta sjell me të gjithë elementet e saj, që nga ndërtimi i një anije, deri në një udhëtim nga Shqipëria në Itali. Ndoshta duket një mendim i koklavitur, por ka qenë një zgjedhje tendencioze,sepse mendoj se titulli në shqip për publikun italian ngjall kureshtje më të madhe.

Si i keni përzgjedhur personazhet e dokumentarit? Me çfarë materialesh arkivore keni punuar?

 Personazhet janë përzgjedhur pas shumë kërkimesh. Në gazetën “Bota Shqiptare” para dy vitesh hapëm një rubrikë me temë “Edhe unë isha në anije”. Përveç atyre që kishim pasqyruar në 10 apo 15-vjetorin e eksodit, pati dhe dëshmi të reja. Disa personazhe i kisha në mendje, më parë. Për shembull, personazhin e Bashkim Lebës, punonjësit të funeralit nga Italia në Shqipëri. Por nga njëzet personazhe me të cilët kemi zhvilluar intervista në Itali dhe në Shqipëri, vetëm gjysma janë pjesë e dokumentarit, në mënyrë që mos të binim në përsëritje. Puna kërkimore më ka marrë shumë kohë sepse kam kërkuar të punojë me imazhe, që nuk ishin shfaqur më parë. Me imazhe që kishin pasqyruar një ngjarje, por që nuk ishin konsumuar në natyrshmërinë e vet. Sepse të njëjta imazhe në çfarëdolloj forme t’i përdorësh, duket sikur përcjellin të njëjtin mesazh. Me ndihmën e Eriona Vyshkës dhe Andi Lubonjës kam gjetur materialet gjatë periudhës komuniste, por paralelisht kam punuar dhe me arkivat e disa mediave italiane. Gjithashtu kam gjetur shumë më tepër material sesa prisja në arkivat franceze. Pas kërkimit munda të gjeja dy orë ose tre orë të pa montuara asnjëherë, që dukeshin sikur ishin bërë enkas për këtë dokumentar. Për shembull rasti i fëmijës i cili thotë: “Shqipëria vetëm bukë dhe ujë, jo fruta”.

Fokusimi tek detajet e ngjitjes së njerëzve në Anijen “Vlora” ka qenë i qëllimshëm?

 Janë vetëm dy minuta të xhiruara nga një operator i huaj në anijen “Vlora”, këto materiale më bënë të lumtur sepse nuk ishin shfaqur më parë. Madje duke dashur që ky “dëshpërim” total i njerëzve të tregohej shumë më gjatë, e kam ngadalësuar dhe e kam hapur imazhin për të nxjerr më në pah detaje që në një plan të madh nuk mund t’i dallosh.

 Ndryshe nga dokumentari i mëparshëm “Vendi përballë”, këtu nuk ka një spiker?

Do të ishte e tepruar të kishte një spiker të rrëfente ngjarjen në këtë dokumentar, pasi njerëzit flasin vetë. Për mua ishin të rëndësishëm njerëzit me natyrshmërinë e tyre pas 20-vitesh. Kjo e sjell me një gjuhë më kinematografike sepse krijojnë një kontrast teksa rrëfejnë ngjarjet e dikurshme. Këtë e zbulova pasi fillova të shkruaj një skelet të përgjithshëm të dokumentarit, prandaj në montazh e sipër eliminova dhe personazhet e “tepërt” .

Eva në fund të historisë teksa tregon se i vetmi person që duhet të ishte i lumtur, për kthimin e saj për herë të parë në Shqipëri pas disa vitesh, ishte nëna e saj. Pas këtij momenti shpërthen në lot. Kjo ndodh krejt natyrshëm?

 Eva e mbyll dokumentarin në një mënyrë të mrekullueshme. Këtë jo vetëm që nuk e ndërprisja dot, por pas intervistës ka pasur një heshtje për disa minuta. Por poeticiteti është një element i rrezikshëm në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve, pasi mund të bjerë shumë kollaj në sentimentalizëm. Shumë prej personazheve para kamerës mund të qanin. Pavarësisht se mund të kem bërë gabim, unë në ato pjesë ndalja xhirimet, sepse duhet t’i sillja të thjesht në natyrën e vet.

Eva thotë se dhe nëse kthehej mbrapa në kohë, do të largohej përsëri me anije.

Jam i bindur se jo vetëm Eva, por dhe unë dhe të tjerët do ta bënim sërish. Ai ishte momenti që ndryshoi jetët tona. Deri në momentin që zbritëm nga anija ishim thjesht njerëz që po iknim, më pas u bëmë emigrant që duhet të ndërtonim një jetë tjetër. Pavarësisht se disa vendosën të kthehen, ashtu siç thotë Eva aty kuptuan se kush ishim.

Por ka dhe personazhe si Agroni që vendosin të kthehen në vendlindje dhe pas sitemimit në Itali?

 Personazhi i Agronit ishte i nevojshëm për të treguar se iu dha një mundësi e re. Si tematikë më interesonte, jo për të sjellë personazhe pozitivë dhe të suksesshëm, por ata që janë lënë në hije. Prandaj personazhet si Qaniu, Majlinda që nuk do të thotë se janë integruar, por se tashmë janë pjesë e Italisë. Qaniu një i ish-internuar ka gjetur mundësitë të jetojë me muzikën.

Përse në dokumentar nuk keni asnjë politikan?

Ajo që kam dashur është të sillja njerëzit që përbënin turmën. Ku janë? Pse vendosën të largohen? Sepse s'është bërë asnjë dokumentar për ta. Shumë tregojnë mbërritjen, ndërsa mua më interesonte nisja. Pasqyrimi i ngjarjeve politike, ose më mirë i ngjarjeve shoqërore është i rëndësishëm, pasi publiku italian duhet të kuptoj se kush janë shqiptarët para se të hipin në anije. Por këto i sjell vetëm nëpërmjet atmosferës që përcjell muzika. Duket sikur ajo tregon në një farë forme shtypjen. Shumë kolegë italianë mbetën të mahnitur nga muzika që kam përdorur gjatë shpërthimit të eksodeve.

Përveç këngës “Qengji i vogël”, në shqip sjell dhe këngën e Bob Dylan në anglisht. Përse kjo ndërthurje?

 Në fillim të dokumentarit “Qengji i vogël” të kujton periudhën e nisjes së anijes, sepse lidhet me fëmijërinë. Ndërsa kënga më e rëndësishme për dokumentarin, e cila ka qenë dhe më e kushtueshmja është “When the ship comes in” e Bob Dylan, të cilën e vendos në dokumentar kur kthehet anija në Vlorë. Nga ai tekst kam shkëputur një frazë që e kam shkruar gjatë gjithë kohës, “Dielli do të respektojë çdo fytyrë në bordin e anijes”. Ky për mua ishte motivi përse kam bërë këtë ndërthurje.

A ka ndonjë histori që nuk keni arritur ta realizoni?

E vetmja intervistë, që nuk kam mundur të realizojë është ajo me një të burgosur. U interesuan dhe disa shoqata për ta xhiruar dhe kur u krijua mundësia nuk ishte dakord personi. Ndonëse ai kishte shkruar shpesh në rubrikën tonë. Do të kishte qenë shumë mirë nëse do ta kisha realizuar atë intervistë sepse është pjesë e ngjarjeve.

Ju jeni larguar me anijen “Legend”, por historinë tuaj se keni sjellë në dokumentar. Përse?

Në një farë mënyre e them veçse në fund të dokumentarit, por unë kam qenë pjesë vetëm e një eksodi. Ndoshta përjetimi brenda një ngjarjeje nuk është i domosdoshëm për ta pasqyruar kinematografisht, pavarësisht se ndihmon. Fryma e vetme që kam prej asaj kohe, është pandërgjegjshmëria për të bërë atë veprim. Është po e njëjta frymë që marrin sot spektatorët, kur çuditen se si ka mundësi që këta njerëz kanë guxim për të hipur në këtë anije. Pjesa më e madhe ishin 20-vjeçar dhe fëmijë. Një moshë në të cilën mund të mos ta kuptosh, se atë ditë që të gjithë rrezikonin jetën.

Cilat janë ndryshimet që shihni pas 20-vitesh në Shqipëri?

Të them të vërtetën vij shumë shpesh dhe në një formë apo tjetër kam qenë shumë i përfshirë, në ngjarjet politike dhe kulturore. Nuk mund të them njëlloj sikur të isha në Shqipëri, sepse nuk është e vërtetë. Por nëse duhet të bëj një krahasim me vitin 1991 me gjithë problemet që mund të ketë vendi, sot nuk është më e nevojshme për t’u larguar në ato përmasa. Shqipëria po kalon një periudhë si të gjithë vendet e tjera, me pak fjalë “e keqja e përbashkët, gjysma e të keqes”. Mbyllja e dokumentarit me momentin e heqjes së vizave është i vetmi moment historik i domosdoshëm për të kujtuar se nga disa bori makinash, që pasohen nga sirenat e ikjes së anijeve është mundësuar ky liberalizim. Sepse sot një vend si Italia, që i ka kthyer me dhunë emigrantët shqiptarë, i lejon të hyjnë lirshëm.  

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama