Angelovski Shqiptareve u besoj me shume se syte e mi

Angelovski: Shqiptarëve u besoj më shumë se sytë e mi

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, trajneri i Maqedonisë ka vlerësuar kundërshtarin për cilësitë që ka, por, nga ana tjetër, është shprehur se ai ka gati edhe zgjedhjet taktike për çdo modul të mundshëm që ka provuar Shqipëria në ndeshjet e fundit. Sa u përket kualifikueseve, ai ka shtuar se skuadra e tij do të provojë të marrë më të mirën në çdo ndeshje, pavarësisht vështirësisë së kundërshtarëve.

angelovski

"Është një fillim i ri i një cikli kualifikues. Ne do të luajmë ndaj një përfaqësueseje në rritje e sipër dhe këtë e tregoi edhe në Kampionatin Europian dhe kjo na motivon më shumë ne që të japim maksimumin. Meqë më pyetët për futbollistët shqiptarë, që i kemi në përfaqësuesen e Maqedonisë, më duhet të them se atyre u besoj më shumë se syve të mi dhe jemi të lumtur që i kemi ata në përfaqësuesen e Maqedonisë.

maqedonia loro borici

Sigurisht që sa i përket ndeshjes, nëse është derbi apo jo, duhet të them se jemi fqinjë dhe nuk shikojmë aspekte të tilla, sepse është një ndeshje futbolli në të cilën do të futen në fushën e lojës dy ekipe futbolli dhe që do të japin më të mirën. Unë uroj që skuadra ime të japë atë gjënë që kemi menduar përpara takimit dhe të marrim rezultatin e dëshiruar. E dimë që në ndeshjen e fundit me Marokun Shqipëria ka luajtur me dy vendosje taktike në fushë, me dy formacione.

E para, ajo standardja 4-3-3 dhe, e dyta, 3-5-2. Ne kemi punuar këto ditë në stërvitje dhe mendoj që ne kemi përgjigje për të dyja. Cilëndo që Shqipëria të vendosë ta aplikojë, Maqedonia do të jetë e denjë për t'u përgjigjur", ka deklaruar Angelovski gjatë konferencës për shtyp.

Ivan Triçkovski

Sipas futbollistit që ka shoqëruar trajnerin maqedonas në konferencën e djeshme për shtyp, Maqedonia nuk vjen aspak e dorëzuar, por me energji dhe dëshirë maksimale për të bërë maksimumin. "Është ndeshje e vështirë, sepse përballë kemi një skuadër që s'do shumë fjalë, pasi e tregoi në Kampionatin Europian të futbollit.

Maqedonia loro borici 2

Shqipëria është favorite përballë nesh, por s'kemi ardhur për t'u dorëzuar para kohe dhe do të zbatojmë detyrat e stafit teknik e më pas do të mundohemi që të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që kundërshtari ka anët e mira dhe të këqija. Ato të mirat do të mundohemi t'i neutralizojmë dhe të këqijat t'i shfrytëzojmë, e sigurisht që kjo do të jetë mënyra për të marrë një rezultat pozitiv", ka deklaruar Triçkovski.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama