Andamion Murataj Filmat shqiptare nuk behen me fjale

Andamion Murataj: Filmat shqiptare nuk behen me fjale
“Falja e gjakut”, një histori shqiptare me regji të amerikanit Joshua Marston u prit mirë nga kritika, ndërkohë që mori dy trofe në Berlinale. I kthyer në Tiranë, bashkëskenaristi shqiptar, njëkohësisht producent i filmit, Andamion Murataj tregon për vëmendjen e producentëve të huaj ndaj Shqipërisë, por edhe ngurrimin ndaj mungesës së mbështetjes financiare

Berlinalja ishte një histori suksesi për filmin “Falja e gjakut”. Historia shqiptare rrëmbeu trofetë për skenarin më të mirë dhe një Çmim Special. Regjisori amerikan Joshua Marston, ia dedikoi këtë film Shqipërisë, ndërsa bashkëskenaristi shqiptar, njëkohsisht producent i filmit, Andamion Murataj, Shkodrës, qyteti ku janë vendosur ngjarjet. Murataj është këto ditë në Tiranë, së bashku me aktorët e rinj që ecën në tapetin e kuq të një prej festivaleve më të rëndësishme. Bashkë me filmin “Amnistia” të regjisorit Bujar Alimani, vlerësuar me çmimin "Art Cinema Aëard”, Berlinalja shënoi një faqe të re në kinematografinë shqiptare. Kjo përsa i përket suksesit, sepse artistët shqiptarë ndjehen të vetëm në këtë mision përballë tregut botëror. “Pyetja kyçe e producentëve të njohur ka qenë: Si e mbështet Shqipëria kinemanë?”, thotë Andamion Murataj, sipas të cilit është koha që kinemaja shqiptare të mbështetet me veprime konkrete e jo me fjalë. Falja e gjakut, sjell historinë e dy të rinjve të ngujuar dhe përpjekjet e tyre për të mbijetuar në këtë situatë. Filmi bëri bashkë aktorë të rinj dhe me përvojë shqiptarë e kosovarë si Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi, Ilire Vinca, Çun Lajçi, etj.

U kthyet me dy trofe nga Berlinale. Çfarë përfaqësojnë këto çmime?

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, “The forgiveness of blood”(Falja e gjakut) pati premierën botërore dhe jemi të lumtur që filmi u prit shumë mirë. “Ariu i Argjendë” është çmimi më i madh që mund të jepet për skenarin. Është nder dhe kënaqësi për kinemanë shqiptare sepse shënohet hapja e kinemasë shqiptare si fitimtare në festivale të kategorisë A.

Ju jeni bashkëskenarist me regjisorin amerikan Joshua Marston. Si nisi bashkëpunimi dhe sa është kontributi juaj në këtë histori shqiptare?

Unë dhe Joshua Marston jemi takuar në Nju Jork, ndërkohë që unë kisha 14-15 vjet që isha larguar nga Shqipëria. Marston kishte lexuar shumë mbi Shqipërinë, e njihte fenomenin e ngujimit. Ndonëse unë jam shqiptar, nuk e njihja më mirë sepse pavarësisht se isha në kontakt me lajmet, nuk mund të përfitoja nga to një njohje të thellë. Udhëtimin e parë në Shqipëri vendosëm ta bëjmë bashkë. Ishte një njohje e mënyrës së jetesës, një njohje e mënyrës së të menduarit të të rinjve shqiptarë dhe gradualisht ideja jonë u fokusua te fenomeni i fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes. Por filmi nuk flet për gjakmarrjen dhe aq më pak për kanunin. Në këtë rast falja e gjakut nuk ka kuptimin e parë që ne i japim. Është falja e babait, e shokut, të mikut. Pjesa thelbësore e filmit është perspektiva e këtyre dy të rinjve, mënyra se si ata e perceptojnë këtë rrethanë specifike dhe si përpiqen me çdo kusht ta tejkalojnë, të mbijetojnë dhe të mundohen edhe ta zgjidhin. Faza kërkimore për realizimin e filmit ka qenë e gjatë: takimi me fëmijë dhe familje në gjak ose jo, mënyra e tyre e jetesës, njerëzve marrin pjesë direkt ose indirekt në zgjidhjen e këtij problemi siç janë organizatat joqeveritare apo pleqtë e zonës. Gjithë kjo fazë paraprake e ka pasuruar mënyrën se si ne i jemi qasur këtij fenomeni.

Nga përcojat e mëparshme, është krijuar stereotipi i qasjes së regjisorëve të huaj ndaj një Shqipërie gati ekzotike. Si shpërfaqet Shqipëria në “Falja e gjakut”?

Duhet të kemi të qartë që vendet në konflikt kanë tema të mëdha si Irani, Bosnja, vendet e Afrikës. Por nuk ta garanton tema suksesin në festival. Një film fiton vëmendje për merita artistike dhe skenari ynë është vlerësuar pikërisht për këtë fakt. Në film nuk ka qeleshe, nuk ka as njerëz që vuajnë, por të rinj shumë modernë, që përdorin celularë, blutooth, që kërkojnë të hapin një kafe-internet. Është një Shqipëri reale e viteve 2000 që të rinjtë nuk i largohen. Gjëja e fundit në konceptin e këtij filmi është ekzoticizmi. Ne mund të flasim për një këndvështrim të ri të jetës shqiptare, larg klisheve të njohura tashmë.

Festivale të përmasave të tilla janë mundësi të vyera për të tërhequr vëmendjen e kompanive të mëdha kinematografike drejt Shqipërisë. farë solli berlinalja në këtë pikëpamje?

Sigurisht që pas shfaqjes së filmit, vëmendja ndaj Shqipërisë është më e madhe. Aktorët e filmit u ndaluan në rrugë nga producentë, nga regjisorë, skenaristë. Unë personalisht kam pasur kontakte të pafundme nga disa nga producentët më të mirë në botë që janë të interesuar për Shqipërinë. Pyetja kyçe e tyre ka qenë: Si e mbështet Shqipëria kinemanë? “Falje gjaku”, një projekt që nuk ka pasur mbështetje lokale ishte përjashtim dhe është një faqe e mbyllur e historisë së kinematografisë. Nga kjo pikëpamje të gjithë presin që Shqipëria të lëvizë në mënyrë reale, jo me fjalë në lehtësimin e mundësisë së të bërit film nga kompanitë më të mëdha botërore. Janë ditët më të mrekullueshme të kinemasë shqiptare që përfaqësohet, fiton dhe kthehet e nderuar  në Shqipëri. Shqipëria është një vend i vogël dhe ka histori të mëdha. Këtë e treguam me të gjithë filmat që morën pjesë në Berlinale. Ka po ashtu aktorë të mirë, ku në rastin tonë ishin kandidatë edhe për aktorin\aktoren më të mirë. Ky vend i vogël do veprime dhe jo fjaë për mbështetjen e kinemasë. Që të marrësh pjesë në Europë duhet të kërcesh vallen e Europës dhe shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt të ketë lëvizje radikale në mbështetjen e kinemasë.

Filmi juaj nuk pati mbështetje financiare shqiptare...

Dua ta lë pas historinë e filmit tonë. Unë do e bëj filmin me apo pa mbështetjen e qeverisë, Bujar Alimani po ashtu. Qeveria nuk është shkaktare për vdekjen e artit, por për lehtësimin dhe për inkurajimin.

Çfarë rruge i ka hapur filmit suksesi në Berlinale?

Hapi një faqe të re për vet filmin. Është filmi i pritur më mirë i Berlinales, filmi që Berlinalja mendoj se i ka borxh.

Kujt ia dedikuat filmin?

Regjisori Joshua Marston ia dedikoi Shqipërisë, ndërsa unë familjeve të Shkodrës që ndanë me ne historitë e tyre, jetën dhe dhimbjen. Ishte i pari projekt që bashkoi aktorët mbarëshqiptarë dhe shpresoj që filmi i ardhshëm të ketë në bashkëproduksion edhe Kosovën. Jam në fazat e fillimit të një skenari. Këto janë tema që i kam nën lëkurë. Shpresoj të gjej mbështetjen këtë radhë.

A do të ketë një premierë shqiptare?

Sigurisht. Po mendojmë një premierë në Shkodër dhe një Tiranë. Ende nuk kemi përcaktuar kohën për çështje të distribucionit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama