Sot, në orën 17:00, Karlo Ançeloti do të debutojë në stolin e Bajernit të Mynihut. Për respekt të Karl-Hainc Rumenige, bavarezët do të organizojnë një test miqësor me amatorët e SV Lipshtad 08 ku nisi karrierën bosi i kampionëve të Gjermanisë. 50% të fitimeve do të shkojnë për klubin e Lipshtadit dhe 50% do të shkojnë në ndihmë të azilantëve të këtij qyteti.
Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Ançeloti pranon se do aktivizojë të rinjtë. Gjithashtu, ai flet për merkaton, çelësin e suksesit të tij si dhe sezonin e ri.
Ançeloti, spekulohet se Gëce do të shkojë te Dortmundi. Është e vërtetë?
Nuk kam informacione të reja. Për mua Gëce është ende lojtar i Bajernit.
Si po ju shkon java e parë e stërvitjes?
Jam i kënaqur. Të gjithë lojtarët janë të përqendruar dhe në formë shumë të mirë. Në skuadër kam edhe disa lojtarë të rinj, disa prej të cilëve do të luajnë edhe në miqësoren e ditës së shtunë (sot) në Lipshtad. Në këtë test rëndësi ka paraqitja dhe jo rezultati.
Keni probleme komunikimi me lojtarët?
Do ishte perfekte që unë të flisja rrjedhshëm gjermanisht me lojtarët. Ndonjëherë flas italisht me Riberinë, por edhe spanjisht me Alonson dhe Bernat. Në stërvitje përpiqem t'ua shpjegoj në gjermanisht.
Benatia u largua te Juventusi, ndërsa Kimishin e kërkon Mançester Siti...
Po, Benatia zgjodhi të bëhej pjesë e Juventusit. I urojmë shumë fat. Ndërsa Kimish është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë. Ju siguroj 100 % që qëndron.
Alabës i pëlqen të luajë si mesfushor. Në cilin pozicion e shihni?
Alaba është një mbrojtës i majtë fantastik. Patjetër që mund të luajë edhe në mesfushë.
Shumë lojtarë do të rikthehen me vonesë në stërvitje. Si ndikon te ju vonesa e tyre?
Natyrisht që do kisha dëshirë t'i kisha në skuadër, por më e rëndësishme është që ata të çlodhen. Ne duam që ata të rikthehen në formë dhe të karikuar. Kemi kohë të mjaftueshme. Kam folur me Mylerin në telefon dhe ai ka nevojë për pushime.
Dortmundi po freskon organikën me lojtarë të rinj. I shihni si konkurrentë të fortë?
Skuadra e tyre është mjaft kompetitive. Janë lojtarë të rinj dhe me ambicie. Bundesliga është shumë e fortë dhe konkurrenti ynë më i fortë nuk do të jetë vetëm Dortmundi.
Çfarë është më e rëndësishme për të pasur sukses?
Fleksibiliteti i lojtarëve është i rëndësishëm, por për mua çelësi i suksesit është fryma e grupit apo shpirti i skuadrës. Nuk ka sistem fitues. Lojtarët duhet të ndihen komodë dhe të luajnë për njëri-tjetrin.
Pritet rikthimi i Uli Hënesit president. E keni takuar?
Hënes është një legjendë e Bajernit. Nuk e di vendimin e tij. Nuk e kam takuar ende dhe me kënaqësi do të pranoja ta njihja nga afër.
Çfarë ju pëlqen nga qyteti i Mynihut?
Më pëlqen pastërtia dhe rregullsia. Çdo gjë në vendin e vet. Në Itali nuk ka rregulla, vetëm supozime.
Përgatiti: ENIAR IBRO