Amnistia shfaqet ne kinemane e Muzeut te Artit Modern ne Nju-Jork

'Amnistia' shfaqet ne kinemane e Muzeut te Artit Modern ne Nju-Jork
Kompania distributore “Global Lens” ka blerë të drejtën e shpërndarjes së filmit të regjisorit Bujar Alimani, pas suksesit në kinematë kanadeze. Filmi shqiptar “Amnistia” i Bujar Alimanit, do të shfaqet në kinemanë e Muzeut Modern të Artit (MoMa) në Nju-Jork. Kompania distributore “Global Lens” nisi negociatat për blerjen e filmit “Amnistia” në muajin gusht 2011, pas projeksionit të filmit në Kanada. “Amnistia” ka fituar çmim në Berlinale, në Lisbonë, tri çmime në Leçe; ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen dhe është përzgjedhur si kandidatura e Shqipërisë për çmimet “Oscar”. Këto shfaqje të filmit në kinematë amerikane rrisin dhe pretendimet e regjisorit Alimani për çmimin e madh “Oscar”. Ndoshta dhe publiciteti “i keq” që iu bë këtij filmi pas skualifikimit të filmit “Falja e gjakut” me pretendimin se nuk plotësonte kriteret për të qenë 100% shqiptar, “Amnistia” e Alimanit shton shanset, së paku për të qenë në listën e ngushtë të kandidatëve të filmave në gjuhë të huaj. Filmi me regji dhe skenar të Bujar Alimanit ka si protagonistë të tij aktorë të njohur si: Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj etj. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike, me partnerë Greqinë dhe Francën, dhe ka shënuar një rekord për kohën tremujore të xhirimeve të tij në fund të muajit shtator 2010 në Tiranë dhe Pogradec.

Historia e një burri dhe një gruaje, të cilët takohen një ditë gjatë rrjedhës së jetës së tyre të mërzitshme dhe dashurohen ndërsa dy bashkëshortët e tyre të dënuar në burg presin të marrin amnistinë, do të shfaqet në datat 14-20 janar në Nju-Jork. Filmi hapet me Elsën, e cila numëron paratë që ka marrë nga fabrika e tekstileve vetëm pak ditë pasi fabrika është mbyllur. Është pikërisht dita kur anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duket se do të sjellë prosperitet, por nga rrethanat që tregohen në film duket se kjo është një perspektivë e largët. Në fakt është e njëjta gjendje dëshpërimi që ka çuar përtej hekurave edhe bashkëshortin e Elsës, i cili luan me fatin e tij në një lojë kumari me shpresën se do të mund të rrisë fitimet për të mbijetuar dhe për të përmirësuar statusin social të familjes së tij. E njëjta gjendje dëshpërimi ka çuar në burg edhe bashkëshorten e Shpëtimit. Kështu nis historia e regjisorit Bujar Alimani, një histori që i dha dhe çmimin e jurisë në Festivalin e Berlinit, një sukses më shumë i kinematografisë shqiptare në Berlinalen e zhvilluar në muajin shkurt, bashkangjitur këtij suksesi edhe çmimin “Ariu i Argjendtë” që mori një tjetër bashkëprodhim shqiptaro-amerikan, “Falja e Gjakut”.

“Amnistia”, përfaqësuesja e kinemasë shqiptare në çmimet “Oscar” ka fituar edhe tri çmime në Leçe si: çmimin ‘CinEuropa 2011’, çmimin ‘Fipresci’, Çmimin special të jurisë në Festivalin e Berlinit etj. Sipas regjisorit Bujar Alimani, prodhimi i filmit “Amnistia” ka kushtuar 700 mijë euro dhe është produkt i ‘Fantasia Ldt’, ‘Arizona Films’ dhe ‘90 Production’, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Greqisë dhe ‘Euroimages’. Shpërndarja e filmit ishte parashikuar në Francë, ndërkohë që në Greqi dhe Shqipëri filmi e ka përfunduar ciklin e shfaqjeve. Nju-Jorku doli si mundësi vetëm kur filmi “Amnistia” arriti të ishte propozimi i Shqipërisë për në “Oscar”. Filmi, sipas regjisorit Alimani, përcjell një mesazh të fortë, edhe pse dialogjet aty janë të pakta. “Edhe në tre filmat e mi me metrazh të shkurtër që kam realizuar, flitet pak. Një qasje ndryshe kjo nga filmat shqiptarë, ku dialogjet janë një pjesë shumë e rëndësishme.

Por unë kam një armë të fortë në dorë; imazhin. Ndoshta këtu ka ndikuar formimi im si piktor”, - shprehet Alimani, i cili filmit të tij i ka dhënë ngjyrat e konjakut. Gjatë realizimit të këtij filmi ai ka pasur disa pika reference, regjisorë të huaj të cilët jo vetëm e kanë cekur tapetin e kuq të “Oscar”-it, por madje kanë qenë dhe fitues si Loach, Leigh, Bergman, nga të cilët Alimani shprehet se ka mësuar artin e heshtjes. Sigurisht që për realizimin e këtij filmi janë hasur vështirësi, të cilat i janë shpërblyer Alimanit. “Pjesa më e madhe e regjisorëve shqiptarë kërkojnë shumë para për prodhimin e filmave të tyre, ndërkohë që mund të bëhet një film i thjeshtë me pak para, por që përcjell mesazhe të forta. Ashtu si kinemaja iraniane”, - thotë ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama