Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, nuk e ka fshehur që skuadra e tij do të përballet me vështirësi të ndryshme në ndeshjen kundër Ferencvaroshit. Ekipi hungarez është favorit jo vetëm për faktin se ka marrë një barazim 1-1 në transfertë në ndeshjen e parë, por edhe për shkak të problemeve me të cilat po përballet skuadra shqiptare.
"Luajmë përballë një skuadre me traditë dhe e dimë që na pret një ndeshje e vështirë. Kemi 4 lojtarë me probleme por gjithsesi besojmë se do të dhurojmë një ndeshje të mirë.
Ferencvarosh është një skuadër ku në gjirin e saj ka lojtarë të cilët e përdorin mirë topin dhe disponojnë një teknikë të lartë. Mendoj se ndeshja e parë e luajtur në "Elbasan Arena" ishte një 90 minutësh i ekuilibruar ndërsa nesër Ferencvaroshi luan në shtëpi dhe sigurisht do të bëjnë ndeshjen e tyre, është mëse e drejtë.
Për këtë përballje nuk jemi favoritë, megjithatë ne duam të jemi një skuadër. Autori i golit të barazimit në ndeshjen në Elbasan, Daniel Bode, është me të vërtet një lojtar cilësor, do të bëjmë të pamundurën për ta bllokuar", deklaroi trajneri në konferencën e fundit për shtyp.
Përkrah tij, para gazetarëve është paraqitur edhe mbrojtësi Renato Arapi, i cili ka konfirmuar gjithashtu se ekipi nuk ishte në 100%, por që do të mundohej të bënte lojën e vet.
"Jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, por ne do të hyjmë në fushë për të bërë më të mirën tonë. Ekipi nuk është 100% të formës së tij, por po arrin të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Do të mundohemi të mbrohemi fillimisht dhe të shfrytëzojmë rastet që do të na paraqiten. Jemi përgatitur të luajmë ndaj çdo kundërshtari, pasi bëjmë lojë në zonë", tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse kishte frikë nga ndonjë element i veçantë në radhët e Ferencvaroshit.