Akord Memushaj-Peskara firma kthen kapitenin ne flamur

Akord Memushaj-Peskara, firma kthen kapitenin në flamur

Ledian Memushaj ka gjetur më në fund akordin me drejtuesit e Peskarës dhe ka firmosur rinovimin deri në vitin 2020 me klubin që i ka besuar shiritin e kapitenit.

ledian-memushaj

Mesfushori i përfaqësueses shqiptare luan prej dy vitesh me këtë klub dhe është kthyer shumë shpejt në një prej idhujve të tifozerisë. Ndaj drejtuesit e Peskarës u siguruan që futbollisti 29-vjeçar të hidhte firmën në kontratë, para se ai të fillonte të tundohej seriozisht nga oferta e ndonjë klubi tjetër.

xhiufredi memushaj

Memushaj dhe menaxheri Xhiufredi

Menaxheri i tij, Mario Xhiufredi, pak ditë më parë i kishte bërë thirrje publike klubit që të vendoste sa më shpejt për rinovimin e kontratës së mesfushorit, i cili ndiqej me interes nga skuadra të tjera të Serisë A pas paraqitjes së shkëlqyer që bëri në Euro 2016 me fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit. Skuadra më aktive ishte Bolonja, me trajnerin Roberto Donadoni që e shihte si një përforcim shumë cilësor për ekipin e tij.

Vetë Memushaj bëri të qartë se nuk dëshironte të largohej nga Peskara, pasi ndjehej shumë mirë aty dhe thjesht ishte në pritje të klubit për ofertën e rinovimit. Ndaj gjatë ditës së djeshme, presidenti Daniele Sebastiani dhe menaxheri i lojtarit janë ulur në tavolinën e bisedimeve dhe kanë diskutuar jo vetëm aspektin financiar të marrëveshjes, duke rritur ndjeshëm rrogën e futbollistit, por edhe kohëzgjatjen e saj.

Ledian Memushaj

Parashikohej që Memushaj të firmoste një kontratë deri në vitin 2019, por sipas gazetarit të njohur për merkaton italiane, Xhanluka Di Marzio, mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka firmosur një kontratë katërvjeçare, e cila përfundon në qershorin e vitit 2020.

Kjo mund të cilësohet si "kontrata e jetës" për mesfushorin, i cili pasi ka luajtur thuajse në të gjitha nivelet e futbollit Italian, po bëhet gati për debutimin e shumëpritur në Serinë A, për më tepër duke mbajtur shiritin e kapitenit. Kur kjo marrëveshje të përfundojë, Memushaj do të jetë 33 vjeç dhe ndonëse kjo moshë nuk do ta pengojë të luajë në nivele të larta, do të jetë e vështirë që atëherë ai t'i japë lamtumirën Peskarës, një klub ku tashmë të gjuthë e shohin si "flamur".



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama