17 vite pa fitore Bogdani Maqedonine e mundim ne Shkoder

17 vite pa fitore, Bogdani: Maqedoninë e mundim në Shkodër

Maqedonia mund të konsiderohet pa frikë si një nga rivalët e kthyer në makth për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë kanë një bilanc negativ me maqedonasit, pasi në tetë takime të luajtura, duke filluar nga i pari, në vitin 1994, e deri tek i fundit, në vitin 2011, kanë arritur vetëm një fitore, ndërsa kanë pësuar katër humbje dhe tri ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.

Bogdani_71178_thumb_large1

Plot 17 vite ka Shqipëria që nga fitorja e fundit me Maqedoninë, kur më 10 shkurt 1999, në stadiumin "Qemal Stafa", kuqezinjtë e drejtuar nga Astrit Hafizi ia dilnin falë golave të Rudi Vatës dhe Erjon Bogdanit. Ky i fundit, i cili është kryegolashënues i Kombëtares, në të vetmen fitore me Maqedoninë, gjente golin e parë me fanellën kuqezi.

Sot Bogdani është pjesë e stafit teknik të Shqipërisë dhe në prag të ndeshjes eliminatore me fqinjët, kujton me nostalgji atë takim të fituar dhe gjithashtu bën parashikimin për sfidën e nesërme. Duke folur për "Panorama Sport", rekordmendi i Shqipërisë është i bindur se nesër Maqedonia do të thyhet.

"Goli im i parë në fushën si moçal"

"Ishte një terren jashtëzakonisht i keq në stadiumin 'Qemal Stafa'. Binte shi i rrëmbyeshëm dhe në çdo minutë që kalonte, fusha rëndohej së tepërmi. Me sa kujtoj në karrierë, ka qenë një nga ndeshjet, e cila është zhvilluar në kufijtë e të pranueshmes që të luhet", nis rrëfimin për gazetën Erjon Bogdani. Për të ka qenë ndeshja e tretë në Kombëtare, por që ende nuk e kishte bërë sefte. Në minutën e 80-të, ai futet në fushë, duke zëvendësuar ish-kapitenin Bledar Kola.

max_goleador

"Jam aktivizuar në fund dhe natyrisht që koha nuk premtonte shumë. Nuk e mendoja që mund të shënoja, për më tepër që shiu nuk kishte pushuar për asnjë moment dhe fusha e bënte gati të pamundur që të luanim normalisht. Megjithatë ishim në avantazh 1-0 pas golit të Vatës dhe më së paku, duhej ta ruanim rezultatin në këtë miqësore.

Mbaj mend që më vjen një krosim nga krahu i djathtë dhe fare pranë vijës fatale, arrita të shënoj dhe të vulos fitoren. Ka qenë shumë emocionuese për mua ajo ndeshje dhe sidomos për faktin se arrita të shënoja në fundin e lojës", tregon ish-sulmuesi i përfaqësueses, i cili e mbylli karrierën me kuqezinjtë duke shënuar 18 gola në 75 ndeshje.

"Tifozë dhe stadium i ri, do të fitojmë ne"

Prej disa muajsh Bogdani është pjesë e stafit të Xhani De Biazit dhe atë që nuk arriti dot si futbollist me Kombëtaren, e bëri realitet duke qenë në rolin e zv.trajnerit. Ai e njeh shumë mirë grupin aktual të lojtarëve dhe është i bindur se nesër kuqezinjtë nuk do të zhgënjejnë.

basha bogdani

"Skuadra është përgatitur shumë mirë. Gjendja e lojtarëve është optimale dhe ndeshja është marrë me shumë seriozitet. Futbollistët kanë treguar përkushtim në seancat që kemi bërë dhe kam besim që do të marrim një rezultat pozitiv. Është sfida e parë e këtyre kualifikueseve dhe duhet ta nisim mbarë, pasi luajmë në shtëpi, për më tepër në një stadium të ri, si dhe përballë tifozëve tanë.

E them me bindje se ajo fitore ndaj Maqedonisë me golin tim nuk do të jetë më e fundit. Uroj dhe besoj se të hënën t'ia dalim mbanë në Shkodër, duke e nisur edicionin me tri pikë", përfundon Bogdani. Ish-sulmuesi po jep këshilla shumë të rëndësishme për lojtarët, nga të cilët pritet goli si Sadiku, Cikalleshi, Gashi, Balaj etj. Eksperienca e tij është një vlerë e shtuar për kuqezinjtë e Xhani De Biazit.

OLSI TUJANI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama